Historiku i bisedimeve me Serbinë, ku gaboi Kosova?

0
197

Këto takime në Bruksel prodhuan edhe disa marrëveshje të cilat u ndërmjetësuan nga David Cooper. Në kuadër të këtyre takimeve, u arritën marrëveshjet, prej tyre ajo edhe për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, e njohur si marrëveshja e IBM-it.

Pas kësaj marrëveshje, këto bisedime, të cilat deri atëherë u quajtën teknike, filluan të marrin ngjyrimet politike. Pasi që temat për të cilat do të bisedohej kërkonin përfaqësim më të lartë, praktikisht në nivel kryeministrash.

Kjo bëri që drejtimet e anijeve mes palëve biseduese ti merrnin, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daciq. Negociatorët në fjalë u takuan, mbi 10 herë në atë kohë, të cilat edhe u quajtën raunde të bisedimeve. Këto 10 raunde të bisedimeve ndërmjet këtyre dy individëve, prodhuan një lloj marrëveshjeje.

Më 19 prill të vitit 2013 në Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Marrëveshja u konsiderua historike për faktin sepse ishte e para e llojit të vet.

Kryeministri Thaçi kishte deklaruar se ai nënshkrim nga pala serbe ishte një njohje e shtetit të Kosovës nga Serbia, një fakt i cili mbeti vetëm në dëshirën e Thaçit pasi që sot e asaj dite, Serbia vazhdon ta mohojë kategorikisht ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Ajo marrëveshje ka ngecur në shumë pika të saj, të cilat edhe janë duke e ngadalësuar rrugën e Kosovës, drejtë antarësimeve në organizatat e huaja. Sipas të dhënave nga organizatat e huaja të cilat operojnë në Kosovë, kemi ngecje në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ka fituar vetëm një derë të vogël për Marrëveshjen e Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian kurse Serbisë u janë ofruar mundësitë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje u përcoll me kundërshtime të mëdha në Kosovë, andaj u deshën të kalojnë më shumë se 2 muaj që ajo të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Pas disa muajsh në Kosovë dhe Serbi ndryshuan udhëheqësit e shtetit, pasi që në Kosovë në krye të shtetit erdhi Isa Mustafa kurse në atë të Serbisë, Aleksandër Vuciq, të cilët pas bisedave në Bruksel arritën edhe marrëveshjet të cilat u quajtën edhe “Brukseli 2”. Përveç Asociacionit, u arritën edhe marrëveshjet në lidhje me Telekomin, Urën e Ibrit dhe Energjetikën.

Prodhimi i atyre bisedimeve ishte edhe krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili do të krijonte në Kosovë, një bashkësi komunash të cilat do të kishin disa kompetenca specifike, të cilat do të krijon një lloj autonomie brenda shtetit të Kosovës. Ky asociacion do të kishte një kryetar i cili do të kishte të drejtë të nënshkruante marrëveshje me shtete tjera, do ta kishte kuvendin, policinë dhe mbi te gjitha një buxhet special dedikuar këtij grupacioni etnik.

Tash të gjithë mund të pyesim se çka i mungon një grupacioni të jetë një lloj shteti brenda shtetit. Kur një institucion e ka kuvendin, policinë, kryetarin dhe buxhetin po del se kemi të bëjmë më një lloj shteti të pavarësuar sa i përket të drejtave elementare për të funksionuar si shtet.

Ky Asociacion nuk u ratifikua në Kuvend për shkak të kundërshtive dhe protestave të ashpra të cilat u zhvilluan. Tema e Asociacionit ende është aktuale për shkak të vështirësive të cilat kanë dalë në implementim dhe për më tepër votim në Kuvend.

Përderisa Serbia është ofruar edhe më shumë drejtë Bashkimit Evropian, Kosovës është duke i humbur pavarësia e saj shtetërore. Serbia ka dalë të jetë fituese e këtyre bisedimeve pasi që rruga për në BE tashmë është më e shkurtër dhe se Serbia në syrin e shteteve të BE-së, po del si një vend i cili e ka lënë pas të kaluarën dhe dëshiron paqe e stabilitet në rajon e Ballkan.

Kur ne po i analizojmë rezultatin e këtyre bisedimeve të cilat janë udhëhequr nga Edita Tahiri, Hashim Thaçi e nënshkruar nga Mustafa, një Kryeministër i ri i Kosovës ndodhet në Bruksel, i ftuar nga Mogherini në darkën e organizuar me kryeministrat e rajonit.

Ramush Haradinaj është duke shpresuar se nga Brukseli do të kthehet me lajme të mira në lidhje me liberalizimin e vizave, kusht ky që ishte ndër më të rëndësishmit në mes bisedimeve Kosovë-Serbi të zhvilluar për më shumë se 4 vite.

Por Kryeministri aktual i cili e ndihmoi rrëzimin e Qeverisë së kaluar, me arsyetimin se ata nuk kishin kredibilitet për të dërguar proceset përpara është duke u gjendur vet në një situatë kur nuk po mundet që ta kalojë Demarkacionin në Kuvend, si njërin ndër kushtet më të rëndësishëm për liberalizimin e vizave.