Flasin nga Gjykata Speciale: Këto janë masat e “hekurta” për mbrojtjen e dëshmitarëve

0
221
Sa janë të rrezikuar dëshmitaret eventualë të Gjykatës Speciale? Cilat janë masat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e tyre? A mund të vije deri të më e keqja, vrasja e tyre?

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka kërkuar më shumë informacione rreth kësaj çështje.Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, nga Gjykata Speciale kanë thënë se në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashihet mbrojtja e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve është ngritur një zyrë e posaçme për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme dëshmitarëve që mund të jenë të rrezikuar për shkak të dëshmisë së tyre, madje edhe personave që mund të jenë të rrezikuar prej dëshmisë së dhënë nga dëshmitarët. Ndër masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve përfshihen masa dhe marrëveshje sigurie që parashikohen në legjislacionin e Kosovës, mbajtja e seancave gjyqësore in camera me dyer të mbyllura ose private, dhënia e dëshmisë nëpërmjet mjeteve elektronike ose mjeteve të tjera të posaçme dhe mbrojtja e identitetit”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Ndërsa, sa e përket masave mbrojtëse në përgjigje thuhet se do të trajtohen me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave

“Gjithashtu, në Ligj kërkohet shprehimisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës të garantojnë mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, ndër të cilët viktimat e dhunës seksuale dhe gjinore dhe fëmijët. Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës dhe të tjera. Kjo temë trajtohet me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Po ashtu edhe Prokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman është zotuar të martën se do të bëjë gjithçka që është e mundshme që të mbrojë dëshmitarët.

“Do të bëjmë gjithçka është e mundur që të provojmë dhe t’u japim atyre rehatinë dhe mbrojtjen që u nevojitet për të marrë pjesë”, ka thënë gjatë ditës së marte Prokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman.