Fillojnë përçarjet PDK-AAK për Demarkacionin

0
179

“Përçarjet brenda koalicionit nuk vërehen, në rast se merret në kontekstin PAN+ARK, këtë përçarje do ta vërenim më shumë në relacionin PDK – AAK, që në fakt janë substrat i PAN+A. Fillimisht nuk dihet cilin version do ta mbështes i pari i qeverisë. Dilema është çka do të del para deputetëve?! Pastaj varësisht nga kjo, do te qartësohet pozicioni i qeverisjes Haradinaj”, ka theksuar analisti Ilir Dugolli.

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është çështja “problematike” e Kosovës që edhe qeveria e kaluar, e tashmë edhe qeveria aktuale nuk janë duke gjetur një zgjidhje.

Komisioni Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka prezantuar gjetjet të hënën, mirëpo Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar me një qëndrim unik në lidhje me këto gjetje.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij janë në favor të gjetjeve të Komisionit të cilat me vetë faktin që konstatojnë parregullsi, në një apo formë tjetër nxisin deputetët që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mbështetë ratifikimin e Demarkacionit sipas Marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se këto gjetjet e komisionit vetëm sa e kanë komplikuar situatën dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.