Hetimet për gjyqtarin Shkëlqim Miri u monitoruan nga amerikanët

0
358

Në vitin 2012, FBI solli në Tiranë një vrasës në kërkim, i dënuar me 20 vjet burg në Shqipëri për të paktën dy vrasje.

Ai kishte mundur të largohej pas trazirave të vitit 1997 dhe për më shumë se 15 vite të strehohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me identitet të rrem. Gentian Doda nga Burreli menjëherë pas ekstradimit kërkoi rigjykim në Gjykatën e Matit, me argumentin se vendimi i dënimit ndaj tij ishte dhënë në mungesë. Asokohe pati një interesë të veçantë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka monitoruar të gjitha proceset gjyqësore që janë zhvilluar ndaj Dodës.

Madje procesi gjyqësor ndaj Gentian Dodës, i akuzuar për dy vrasje në vitin 1997 ka qenë një nga gjyqet më të monitoruara nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Për pesë vite kjo çështje i ka kaluar të trija shkallët e gjyqësorit si dhe Gjykatën Kushtetuese. Përpara rigjykimit në Gjykatën e Burrelit, çështja e tij ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Edhe pse procesi monitorohej në çdo hap, sërish dy gjyqtarë të lartë u dyshuan se mund të ishin angazhuar për të lehtësuar pozitën e të pandehurit. Por dyshimet e prokurorisë nuk u provuan dhe për këtë arsye dy gjykatësit e lartë nuk u morën nën hetim.

E megjithatë kjo dosje kaloi edhe në Gjykatën Kushtetuese e cila vendosi të kthejë për rigjykim çështjen penale ndaj të pandehurit Gentian Doda. Që me ekstradimin e tij nga SHBA në vitin 2012, një përfaqësues i ambasadës udhëtoi drejt Burrelit ku ndoqi seancën për caktimin e masës së sigurimit ndaj Gentian Dodës. Më pas ai iu nënshtrua procesit gjyqësor dhe në përfundim të tij u dënua me 20 vjet burg. Çështja kaloi në Apel dhe më pas në Gjykatën e Lartë e cila nuk pranoi rekursin e të pandehurit dhe pas këtij vendimi ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi të  kthejë për rigjykim çështjen në shkallën e parë pasi nuk ishin respektuar parimet e një procesi të rregullt ligjor.

Në procesin e zhvilluar në Gjykatën e Burrelit i pandehuri kërkoi gjykim të shkurtuar dhe në përfundim prokuroria kërkoi dënimin e tij me 20 vjet burgim. Kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata e Burrelit, e cila ndryshoi akuzën për Dodën nga vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, në plagosje të rëndë me dashje, duke e dënuar atë përfundimisht me 8 vite burg. Prokuroria bën ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe dosjta transferohet për shqyrtim pranë kësaj gjykate, ku pjesë e trupës gjyqësore ishte dhe gjyqtari tashmë i arrestuar Shkëlqim Miri. Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Burrelit duke e dënuar përfundimisht Gentian Dodën me 8 vjet burg.

Por kjo çështje qysh në nisje të saj ka qenë në monitorim të rrept të ambasadës, burime pranë të cilës janë shprehur se FBI është investuar në gjetjen dhe arrestimin e Gentian Dodës dhe për pasojë nuk mund të tolerohet asnjë favorizim i tij. Por e kundërta ndodhi, pasi në qershor të këtij viti Apeli “vulosi” përfundimisht dënimin e tij, ndërsa prokuroria kishte rënë në gjurmët e tij dhe kishte informacione se kishte përfituar 30 mijë euro. Këto dyshime sipas prokurorisë janë vërtetuar nga kontrolli i kryer në banesën e tij ku u sekuestrua një sasi e konsiderushme parash.

Sipas akuzës së prokurorisë rezulton se autori i dyshuar i vrasjes Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima./Mapo.al/