Edhe ky vit pa Ushtri të Kosovës!

0
248

Por, nga partnerët e Kosovës u ripërsërit kërkesa që Ushtria të formohet me ndryshimet kushtetuese, të cilat në këtë kohë është e vështirë të ndodhin pasi serbët janë kategorikë kundër transformimit të FSK-së.

Përkundër deklaratave të presidentit Thaçi se gjatë këtij viti Kosova ta ketë Ushtrinë, një gjë e tillë duket se tani është e pamundur.

Zyra për informim e qeverisë së Kosovës kishte deklaruar ditë më parë se nuk kanë ndonjë plan kohor për transformimin e FSK-së.

“Qeveria e Kosovës po punon intensivisht që transformimi i FSK në Forcat e Armatosura të jetë një hap i përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por nuk është i ndërlidhur me datë të kufizuar”, kishte bërë e ditur nga Halil Matoshi, drejtor i zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës.

Për dallim nga qeveria, të gatshëm për formimin e Ushtrisë janë shprehur nga Komisioni për Mbikëqyrjen e FSK-së.

Haxhi Shala kryetar i këtij komisioni ka thënë të premten për lajmi.net se në momentin që ndryshimet kushtetuese procedohen, ata janë të gatshëm ta kryejnë punën.

“Në momentin që qeveria e procedon ligjin për Ushtrinë ose ndryshimet kushtetuese ne si komision jemi të gatshëm menjëherë ti qasemi punës dhe ta kryejmë punën tonë si komision”, ka thënë Shala.

Ai ka propozuar që Ushtria të krijohet me ndryshimet kushtetuese, por nëse një gjë e tillë nuk ndodhë atëherë do të duhet që FSK-së t’i rriten kompetencat.

“Më së miri do të ishte me ndryshime kushtetuese, por nëse nuk ndodhin nuk pajtohet Lista Serbe mund të shkohet me fazën B, që me anë të ligjit të jepen kompetenca shtesë Forcës dhe Sigurisë së Kosovës”, deklaroi Haxhi Shala.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes dhe anëtari i po këtij komisioni, Rexhep Selimi po thotë se Lista Serbe nuk do ta mbështesë formimin e Ushtrisë.

Selimi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se në këto rrethana nuk duhet pritur serbët, pasi ata marrin direktiva nga Beogradi.

“Nuk ishte dashtë me prit në këto rrethana, që  Serbia do t’iu thotë Listës Serbe që ta mbështesin themelimin e Ushtrisë. Kjo për shkak  të qëndrimeve zyrtare të Beogradit dhe për shkak të qëndrimeve zyrtare drejtpërdrejt të Listës Serbe. Kështu që, me këtë klimë nuk pres që Lista Serbe ta mbështesë themelimin e Ushtrisë”, ka thënë Selimi për lajmi.net.

E zyrtarë nga Lista Serbe vazhdimisht po e ripërsëritin qëndrimin e vota e tyre është kundër formimit të Ushtrisë.

Igor Simiq zëdhënës i kësaj partie ditë më parë kishte thënë se Kosovës nuk i duhet një ushtri, por zhvillim ekonomik dhe vende pune.

“Ne thellësisht besojmë se nuk ka kurrfarë nevoje për formimin e çfarëdo force të armatosur tjetër në këto hapësira dhe çfarëdo formimi nuk do ta marrë mbështetjen e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës”, kishte thënë Simiq.

E optimist për këtë çështje ishte shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në një intervistë për lajmi.net ai kishte thënë se gjatë vitit 2018 “do të ketë zhvillime të rëndësishme për krijimin e Ushtrisë”.

Një nga zotimet kryesore të kryeministrit Haradinaj gjatë fushatës dhe pas formimit të qeverisë ka qenë pikërisht edhe formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ai është zotuar se një gjë e tillë do të ndodhë në partneritet me shtetet mike të Kosovës dhe NATO-n. /Lajmi.net/