Dështon premtimi i Haradinajt për liberalizim të vizave brenda tre muajve

0
238

“Thjesht ne do ta kërkojmë një interpelancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku do ta ftojmë kryeministrin e vendit që të na informojë në detaje për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe deri ku ka arritur situata në përgjithësi me përmbushjen e kritereve që ndërlidhet me liberalizimin e  vizave”, ka thënë Deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Kryeministri Haradinaj mbanë përgjegjësi politike dhe institucionale, nëse qytetarët e shtetit të Kosovës deri në fund të vitit nuk mund të udhëtojnë pa viza nëpër shtetet e Bashkimit Evropian.

Kjo për faktin se gjatë fushatës elektorale, Haradinaj premtonte se me ardhjen e tij në pushtet, Kosova brenda tre muajve do të ketë liberalizimin e vizave.

Por, njohës të çështjeve politike dhe integrimeve evropiane thonë se vendi nuk mund të ketë liberalizim të vizave, nëse qeveria nuk i jep një epilog çështjes së demarkacionit që është kushti kryesor i Brukselit.

Nga ana tjetër, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës paralajmërojnë  se ata shumë shpejt do të thërrasin në interpelancë kryeministrin Haradinaj për të raportuar para ligjvënësve për mos përmbushje të premtimit për liberalizim të vizave.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova thotë se është e pamundur që liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet brenda këtij viti, ashtu siç premtonte i pari i qeverisë.