Dosjet që zbulojnë vrasjet politike në Kosovë

0
459
Mos zbardhja e vrasjeve politike të pasluftës, po vazhdon të nxis reagime nga persona të ndryshëm duke përfshirë këtu edhe krerë të institucioneve të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj, është i fundit nga krerët e shtetit, që iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë, për zbardhjen e vrasjeve politike. Menjëherë pas thirrjes së Haradinajt, ka reaguar aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, i cili ka thënë se për vrasjet politike, dinë më së miri Kryeministri dhe Presidenti Thaçi.

Viti 2001 do të ishte gati fatal për aktivistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Fetah Rudi. Një tentim-atentat nga njerëz ende të panjohur do të bëhej ndaj tij dhe do ta linte përjetësisht në karrocë.

Si një nga personat që ka pësuar nga sulmet me motive politike, z. Fetah Rudi, është ndier i prekur nga një ftesë e Kryeministrit Ramush Haradinaj, për zbardhjen e vrasjeve politike. Për këtë arsye, ai ka shkruar një status në Facebook duke ftuar Kryeministrin, Presidentin, Kryeparlamentarin që të flasin për këto vrasje.

“Presidenti më herët e kryeministri dje, kërkojnë që të zbulohen vrasjet politike. Shumë lehtë është të zbulohen vrasjet dhe atentatet gjatë e pas luftë. Vetëm bëhuni burra ti Kryeministër, Presidenti, Kryeparlamentari dhe komandantët që i keni në Qeveri dhe në Parlament e i tregoni të gjitha, se ju i dini. Më këtë e lironi veten, familjet e te vrarëve pushojnë më lehtë dhe Kosova merr rrugën e mbare të zhvillimit si shtet”, ka shkruar Rudi.

Zogaj flet për heshtjen e krerëve të shtetit

Kjo deklaratë e z. Rudi, siç duket ka zgjuar opinione dhe kërshëri tek njohësit e çështjeve politike dhe tek qytetarët e Kosovës pasi dihet se ishte vet z. Rudi ai i cili ra pre e bandës kriminale duke mbetur kështu i palëvizshëm, nga atentati që i ishte bërë, menjëherë pas luftës.

Analist politik Skender Zogaj duke folur rreth deklaratës së z. Fetah Rudi ish aktivistit të LDK-së, ka thënë se mos zbardhja me dekada e vrasjeve politike ka për qëllim zvarritjen sa më të gjatë të çështjes më të rëndësishme për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit.

“As pas 18 vitesh në liri, një dekadë e shpallur si i pavarur Kosova nuk është  gati. Dhe le të dihet mirë, se e këtillë Kosova ka për të mbetur deri në 105 vjetorin e pavarësisë,  nëse veç nuk tregon se kush ia ka vra bijtë dhe bijat më të devotshme dhe kush e ka lënë përjetësisht në karrocën e invalidit Fetah Rudin, njërin nga demokratët më të pastër të Llapushës dhe të gjithë Kosovës. Fetah Rudi me të drejtë ka kërkuar «burrëri» nga udhëheqësit më të lartë të vendit, sepse nëse ata do të dëshironin sinqerisht të angazhohen, vrasjet politike zgjidhen për 100 ditë”, ka thënë Zogaj.

Ai ka theksuar, se udhëheqësit tanë të lartë nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, sepse, nuk u leverdisën që t’u dalin zot të vdekurve e të armiqësohen me kriminelët e gjallët, të cilët e kanë ndërruar qimen, por vesin nuk e kanë harruar!.

“Është për t’u përgëzuar kërkesa e Kryeministrit Haradinaj, drejtuar Prokurorisë për zbardhjen e vrasjeve politike. Unë dua të shpresoj se, krahas kërkesës Kryeministri do të insistojë që të kërkojë në vazhdimësi nga Prokuroria raporte konkrete dhe përgjegjësi që Prokuroria ta kryej punën”, ka thënë Zogaj.