Hajnat zyrtarë – armiq të Kosovës

0
270

Dëshmia e falsifikuar e veteranit, padyshim, është ndër krimet më të rënda ekonomike dhe politike të Kosovës së pasluftës. Mjafton llogaria e deritanishme, prej tej 68 milionë eurove të vjedhura, për të parë përmasën e hajnisë, e cila do të shumëzohet në qindra dhe miliona, për të arritur kuotën e miliarda eurove, ndër vite e dekada.

Tashmë janë zbuluar dhe faktuar krye hajnat zyrtarë të Kosovës, të cilët, pacipërisht, ngulmojnë në vijimësinë e kësaj hajnie marramendëse e çmendurake. Prijnë në këtë marrëzi kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komisionit përkatës, gjeneral Agim Çeku. Dallimi mes tyre është se i dyti ka nënshkruar vetëm për 46.230 «veteranë», ndërsa Ramushi pretendon në shifrën e tej 60.000 veteranëve!

Edhe pse Ramushi duhej të ishte i akuzuari i parë, për krimin ekonomik dhe politik, rrjedhimisht, armik i Kosovës, ai jo vetëm se nuk është nën akuzë, por, paradoksalisht, vazhdon ta mbajë, dhunshëm, postin e kryeministrit të Kosovës! Ndërsa gjeneral Çeku, duke qenë, meritueshëm, nën akuzë, fillon mbrojtjen, nën moton: «Sulmi është mbrojtja më e mirë». «Listat e veteranëve u frynë në terren», – akuzon Çeku «komandantët» lokalë, pa guxuar të përmend «komndantët» kriminelë qendrorë, krye hajnat faktikë të Kosovës.

Arsyetimi i gjeneral Çekut është sa i çuditshëm, aq edhe banal: «Më 13 maj 2016 Qeveria ka marrë vendim, që në afat prej një jave, të përfundojë punën dhe të sjell listat. U kam thënë sillni listat me të gjitha të dhënat. Ata i sollën emrat e 46.230 «veteranëve» dhe unë e nënshkrova listën e përgjithshme, pa ndërhyrje, më 20 maj 2016″, -deklaron gjeneral Çeku!!!

Shtrohet pyetja: Pse e pranoi gjeneral Agim Çeku detyrën e kryetarit të «Komisionit të Mbikëqyrjes dhe të Verifikimit të Listave të Veteranëve» dhe pse nuk e kreu detyrën e Verifikimit, duke nënshkruar pa asnjë ndërhyrje?! Vetëm ky fakt, i pa demantueshëm, mjafton që gjeneral Çeku të akuzohet si armik i vetëdijshëm i shtetit të Kosovës, duke aprovuar dhe legalizuar një makro-hajni zyrtare, në dekada, të buxhetit shtetëror të Kosovës. E përsërisim, pajtimi i gjeneral Çekut me shifrën e stër-fryrë prej 46.230 «veteranësh», ka për synim krijimin e Ministrisë të Veteranëve, për t`u ulur në karrigen e të parit të kësaj ministrie.

Akuza për kryeministrin Ramush Haradinaj, duhej të ishte shumë më e ashpër. Sepse qëllimet falsifikuese të tij janë të rrezikshme për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Përveç favorizimit të «komandantëve» të tij, me shitjen e mijëra «dëshmive të veteranëve» të rrejshëm, ka për qëllim edhe sigurimin e klientelës elektorale afat-gjatë, duke abuzuar, tmerrshëm, me buxhetin e Kosovës, madje, në dekada të tëra. Dhe, kjo përbën hajni zyrtare, krim dhe armiqësi të dyfishtë karshi shtetit të brishtë, tanimë, edhe të prishtë të Kosovës.

Klientela elektorale në kohë-zgjatje, blerje votash me buxhetin e shtetit, për partinë-bandë, AAK-në, përbën edhe një krim të rëndë, sui generis, të llojit të vet, shkatërrimin e sistemit zgjedhor, mos barazinë e konkurrencës elektorale, falsifikimin e madh zgjedhor. Këtë gjëmë të madhe, vjedhjen zyrtare të buxhetit shtetëror dhe rrënimin e sistemit zgjedhor, Prokurori Special Elez Blakaj, djali trim i Llukavcit të Begut, të Istogut, e denoncoi, guximshëm dhe dinjitetshëm, duke shpallur akuzën penale për disa «komandantë», shitës dhe falsifikues të «Dëshmisë të Veteranit».

Reagimet e papërgjegjshme, idhnake, paushallë e rrugaçërore të trinomit namkeq: të kryeministrit Haradinaj, krye-parlamentarit Veseli dhe të kryeprokurorit Lumezi, ishin shokuese për opinionin shqiptar dhe botëror. Arsyeja: Prokurori Special Elez Blakaj kishte vënë pikën mbi «i», duke «i prekur në kallo», matrapazët urdhërues ose heshtës të falsifikimeve fatale të «dëshmive të veteranëve», thënë troç, – hajnisë zyrtare të shekullit -.

Çeku akuzon Mustafën për aprovimin e 46.230 «veteranëve»

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte e qetë, komode, e pa «infektuar» nga shitja dhe falsifikimi i listave të veteranëve. Beteja e Loxhës, e bërë dhe e fituar nga ushtarët dhe oficerët e komanduar nga Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, si dhe betejat e shumta, të njohura si Lufta e Koshares, të bëra nën komandën e oficerëve institucionalë, FARK-u i Ibrahim Rugovës, ishin formacione ushtarake të rregullta, me regjistrimin e saktë të luftëtarëve pjesëmarrës. Dhe, pamundësohej falsifikimi.

Luftëtarët e tjerë, nga radhët e LDK-së, vetë-komandoheshin ose u kishin vënë si tutelë «komandantë» profanë, injorantë të LPK-së, të cilët nuk arritën ta realizonin asnjë betejë, me formacione të rregullta ushtarake, madje, as ta mbronin popullsinë lokale, të pambrojtur. Për çudë, shumë syrësh u penguan dhe armiku i plumboi e sakatosi. Andaj, askush nga LDK-ja nuk kishte qasje me listat e veteranëve.

Por, së fundi, gjeneral Agim Çeku, në «Rubikon» të KTV-së, lëshon akuza të rënda për ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe qeverinë e tij. «Qeveria e Kosovës e nxitoi punën e Komisionit, duke kërkuar që brenda një jave ta përfundojnë punën dhe t`i dorëzojnë listat»!

Karrieristi Isa Mustafa, duke qenë në krye të Qeverisë, i tmerruar nga krerët banditë të Shoqatës të «Veteranëve të Luftës të UÇK-së», të cilët filluan, turpshëm e kriminalisht, protestat, në kërkim të parave të paligjshme, edhe pse e kishte Ministrin e brendshëm, «trim» Skënder Hysenin, qeveria aprovon, duke u pajtuar se në luftë kanë qenë 46.230 «veteranë». Dhe, sipas Çekut, aty përfundon puna e Komisionit, pra, më 20 maj 2016!

I akuzuari Agim Çeku kërkon shfajësimin e plot nga penaliteti, për rastin e listave të veteranëve të rrejshëm, me arsyetimin se Isa Mustafa kërkoi verifikimin e listës emërore prej 46.230 veteranëve brenda një jave dhe kjo ishte, edhe teorikisht, e pamundur. «Nëse qeveria e Kosovës nuk do ta votonte, do të thoshte që numri është i madh, atëherë çështja do të kthehej dhe Komisioni do të fillonte punën nga e para», – arsyetohet gjeneral Agim Çeku.

Deklarimet e gjeneral Çekut zbulojnë, madje, qartazi, edhe pjesëmarrës të tjerë në krimin e hajnisë të buxhetit shtetëror të Kosovës:

1. Krerët e partive-banda: PDK-së, AAK-së, NISMA;

2. Ish kreun e Qeverisë, Isa Mustafa, i cili me dëmin e sjellë Kosovës, qoftë me nxitimin për verifikimin e listave, qoftë me aprovimin e deri me fillimin paradoksal, lëvrimin, dhënien e parave shumë mijëra «veteranëve» të rrejshëm, faktohet si armik i egër i shtetit të Kosovës, duke shpërdoruar djersën dhe mundin e popullit.

Veprimet skandaloze dhe armiqësore ndaj Kosovës, gjithsesi, e implikojnë edhe partinë, LDK-në, në krye të së cilës Isa Mustafa është tërësisht i dhunshëm, duke qenë se nuk është zgjedhur me votë demokratike, por, është vet emëruar. Por, heshtja e anëtarësisë, ndaj «kryetarit», që flet paligjshëm dhe pa e pyetur fare atë, e ngarkon me fajësi edhe anëtarësinë e shpërfillur të LDK-së.

Megjithatë, Agim Çeku nuk mund të shfajësohet, duke mos pranuar shifrën prej 60.000 veteranëve, pra, të një shtese prej 13.770 «veteranësh». Sepse, ai duke aprovuar listën e 46.230 «veteranëve», prej tyre 33.655 të «veteranëve» të rrejshëm, ai mbetet brenda armiqësisë karshi shtetit të Kosovës./botasot