Gjermania kundër bllokimit nga Serbia si dhe taksës 100%

0
159

Zëdhënësi i qeverisë gjermane ka kritikuar Serbinë dhe Kosovën për hapat e fundit. Serbia kritikohet për bllokadë e Kosova për taksa.

Qeveria gjermane, sikur edhe shumë vende të tjera të Evropës, është e shqetësuar me zhvilimet e fundit në Ballkanin Perëndimor – në veçanti për shkak të acarimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert ka kritikuar Serbinë për shkak të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatën policore Interpol. Por ai tha se qeveria dhe kancelarja Angela Merkel janë edhe kundër masave të fundit të qeverisë së Kosovës.

«Gjermania nuk ka mirëkuptim fare për vendosjen e taksës prej 100 % nga ana e qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Gjermania kundër ndryshimit të kufijëve

Në konferencën e rregullt me gazetarë në Berlin, ai tha se Gjermania është kundër ndryshimit të kufijëve dhe kundër idesë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Seibert konfirmoi edhe një herë qëndrimin e thënë më parë të kancelares Merkel.

«Kancelarja Merkel ka theksuar se integriteti territorial i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha zëdhënësi. Gjermania angazhohet që çështjet e hapura të zgjidhjen me marrëveshje dhe me dialog. «Ne shpresojmë se palët do t’i kthehen shpejtë dialogut», tha Seibert, i cili u bëri thirrje palëve «që të kenë kujdes dhe të evidojnë çdo lloj përshkallëzimi të situatës.

Gjermania është e mendimit se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian duhet të kushtëzohet me normalizimin e plotë të raporteve me Kosovën. Ndërsa integriteti territorial e vendeve në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të preket.