Arratiset Saimir Tahiri!

0
209

Dyshimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda se ish-ministri i Brendshëm, mund të largohet jashtë shtetit, duket se po faktohen.

Saimir Tahiri ndonëse është nën hetim nga Prokuroria për trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsion, ka udhëtuar ditën e sotme drejt Gjermanisë, vend anëtar i zonës Shengen.

Lajmin e bën të ditur Top Channel, duke iu referuar burimeve konfidenciale.

Sipas TCH  arsyet e udhëtimit drejt Gjermanisë janë familjare, por kjo mbetet për t’u mësuar më vonë.

Udhëtimi i Tahirit jashtë Shqipërisë vjen në një kohë kur ai ka heshtur gjatë për gjetjen e patentave të tij në makinën e Orest Sotës, si dhe për akuzat që i ka ngritur Prokuroria si i implikuar në trafikun e drogës me grupin e Habilajve.

Avokati i deputetit Tahiri, Maks Haxhia, i tha Top Channel se nuk ishte dijeni në këtij udhëtimi.

Avokati Haxhia shtoi se lëvizjet e zotit Tahiri brenda dhe jashtë Shqipërisë janë në kuadrin e një njeriu të lirë, që nuk bëhen për çështje juridike, pra nuk paraqesin detyrimin për të vënë në dijeni prokurorinë.

Ky udhëtim jashtë Shqipërisë i zotit Tahiri vjen pas një heshtje të gjatë publike të ish-ministrit, që mungoi edhe dje në Parlament, ku emri tij ridoli në skenë.
Dalja e fundit politike e ish-ministrit ishte për Top Story, ku mohoi akuzat si person i lidhur me klanin Habilaj.

Por që nga ai moment, zhvillime të reja kanë ndodhur dhe policia ka arrestuar Orest Sotën, të cilit iu gjetën në automjet 863 mijë euro dhe patenta të familjes Tahiri.

Deputeti Tahiri nuk doli kurrë të sqarojë pse patentat e tij ndodheshin në automjetin e një biznesmeni, i cili ndër të tjera kishte bërë rikonstruksionin e komisariatit 6 në Tiranë.

Kjo dalje jashtë Shqipërisë e deputetit Tahiri, ndonëse ligjërisht nuk ka asnjë ndalim, ngre pikëpyetje për motivet.

Disa burime të tjera, shtojnë se arsyet janë familjare. Por deri në daljen e ardhshme përpara mediave të zotit Tahiri, shumë pyetje mbeten pa përgjigje.