Ambasadori Lu nxjerr emrat e 4 politikanëve: Ja peshqit e mëdhenj që do ta hanë

0
294

Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu dhe ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin kanë bërë deklarata në Ministrinë e Brendshme lidhur me operacionin «Forca e Ligjit». Të dy kanë folur për korrupsion dhe luftën kundër krimit.

Fjalën e ka nisur ambasadori Donald Lu i cili kërkoi që të mos mohohet fakti se grupet kriminale kanë lidhje me politikanët. Sipas ambasadorit amerikan, nëse mohohen këto lidhje, duhet të shqyrtohen rastet e katër individëve që ai i përmendi me emra konkretë.

Donald Lu tha:

Ju keni një shprehje “dielli duket që në mëngjes”. Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë se krimi i organizuar shqiptar është problem serioz dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale. Shqipëria ka një problem mes lidhjeve mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Arben Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutajt.

Më tej Lu tha se SHBA do angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me politikanë, biznesmenë, gjyqtarë e prokurorë.

Lu tha:

Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh. Organet e drejtësisë kanë dështuar deri tani. FBI është këtu për tu angazhuar në luftën kundër krimit”.

Shqipëri, strukturë e posaçme kundër krimit të organizuar

Në Shqipëri u prezanua sot Task Forca kundër organizatave dhe grupeve kriminale, një strukturë e posaçme e cila do të ketë mbështetjen edhe të ekspertëve të huaj, të FBI-së amerikane, e të njësive antikrim të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së madhe.

Me krijimin e Task Forcës, siç u shpreh ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, “i shpallim një luftë multifrontale dhe intensive strukturave të organizatave kriminale e ndaj aseteve të tyre, për ta bërë vendin armiqësor dhe të parehatshëm për këdo që mendon se mund të pasurohet në kurriz të të tjerëve”.

Task Forca është e organizuar në disa nivele. Ajo në nivel strategjik parashikon një strukturë ku do të jenë të përfshirë përfaqësues të disa institucioneve. Ndërkohë është parashikuar një Task Forcë speciale në nivel Qëndror dhe Task Forca në nivel rajonal, të shpërndara në të 12 qarqet e vendit.

Sipas analizës së strukturave kriminale që veprojnë në vend, 53 përqind e grupeve kanë si aktivitet atë të narkotrafikut, 11 përqind trafiqet e paligjshme, 18 përqind krimet e rënda dhe 11 përqind veprojnë në fushën e krimit ekonomik. Për secilën nga këto kategori do të ketë një njësi të posaçme hetimore pranë çdo Task Force speciale.

Të paktën 40 përqind e grupeve shqiptare kanë lidhje me organizata kriminale jashtë vendit. Kjo është dhe një nga arsyet pse në këtë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar do të ketë dhe një njësi të posaçme me ekspertë ndërkombëtarë, nga FBI-ja amerikane, dhe strukturat e antikrimit të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të Task Forcës, ambasadori amerikan Donald Lu, tha se komuniteti ndërkombëtar pret të shohë rezultate të shpejta. “Ne në Amerikë kemi dhe një shprehje “Dreka falas nuk ekziston”. Nëse ne vendosim burimet dhe besueshmërinë tonë, ne presim rezultate, që ky plan agresiv i qeverisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqeve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm dhe ky sukses të vazhdojë gjatë vitit me Gjykatën dhe Prokurorinë speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Byronë kombëtare të Hetimit”.

Ambasadori Lu u shpreh se “Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikës” dhe se ky realitet nuk duhej mohuar. “Ky nuk është problem vetëm i një partie, por një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit”. Ambasadori amerikan konfirmoi dhe një herë se “Shtetet e Bashkuara do të angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve me njerëz të fuqishëm, me prokurorë, gjykatës apo biznesmenë të fuqishëm. Askush nuk ëhstë mbi ligjin, nënvizoi ambasadori Lu i cili duke përmendur shprehjen shqiptare se “Peshku i madh e ha të voglin” tha se “për një herë të vetëm duhet të hamë peshkun e madh”./voa