‘Dridhet’ Kosova, Gjykata Speciale nis punën e saj – Kush janë personat?

0
372

Në vizitën e saj të parë në Kosovës, kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova zgjodhi që ta paraqesë në mënyrë më të detajuar para përfaqësuesve të shoqërisë civile atë se çfarë do të bëjnë Dhomat e Specializuara. Ajo hodhi poshtë secilin raportim për muajt se kur mund të ngritën aktakuzat e para dhe bëri të ditur se ende nuk ka aktakuza, e as që dihet se kur mund të ngrihen ato, raporton Gazeta Express.
Trendafilova, e cila e prezantoi veten dhe punën që e kishte bërë gjatë karrierës së saj, e bëri të qartë se kush do të jenë ata që do të hetohen, do të ndiqen dhe gjykohen.

“Nuk do të hetojmë organizata, por vetëm individë”, sqaroi ajo, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke sqaruar punën e Dhomave të Specializuara dhe atë se çfarë bën Zyra e Prokurorit, institucione këto të ndara nga njëri-tjetri, Trendafilova, para mediave tha se janë tërësisht funksionalë për ta nisur punën, por vetëm atëherë kur këtë ta thotë Prokurori.

Gjatë bashkëbisedimit me shoqërinë civile, ajo tha se dëshmitë do të mblidhen nga hetuesit vendorë, nga agjencitë dhe nga institucionet ndërkombëtare, në veçanti duke iu referuar dëshmive që janë mbledhur nga Tribunali i Hagës, EULEXI dhe nga mekanizmat e UNMIK-ut.

Duke folur për përbërjen e kësaj gjykate, Trendafilova u zotua se ky institucion nuk do të lejojë që të ndikohet politikisht.

Sa i përket dëshmitarëve në këtë proces dhe rrezikut që të njëjtëve mund t’u kanoset nga dëshmia e tyre, kryetarja e Speciales theksoi se në çdo rast kur dikush do t’i kërcënojë dëshmitarët ose të krijojë probleme për ndonjë prej tyre, prokurori është i obliguar të nisë hetime për këtë çështje, raporton Express.

“Kushdo që do t’i kërcënojë dëshmitarët ose të krijojë probleme për dëshmitarin, prokurori është i obliguar të nisë menjëherë hetimet për këtë”, tha ajo.

Në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile u bënë shumë pyetje për t’u informuar më shumë rreth asaj se çfarë do të bëjë saktësisht kjo gjykatë. Një pyetje e gazetarëve, së cilës Trendafilova nuk iu përgjigj ishte ajo se a do të jenë ata që do të gjykohen vetëm të nacionalitetit shqiptar, apo do të ketë edhe të nacionalitete tjera./GazetaExpress/