“Burgu” brenda Evropës së gjerë!

0
278

Megjithë premtimet e shumta nga qeveritarët për liberalizimin e vizave në vitin 2018, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe shpresa për lëvizje të lirë duket se mbeti për vitin 2019.

Por, derisa presidencën e Bashkimit Evropian do ta marrë Rumania për gjashtë muaj, sa mund të pritet që liberalizimi të ndodhë këtë vit?

Njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se çështja e liberalizimit të vizave ka treguar paaftësinë e udhëheqësve tanë.

Abazi: 15 vjet me gënjeshtara dhe nuk skuqen

“Çështja e liberalizimit të vizave si proces ka ekspozuar plotësisht paaftësinë e udhëheqësve të tanishëm kosovarë, mungesën e plotë të zbatimit dhe funksionimit të ligjit për të përmbushur kriterin kryesor, atë të luftimit të korrupsionit dhe krimit e organizuar që pothuajse është e pamundur sepse kjo i bie që këta që janë në pushtet, praktikisht ta vetburgosin veten dhe familjarët e tyre dhe në të njëjtën kohë ka ekspozuar se sa naiv janë dhe të painformuar disa nga zyrtarët”, është shprehur ai.

Image
Haki Abazi
FOTO GALERI
Abazi thotë se që 15 vite kryeministra, ministra e kryeparlamentarë gënjejnë për vizat dhe nuk skuqen aspak.

“Është krejt joetike sa edhe e pakuptueshme që ministrat e kryeministra dhe kryeparlamentar e gënjejnë publikun që gati 15 vite dhe nuk skuqen fare për këtë gjë përkundrazi në kohën kur duhet të japin llogari marrin fushata për të manipuluar me publikun, ju kërcënohen njerëzve në gjykata dhe vazhdojnë me retorikën e gënjeshtrave:, ka vlerësuar Abazi.

Sa i përket udhëheqjes së BE-së nga Rumania, ai thotë se BE po hyn në fazën e zgjedhjeve, derisa shton se liberalizimi i vizave do të jepte një shpresë joreale për përmirësimin të jetës apo mundësisë për të gjetur punë diku në Evropë.

Liberalizimi i vizave shpresë joreale

“Përveç që Rumania do të ketë udhëheqjen e BE-së gjithashtu BE është duke hyrë në fazën e zgjedhjeve dhe në asnjë mënyrë nuk shoh mundësinë që me këtë strukturë të politikanëve në Kosovë dhe me një proces zgjedhor në BE të ketë liberalizim të vizave. Në mënyrë krejt paradoksale kjo që po ndodhë me liberalizimin në afatshkurtër është shumë pozitive për Kosovën përkundër se mund të jetë shumë e dobishme për individin. Në gjendjen e tanishme politike, sociale dhe ekonomike që është Kosova, liberalizimi i vizave do të jepte një shpresë joreale për përmirësimin të jetës apo mundësisë për të gjetur punë diku në Evropë”, shprehet më tej Haki Abazi për “Bota sot”.

Ai thotë se nuk e kupton se si mund të ketë ende ministri të integrimeve, pas gjithë kësaj afere të gënjeshtrave, derisa kjo ministri e ka luajtur rolin e propagandës dhe manipulimit me qytetarë.

“Krejt kjo është situatë artificiale që do të krijohej dhe do të zvogëlonte energjinë për ndryshim dhe votë që do të përfundonte kapjen e shtetit të Kosovës dhe unë mendoj që pjesë e embargos së pashpallur kundrejt Kosovës dhe lidershipit të saj të korruptuar e kriminal është edhe mosliberalizimi i vizave që qytetarët të kuptojnë që këta që janë në pushtet tani janë edhe ata që kanë sjellë izolimin e vendit. Përfundimisht nuk kuptoj se pas gjithë atyre gënjeshtrave edhe sot kemi ministri të integrimeve evropiane dhe ministër që në vazhdimësi ka luajtur rolin e ministrisë së propagandës dhe manipulimit me qytetarë në favor të udhëheqësve dhe jo në favor të procese integruese dhe avancimit të interesit qytetarë dhe agjendës evropiane”, ka deklaruar Abazi.

Rumania nuk vendos për fatet e Evropës

Image
Rexhep Shahu
FOTO GALERI
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu, ka thënë se beson se qoftë Rumania apo ndonjë shtet tjetër, nuk do ta ketë fuqinë të vendos për fatin e Evropës, derisa shton se do të ishte lehtësi nëse Rumania do ta njihte Kosovën.

“Dua te besoj se edhe pse e ka drejtimin e presidencës së BE-së, Rumania apo çfarëdo lloj shteti si Rumania, nuk kanë fuqinë të vendosin për fatet e Evropës vende si Rumania, edhe pse mund të kenë orekse të bëjnë ndonjë gjë, të marrin ndonjë vendim. Kosova në BE nuk është oreks apo vullnet Rumanie pasi Evropa ka shtyllë kurrizore të veten. Por nga ana tjetër do të ishte lehtësi kozmetike nëse edhe Rumania do ta kishte njohur Kosovën”, është shprehur ai.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën vazhdon të mbetet si ndëshkim kolektiv”

Shahu vlerëson se çështja e liberalizimit të vizave po vazhdon të jetë një ndëshkim ndaj një populli që as prish e as ndreq gjë në Evropë.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën vazhdon të mbetet si ndëshkim kolektiv ndaj një populli, dënim kolektiv ndaj Kosovës dhe kjo fatkeqësi ndodh me një popull të vogël që as e ndreq as e prish Evropën, ndonjë me një popull të vogël që aq sa ka banorë brenda vendit, aq banorë të vet ka edhe nëpër Evropë. Evropa bëhet me shqiptarët më prift se Papa dhe nuk ndëshkon tutorët e shqiptarëve, qeveritë e shqiptarëve por ndëshkon viktimat shqiptare, ndëshkon popullin shqiptar e jo drejtuesit politik të shqiptarëve. Evropa mendon se vet e kanë fajin shqiptarët që zgjedhin qeveri të tilla, por ajo harron se shqiptarët janë marrë peng nga pakicat që blejnë apo vjedhin vota, nga pakicat që kalkulojnë qeverisje”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Gjasat minimale për liberalizim të vizave

Image
Faik Krasniqi
FOTO GALERI
Kurse, analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shanset për liberalizim brenda periudhës kur udhëheq Rumania janë të vogla, e për këtë jep dy arsye.

“Në gjysmën e parë të këtij viti gjasat janë shumë të vogla që Këshilli i Ministrave të votojë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Për dy arsye. E para, Presidencën e BE-së për 6 muajt e ardhshëm e ka Rumania, një shtet që nuk e ka njohur akoma shtetin e Kosovës. Por për çudi shumica e deputetëve rumunë në Parlamentin Evropian votuan pro heqjes së vizave për Kosovën. E dyta, në Maj të këtij viti mbahen zgjedhjet e brendshme në BE. Prandaj, brenda mandatit të Presidencës rumune nuk pres që të votohet pro heqjes së liberalizimit të vizave”, ka vlerësuar ai.

Krasniqi shanse më të mëdha sheh nga korriku, ku udhëheqjen në BE do ta marrë Finlanda

Kushti i Kosovës përmbyllja e dialogut me Serbinë

“Prej 1 Korrik të këtij viti Presidencën e radhës së BE-së e ka Finlanda, dhe atëherë janë gjasat shumë të mëdha që të shtyhet përpara në Këshillin e ministrave votimi për liberalizim të vizave, dhe nëse kjo ndodh atëherë në vjeshtën e këtij viti do të mund të lëvizim lirshëm në zonën Shengen, edhe pse kjo shtyrje shpesh të jep përshtypjen se Kosovës në heshtje i është shtuar edhe një kusht shtesë, e ai kusht është përmbyllja e dialogut me Serbinë, apo më mirë te themi marrëveshja për korrigjim të kufijve që po përkrahet nga shumë shtete që i konsiderojmë miq”, është shprehur Krasniqi.

Si përgjegjës për këtë dështim deri tani, ai e sheh presidentin Thaçi dhe qeverinë Haradinaj, derisa shton se dikush nga qeveria do të duhej të jepte dorëheqje.

“Përgjegjësinë më të madhe për mos liberalizim të vizave ndër vite e mban Hashim Thaçi, sepse prej 2009 na ka gënjyer për heqje të vizave dhe akoma kemi mbetur populli më i izoluar në Evropë, dhe qeveritë tjera në vazhdim. Për dështimin e vizave gjatë 2018 e mban Qeveria Haradinaj, që edhe kjo Qeveri na ka gënjyer me data se kur do të ndodhë një gjë e tillë dhe nuk ndodhi. Dikush nga Qeveria do të duhej të jepte dorëheqje si akt moral për mos liberalizim të vizave, por duke i njohur se si janë dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për fjalën e dhënë, nuk pres që dikush do të marrë përgjegjësi. Këta kurrë nuk e ndiejnë veten përgjegjës për asgjë”, ka përfunduar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.