Gjermani: Debat për orar të ri pune

0
245

Modeli i orareve të punës në Gjermani shpjeguar thjeshtë është: 40 orë në javë të ndara në pesë ditë të javës. Disa ekspertë këtë model e quajnë të vjetëruar dhe kërkojnë t’i jepet fund modelit të ditës tetë orëshe.Këshilli i ekspertëve të ekonomisë, i cili konsulton qeverinë, e konsideron të vjetëruar modelin ekzistues të orarit të punës në Gjermani dhe kërkon që orari i punës të «fleksibilizohet» rrënjësisht.

«Ideja për ta filluar punën në mëngjes në orën tetë në zyrë dhe të largohesh prej saj pasdite vonë, nuk është në përshtatje me kohën», i tha gazetës «Die Welt» Christoph Schmidt, kryetar i Forumit të Ekspertëve. Legjislacioni për mbrojtjen e punëmarrësve në Gjermani ka qenë efikas, por sot nuk është më i përshtatshëm me botën e digjitalizuar të punës. Në Gjermani sipërmarrësit e kanë të ndaluar, që t’i lejojnë të punojnë punonjësit më shumë se tetë orë në ditë. Nëpunësit gjithashtu duhet të kenë një pushim dreke prej 30 minutash si dhe nga njëra ditë pune në tjetrën të paktën 11 orë shkëputje për t’u çlodhur.

«Më pak orë pune nuk do të ishte e përshtatshme»/Sipas komisionit të eksperëtve, pesë kokave të ekonomisë gjermane, kjo rregullore i kufizon shumë sipërmarrësit. Në raportin e tyre të publikuar një javë më parë, ekonomistët kërkojnë, që java e punës të jetë e kufizuar në 48 orë, por në vend të tetë orëve në ditë duhet të vendosen më shumë përjashtime, në mënyrë që edhe distanca prej 11 orësh nga njëra ditë pune në tjetrën të konceptohet me më shumë fleksibilitet. Po ashtu ekspertët nuk janë për pakësimin e orëve të punës. «Në kohën e ndryshimeve demografike dhe mungesës së forcave të kualifikuara të punës» një masë e tillë, sipas tyre, është e papërshtatshme.

Orari i punës temë debati në bisedimet për koalicionin qeverisës/Ligji për orarin e punës është një ndër pikat më të debatueshme në bisedimet për krijimin e koaliconit të ri qeverisës në Berlin. Unioni konservator «CDU/CSU» dhe liberalët «FDP» favorizojnë zbutjen e ligjeve ekzistuese, ndërsa ekologjistët insistojnë për fleksibilitet më të lartë në favor të punëmarrësve.Shoqatat e punëdhënësve kërkojnë prej kohësh, që të ndryshojë ligji për orarin e punës, ndërsa sindikatat e refuzojnë këtë duke konsideruar se kjo u imponon më shumë punë punëmarrësve.Në Gjermani, si edhe në shumë vende të tjera, ligjet për orarin e punës janë bërë si një rregullore e shenjtë e paprekshme. Kjo ka të bëjë me historinë e këtyre ligjeve, sepse këto rregulla janë arritur me luftë ndër dekada. Në kufiizmin e orarit të punës një rol shembullor ka luajtur Kompania Ford Motor Company në SHBA, e cila në vitin 1914 ua shkurtoi orarin e punës ditore punëtorëve të vet.Përkundër të gjitha pritjeve Fordi përmes këtij hapi mundi ta rrisë produktivitetin, gjë që u dha shkas firmave të tjera të ndjekin të njëjtin shembull. Në Gjermani disa firma, ndër to Bosch dhe Bayer, qysh në fillim të shekullit të 20 aplikuan ditën tetë orëshe të punës. Me fundin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 ky rregull u përcaktua me ligj në Gjermani – ndonëse e shtuna mbeti edhe për disa dekada si ditë pune. Në vitet 1970-të për shumicën e të punësuarve u vendos me ligj rregulli i javës me 40 orë pune./dw