Fjala përshëndetëse në ceremoninë e përurimit të monomentit të Azem Hajdarit në qytetin e Bajram Currit

0
447

Në pamundësi të jem bashkë me ju, në këtë ceremoni historike, ku po bëhet përurimi i Memorialit të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari në qytetin e bukur Bajram Curr në Malësi të Gjakovës, ju përshëndes të gjithë ju përzemërsisht:

-Besnik Dushaj, Kryetar i Bashkisë së Tropojës,
-Lulzim Basha, kryetar i Partis Demokratike,
-Profesor dr. Sali Berisha, ish President dhe ish Kryeministër i Shqipërisë,
-Leka II, Ptrinci i shqiptarëve,
-Familja e nderuar e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari,
– Pjesëmarrësit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe shtetet e Europës.

Sot kur po përurojmë Memorialin e Azem Hajdarit në Bajram Curr, në vendlindjen e tij, me plot krenari përkujtojmë dhe do ta kujtojmë veprën e madhe kombëtare që ai na la neve dhe breznive që do të vijnë.

Ne, të gjithëve në Tropojë, na lidhin shumë ngjarje të përbashkëta historike kombëtare, si patriotizmi, atdhedashuria, kultura dhe tradita. Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe privilegj, pasi origjina ime është nga Geghyseni i Malësisë së Gjakovës, t› i them pak fjalë për këtë figurë të madhe të historisë sonë kombëtare.
Tropoja i ka dhënë shumë historisë sonë kombëtare për Flamurin dhe kufijtë etnikë, për lirinë dhe demokracinë, me pjesëmarrjen e saj në kuvende të ndryshme dhe në kryengritje të shumta. Prijësit e Malësisë së Gjakovës morën pjesë në luftëra dhe në Lidhjen e Prizrenit me Binak Alinë, Ali Ibrën, Mic Sokolin, Shaban Binakun, Avdullah Hoxhën dhe në Lidhjen e Pejës me prijsin e saj Haxhi Zekën të Malësisë së Gjakovës. Patriotët e kësaj ane ishin kudo në kryengritjet e Pavarësisë së Shipërisë me prijësin legjendar Bajram Currin.

Azem Hajdari në vitet e 90-ta, po nga kjo trevë, u bë simbol i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit për liri dhe demokraci, bashkë me Dr. Sali Berishën, ku u shemb diktatura më e egër që kishte sunduar Shqipërinë ndonjëherë në histori.

Më 2008, së bashku me Musli Mulosmanajn, tash i ndjerë, dajën tim, Rrustem Gecin, dhe me disa të tjerë nga Kosova, erdhëm për një vizitë në Tropojë, të shoqëruar nga miku ynë, Rasim Hasanaj-vëllai i heroit të demokracisë, Azem Hajdari, i cili na ka lidhur edhe më shumë me Malësinë e Gjakovës, me ngjarjet e mëdha kombëtare, me kulturën dhe bukuritë natyrore të saj. Me këtë rast patëm vizituar edhe Kullën e Binak Alisë, të cilën e kam pasur ëndërr dhe kullën e Mic Sokolit, sikurse edhe disa vende të tjera të kësaj pjese të Shipërisë së bukur. Kjo ishte vizita e parë e ime në këtë anë të Shqipërisë, në Malësinë e Gjakovës.

Në takimin që patëm me ish deputetin, sot kryetar i Bashkisë së Tropojës z. Bisnik Dushaj, dhe udhëheqjen tjetër në Bajram Curr, na u prezentua maketa e Sheshit të sotëm të “Azem Hajdarit”, dhe në atë moment me Rrustem Gecin, morëm vendim që ta ndihmojmë ngritjen e Shtatores në këtë Shesh të bukur me të njëjtin emër, në Bajram Curr.

Ne vitin 2015 u mblodhëm në Amerikë me Besnik Dushajn dhe Rasim Hasanajn në restorantin e Sabit Bytyçit, i cili ka prejardhje nga Tropoja, dhe vendosëm bashkarisht për të mbështetur financimin e Momerialit të Azem Hajdarit, duke motivuar dhe duke shtuar numrin e kontribuesve të shqiptarëve nga të dy anët e Atlantikut, nga shtetet e trevat e kombit tonë, nga individët e institucionet, derisa mbrrimë sot ta përurojmë këtë vepër me krenari dhe dinjitet, këtu në «Bajram Curr», në zemër të Tropojës. Kjo shtatore do të jetë pjesë e historisë, kulturës dhe peligrinazhit turistik në Malësinë e Gjakovës, dhe ajo që është më e rëndësishmja, do të jetë frymëzim për breznitë e ardhshme.

Ju shpreh falenderimin tim nga New Yorku, të gjithë ju që jeni të pranishëm në këtë ceremoni dhe gjithë diasporës shqiptare në Amerikë dhe në Europë, që sot nuk janë prezent, por e di se me mendje e zemër janë në këtë ngjarje historike, ku po përurohet monumenti i Azem Hajdarit. Kjo shtatore e ngritur në Bajram Curr do të jetë dëshmi, vlerë dhe inspirim për breznitë e ardhshme, ku liria dhe demokracia për një populli s› ka alternativë.

Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë popullin amerikan!
Ju faleminderit,
Harry Bajraktari,
New York, 2017