Demarkacioni kusht për vizat, Mazrreku tregon si dhe kur mund të ndodh liberalizimi

0
895

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është lidhur vazhdimisht me liberalizimin e vizave, si një kusht që duhet plotësuar.

Por, sipas profesorit Avni Mazrreku, edhe po të ratifikohet kjo marrëveshje, Kosova nuk do të fitojë liberalizimin, pasi janë më shumë procedura dhe se nuk mund të arrihet në një përfundim të tillë.

“Mendoj se janë dy çështje që duhet të jenë të qarta sa i përket demarkacionit. E para, BE asnjëherë nuk ka thënë se në momentin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit, Kosova do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave, por zyrtarët e BE-së kanë përdorur një gjuhë të kujdesshme duke thënë se do të zhbllokohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nënkupton se vendimin final nuk mund ta prejudikojë askush, asnjë zyrtar i BE-së. Prandaj çështja e demarkacionit nuk e vendos Kosovën automatikisht në pozitën që i liberalizohen vizat. Vlen të përmendet këtu edhe një element që po ashtu institucionet e Kosovës, ministria e integrimeve nuk ka njohje të mjaftueshme për këtë temë. Kur komisioni evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën në ministrinë e integrimeve është festuar se Kosova ka fituar regjimin e lirë të vizave dhe qytetarët kanë menduar se brenda një jave do ta realizojnë këtë të drejtë”, ka deklaruar ai në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Sipas Mazrrekut, duhet ndërruar strategjia për të ardhur deri tek liberalizimi dhe se vendimin final e merr këshilli i BE-së.

“Komisioni evropian është vetëm një stad në procesin e marrjes së vendimit final dhe tani ne jemi në stadin ku çështja e liberalizimit të vizave trajtohet nga ana e parlamentit evropian. Dhe vetëm pas zhbllokimit të këtij procesi, vazhdon procedura për marrjen e vendimit final. E vendimin final e merr këshilli i BE-së. Pra, pasi të kryhen procedurat në PE, shkon te këshilli i BE-së dhe vendimin final nuk mund ta prejudikojmë se si do të jetë. Ka pasur qasje të gabuar, sa i përket institucioneve të Kosovës që t’i përmbushin ato kritere teknike sa i përket liberalizimit të vizave. Prandaj në këtë drejtim duhet të ndërrohet strategjia”, është shprehur ai më tutje.

Sa i përket një afati kohor, profesori dhe njohësi i çështjeve për integrime evropiane thotë se afate kohore për liberalizim janë dhënë që nga viti 2010, kur ende nuk kishin filluar negociatat me Komisionin Evropian, por që tregon se kur të jepet vendimi politik nga ana e këshillit të BE-së për heqje të vizave, ai vendim hyn në fuqi pas 3 muajsh.

“Nuk jam ithtar i asaj që të flas për vite, kam folur për këtë temë që nga viti 2009. Në vitin 2010 është folur për një periudhë prej 6 muajsh që do të hiqen vizat, atëherë kur Kosova as nuk i ka filluar negociatat me Komisionin Evropian. Nuk jam për të folur për afate, por një afat që mund të flitet është afati pas vendimit politik nga ana e këshillit të BE-së, mund të themi hipotetikisht që vendimi për heqjen e vizave për Kosovën mund të ndodh nesër, atëherë minimuni është 3 muaj kohë që të përgatitet hyrja në fuqi e atij vendimi politik. Mirëpo, për çfarëdo afati tjetër kohor që flasim para marrjes së këtij vendimi, është vështirë e parashikueshme sepse ne nuk e dimë qëndrimin e shteteve për një çështje që ka të bëjë me politikën e jashtme të shteteve, pasi ai vendim mund të ia afektojë lëvizjet e jashtme një shteti. Ministri i brendshëm e sheh nëse liberalizimi i vizave për Kosovën afekton shtetin e tij dhe voton pro ose kundër. Për këtë ministria e jashtme, ajo e integrimeve, zyra e presidentit dhe mekanizmat tjerë të lobojnë në funksion të këtyre temave sepse në fund janë shtetet që votojnë pro ose kundër”, ka thënë Avni Mazrreku për “Bota sot”