Demarkacioni, po bëhet dardhë me bisht trishtues!

0
214

Koalicioni qeverisës i përbërë nga AAK-PDK-NISMA dhe të tjerë ka shpërfaqur kontradiktat e tyre sa i përket marrëveshjes për demarkacionin pasi që zyrtarë të PDK-së kanë paralajmëruar se do ta mbështesin versionin e Murat Mehës për demarkacionin.

Pas këtyre deklarimeve edhe njëherë vihet në mëdyshje raporti i koalicionit qeverisës kësaj radhe në marrëveshjen për demarkacionin.

Analisti Skender Zogaj për InfoPress ka thënë se Kosova është bërë “livadh i shkretë i kuajve të verbët!” të cilët nuk e kanë as më të voglën ide se përse janë aty.

“Demarkacioni po bëhet dardhë me bisht trishtues, kërcënues për t’ia zënë frymën Kosovës, sepse kriza e thellë në të cilën jemi, po vjen duke u rëndur edhe më shumë dhe, as dreqi më nuk po mundet ta merr vesh se nga po na vjen gjithë ky mallkim. Kosova po bëhet daulle e shqyer, gjithnjë e më e padenjë për ta gëzuar realizimin e ëndrrës së lirisë, edhe pas daljes nga robëria shekullore. Kosova nuk po mund të vetëqeveriset, sepse është mbërthyer korrupsioni që ia kanë instaluar strukturat e krimit të organizuar, të cilat po ia zhvatin pasurinë dhe po ia ngufasin lirinë vendit dhe popullit të vet. Kosova është bërë “livadh i shkretë i kuajve të verbët!” të cilët nuk e kanë as më të voglën ide se përse janë aty”, ka thënë Zogaj.

Tutje Zogaj ka shtuar se Qeveria do të mbajë anën e komisionit të Bulliqit, gjetjet e të cilit do ti paraqes edhe në Kuvend.

“Demarkacioni është e keqja e radhës që nxori në shesh injorancën e klasës politike të Kosovës, e cila në mënyrën më te keqe iu ka qasur problemit më të rëndësishëm për fatin e vendit dhe të popullit. Mbledhja e Qeverise tregoi se demarkacioni është bërë bifurkacion i dy anëve të ndryshme dhe se, pasojat janë të paevitueshme! PDK-ja e ka thënë hapur se do të mbështes versionin e komisionit të Mehës, ndërkohë që Qeveria mbanë anën e komisionit të Bulliqit, gjetjet e të cilit do t’ia bashkëngjisë marrëveshjes që do të shkojë në Kuvend. Është një çast tepër i ndjeshëm, por edhe shumë i rrezikshëm, sepse, pas vendimit të Kuvendit, gjithçka ka për të qenë ndryshe, më e nxehtë gjithsesi!”, ka thënë Zogaj .

Ndërsa, Blerim Burjani për InfoPress ka thënë se PDK është e izoluar në shumë çështje përfshirë edhe demarkacionin, andaj ai e quan këtë koalicion edhe si jo bashkëpunues.

“Zgjidhja për demarkacion është duke ka shkuar në “rrugë qorre”, demarkacioni i nënshkruar me Malin e Zi është një opsion real dhe i vetmi i pranueshëm për Malin e Zi dhe bashkësinë ndërkombëtare, përderisa aventura këtë teme ka ndodhë me një komision tjetër të formuar nga kjo qeveri aktuale që udhëheqin partitë e vogla pa PDK, pra PDK është e izoluar nga ndikimi në disa tema e njëra nga këto është demarkacioni. Nuk ka bashkëpunim në këtë koalicion për këtë teme, dhe kjo ka sjelle ndarje të rrugëve të qeverisjes, nuk po shoh se kjo qeveri kështu e udhëhequr nga entuziast dhe merakli për poste mund te zgjidhin probleme të mëdha, me fjalë popullore “s’kanë kaçik”, po fjalë kanë si lloje pleqëri për disa tema”, shtoi Burjani.

Po ashtu Burjani komisionin e formuar e quajti të kotë, duke ua rikujtuar shumën prej 49 mijë euro të shkuara kotë dhe se prurjet e këtij komisioni nuk do të jenë të pranueshme për BE-në dhe SHBA-në.

“Demarkacioni mbetet temë e rendë dhe e pakapërcyeshme, përderisa komisioni i formuar për çështje studimore dhe kote shëtit livadheve, shtetit i kanë kushtuar 49 mijë euro kot. Ky komision mund të sjell çfarëdo versioni, por asnjëherë të pranueshme për BE-në dhe SHBA-në, që e konsiderojnë këtë temë të mbyllur plotësisht. Pozitive do të ishte që të dyja raportet, edhe marrëveshja e parë e bërë nga ish qeveria dhe raporti i dytë nga komision që i ka zhvatur partë publike”, ka thënë Burjani për InfoPress.