Flet mjeku urolog: Gurët në veshka, komplikimet që japin dhe si mund të luftohen

0
858

Në pjesën dërrmuese të rasteve, gurët në veshka kanë si bazë të formimit të tyre mënyrën e jetesës. Konsumimi i tepruar i kripës nga njëra anë dhe sasia e paktë e ujit që marrim gjatë ditës në anën tjetër, renditen si faktor risku.

Por sipas mjekut urolog, Artan Koni, jeta sedentare dhe mbipesha po ashtu sjellin tejngopje të urinës me kristale. Në intervistën dhënë për gazetën “Panorama”, doktori ndalet edhe në shqetësimet që japin gurët në veshka, komplikimet dhe masat që duhet të ndërmerren për të bërë të mundur parandalimin apo edhe trajtimin në kohë të tyre.

Nga se krijohen gurët në veshka, doktor? Cilët janë faktorët e riskut?

Gurët në veshka krijohen nga çrregullime në përqendrimin e kristaleve të urinës. Normalisht, urina përmban kristale në sasi të vogla. Me rritjen e këtij përqendrimi, urina tejngopet dhe një pjesë e kristaleve nuk arrijnë më të jenë në gjendje të tretshme në urinë, duke precipituar në zona të caktuara të veshkës. Këto precipitate priren të bashkohen me njëri-tjetrin duke formuar atë që ne e quajmë gur në veshka. Ka një pjesë të vogël pacientësh që lindin me çrregullime në sintezën e proteinave, rrjedhimisht formojnë gurë që në mosha shumë të hershme. Por le të flasim vetëm për pjesën më të madhe të popullsisë, ato kategori te të cilat gurët formohen si shkak i mënyrës së jetesës.

Konsumimi i tepruar i kripës është një faktor i rëndësishëm, i cili ka të bëjë në fakt edhe me një mënyrë të ushqyeri që ndryshon në zona të caktuara gjeografike. Zona e Mesdheut, ku edhe ne bëjmë pjesë, e përdor shumë kripën, të cilën mund ta gjejmë kudo, jo vetëm në tavolinë, por edhe në produktet e bulmetit, ushqimet e thata, stikat, patatinat etj., etj. Sasia e ujit që konsumojmë është gjithashtu një faktor risku. Sa më pak ujë të konsumojmë, aq më e përqendruar bëhet urina, rrjedhimisht aq më shumë jemi të prirur për të formuar gurë në veshka. Jeta sedentare luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në formim in e gurëve. Njerëzit të cilët bëjnë një jetë aktive janë më pak të prirur për gurë në veshka. Mbipesha është një problem në rritje në shoqërinë tonë, i cili gjithashtu favorizon formimin e gurëve, për vetë faktin se ushqimi i tepërt sjell tejngopje të urinës me kristale.

A mund të parandalohen?

Gurët në veshka mund të parandalohen. Në pacientë të cilët lindin me një defekt të caktuar dhe nuk prodhojnë dot një proteinë të caktuar (e cila parandalon formimin e gurit), ne mund ta zëvendë- sojmë këtë mungesë me medikamente të ndryshme. Ndërsa në pacientë të cilët gurët formohen si rrjedhojë e faktorëve të riskut që përmendëm më lart, thjesht duke pasur parasysh ato njohuri, pacientët mund të parandalojnë formimin e gurëve. Nuk duhet harruar që njerëz të ndryshëm formojnë gurë për arsye të ndryshme. Gjëja më e rëndësishme është analiza e gurit, me anë të së cilës kuptojmë shkakun e formimit të tij, në një pacient të caktuar. Vetëm duke ditur llojin e gurit mund të jepen këshilla të sakta të parandalimit të gurit. Përndryshe, mbetemi gjithmonë te këshillat e përgjithshme, d.m.th. të konsumojmë shumë lëngje, të mos e teprojmë me kripën, të bëjmë një jetë aktive, të kemi kujdes mbipeshën etj.

Cilat janë disa nga shqetësimet që sjellin gurët?

Shqetësimet që sjellin gurët ndryshojnë nga madhësia e gurit, nga pozicioni i tij në traktin urinar, nga anatomia e pacientit etj. Mos harrojmë që një pjesë e pacientëve nuk kanë asnjë ankesë, dhe ky është grupi më i vështirë i pacientëve. Duke mos pasur shqetësime, ata nuk vizitohen, kalojnë vite dhe gurët rriten gradualisht. Dhimbja lumbare, ose dhimbja në një anë të kurrizit është dhimbja klasike e gurëve në veshka. Është një dhimbje jo konstante, e cila e rrit dhe e ul amplitudën me kalimin e orëve. Kjo dhimbje ndonjëherë bëhet aq e fortë saqë pacientët drejtohen në urgjencat spitalore. Dhimbja zakonisht shoqërohet me nauzea e të vjella. Gjaku në urinë mund të jetë një tjetër tregues i gurëve në veshka. Në të gjitha këto raste, gurët duhen trajtuar pa humbur kohë.

A ka risk për komplikime?

Gurët e patrajtuar mund të sjellin probleme serioze shëndetësore, duke dëmtuar gradualisht funksionimin normal të veshkës. Gurët të cilët bllokojnë kanalet urinare mund të shkaktojnë infeksione të rënda dhe të vështira për t’u kuruar. Gjithashtu, moszbrazja normale e veshkave mund të sjellë çrregullime të parametrave të gjakut, si pasojë e rritjes së toksinave të grumbulluara në gjak.

Cilat janë metodat e trajtimit, pra si luftohen gurët në veshka? Çfarë ka ndryshuar?

Metoda e trajtimit të një guri varet nga madhësia dhe pozicioni i tij. Ka një larmi metodash, duke nisur nga medikamentet që ndihmojnë në daljen e gurëve e deri te metodat e ndryshme kirurgjikale. ESËL quhet metoda e bombardimit të gurëve me valë zanore, e cila preferohet për gurët të cilët janë brenda veshkës dhe që janë më të vegjël se 1 cm. Për gurë më të mëdhenj, apo të cilët ndodhen jashtë veshkës, efektiviteti i kësaj teknike bie ndjeshëm. Me përparimin edhe të teknologjisë, metodat kirurgjikale kanë ndryshuar shumë këto vitet e fundit. Nga koha le të themi para 30 vjetësh kur çdo ndërhyrje bëhej me operacione të hapura, kemi ardhur në ditët e sotme ku pothuaj të gjithë gurët zgjidhen me metodat e mbyllura kirurgjikale. Për fat të keq, në Shqipëri akoma vazhdojnë të kryhen operacione të hapura për gurët në veshka, kjo për mungesë të aparaturave moderne në shumë spitale, për mungesë të personelit mjekësor në vite, por mendoj se arsyeja kryesore është sensibilizimi relativisht i paktë që kanë shqiptarët për këto trajtime, krahasuar me vendet e tjera. Akoma shikojmë shumë pacientë që i dëgjojnë për herë të parë operacionet e mbyllura për gurët në veshka, apo pacientë të cilët pyesin p.sh: “A nuk është më mirë të bëhet operacion i hapur?”. Për ta përmbledhur, mund të them se URS, RIRS dhe PCNL janë 3 metodat kirurgjikale kryesore me të cilat gurët në traktin urinar kurohen pa pasur nevojën e operacioneve të hapura.

A ekziston risku i riformimit?

Po, risku për riformimin e gurëve ekziston përherë. Një njeri i cili ka formuar 1 herë gurë në veshka, ka 2 herë më shumë mundësi se popullsia për të riformuar gurë në veshka. Ky risk është më i lartë te njerëzit të cilët nuk kanë parasysh këshillat parandaluese.

Si mund të shmanget kjo?

Riformimi i gurëve në veshka nuk mund të shmanget te të gjithë pacientët, sepse ka shumë faktorë që ndikojnë në formimin e gurëve. Por duke pasur parasysh këshillat parandaluese, ne mund të evitojmë një pjesë të madhe të riformimit të gurëve. Mënyra më e drejtë për të shmangur riformimin e një guri vendoset pasi të jetë bërë analiza e gurit. Vetëm duke ditur përbërjen e një guri, mund të jepen këshilla të sakta për një pacient të caktuar. Siç e përmenda dhe më lart, përndryshe, mbetemi përherë te këshillat e përgjithshme.

Dieta ushqimore, sa e rëndësishme është?

Dieta ushqimore është një faktor shumë i rëndësishëm. Në fakt, mënyra e të ushqyerit është më shumë traditë ose trashëgimi kulturore, kombëtare, gjeopolitike etj. Ne ushqehemi pak a shumë siç ushqehen vendet e tjera mesdhetare, prandaj edhe gurët në zonën e Mesdheut janë të shpeshtë. Ne ushqehemi pak a shumë siç jemi mësuar nga të parët tanë, kemi ushqimet tona tradicionale, na kanë mësuar të përdorim shumë kripën, rrjedhimisht ne e përdorim shumë, kemi parë që të parët tanë përdornin shumë produktet e bulmetit, turshitë, mishin e kuq etj., edhe ne vazhdojmë gjithashtu me këtë mënyrë. Këto janë disa nga arsyet pse gurët në veshka janë edhe më të shpeshtë.