Gërxhaliu: ‘Kosova e Re’ me efekte pozitive në ekonomi

0
244

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është vendim i duhur, megjithëse i vonuar. Në një prononcim për Ekonomia Online, Gërxhaliu thekson se në mënyrë që ky projekt ta ketë efektin pozitiv të dëshiruar duhet të bazohet në transparencë dhe në dialog të mirëfilltë publik-privat.

Ai pret vështirësi në implementim dhe sulme nga të ashtuquajturit “patriotë mjedisorë”, pasi preken interesa rajonale.

“Është një projekt i vonuar dhe duhet të kuptohet që në proceset ekonomike në veçanti në shekullin e 21-të, shumë projekte përjetojnë shumë më tepër amortizim moral sesa fizik. Dua të besoj që kontratat janë të përfunduara, dua të besoj që institucionet vendore duhet të jenë më agresive për të promovuar këtë projekt sepse edhe më tutje ekziston dyshimi a është nënshkruar apo nuk është nënshkruar, çka është nënshkruar dhe si është nënshkruar. Prandaj, në qoftëse mendohet qe ky projekt ta ketë efektin pozitiv të dëshiruar duhet të bazohet në transparencë, në dialog të mirëfilltë publik-privat”, theksoi Gërxhaliu.
Krahas prodhimit të mjaftueshëm të energjisë, sipas tij, “Kosova e Re” do të hapë edhe vende të reja të punës.

“Vetë fakti që në një periudhë kohore, posa të kryhen procedurat e tenderimit, do të ketë mundësi të punësimit në forma të ndryshme, thuhet afër 10 mijë veta. Ne si Odë ekonomike kemi apeluar që të shfrytëzohen sa më tepër resurse kosovare që të jenë pjesë e ndërtimit, dhe vetë fakti që po forcohet partneriteti me një kompani amerikane me mjaft reputacion, janë ato që e karakterizojnë këtë projekt. Por mbi të gjitha duhet të kuptohet që do të ketë sfida në implementim”, tha ai.

Gërxhaliu thekson për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”duhet të flitet në mënyrë të argumentuar dhe duhet të gjenden indikatorë ekonomikë që e mbështesin një projekt të tillë.

“Duhet të punohet edhe më tepër në kapacitete alternative të gjenerimit të energjisë elektrike, sepse vërtetë do të jetë e pamundur që me këto 500 megavatë që do të prodhohen në ‘Kosovën e Re’ të përmbushen nevojat, qoftë të ekonomisë qoftë të amvisërisë”, thekson Gërxhaliu.

Marrëveshja komerciale që Qeveria e Kosovës nënshkroi më 20 dhjetor me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” parasheh një investim prej 1.3 miliard euro për të jetësuar njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.

“Contour Global” do të sigurojë kapitalin (30% të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë. Qeveria e Kosovës thekson se ndërtimi i këtij termocentrali i jep pavarësi energjetike Kosovës dhe do ta zvogëlojë varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal. Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re do të zëvendësojë dhe njësitë e vjetra prodhuese të Termocentralit “Kosova A”. /EkonomiaOnline/Telegrafi/