Itali, shkatërrohet banda ndërkombëtare, 8 shqiptarë në pranga

0
169

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga tetë shtetas shqiptarë dhe 1 italian, pasi janë përfshirë në një bandë të trafikut ndërkombëtar të drogës. Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar 80 kilogramë heroinë. Policia e Venecias ka shkatërruar një bandë që operonte në Shqipëri, Maqedoni dhe Itali. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane. Korriere Dela Sera shkruan se në operacionin e së martës janë arrestuar 9 shtetas, 8 shqiptarë dhe një Italian. Të gjithë shqiptarët ishin nga Elbasani, madje disa prej tyre dhe kushërinj. Në total janë ekzekutuar 12 urdhër-arreste të lëshuar nga prokuroria. Baza qendrore e bandës së heroinës ishte në vendin përtej Adriatikut. Më konkretisht ishte një ndërtesë e braktisur në kufirin mes San Donà dhe Noventa, e cila mbikëqyrej 24 orë nga persona të armatosur.

Kreu organizatës kriminale ishte një 40-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai jetonte në San Dona, në afërsi të ndërtesës së braktisur. Policia italiane bën me dije se në përfundim të hetimeve lidhur me grupin kriminal është sekuestruar në total një sasi prej 80 kilogramësh heroinë. Sipas hetimeve, droga transportohej në Itali nga jashtë vendit me anë të disa makinave të modifikuara.

Organizata kriminale përdorte persona me vështirësi të mëdha ekonomike, të cilët në këmbim të shumave të parave, transportonin dhjetëra kilogramë heroinë, ndërsa në bordin e makinës kishin edhe fëmijët e tyre që i përdornin për të mos tërhequr vëmendjen. Të gjitha makinat e përdorura për transportin e heroinës ishin të pajisura me GPS, në mënyrë që bosi shqiptar i grupit kriminal të monitoronte rrugëtimin e tyre. Në hetimet që kanë filluar në 2014 u përfshinë tre polici, ajo italiane, shqiptare dhe maqedonase.