Alarmi i analistit të CIA-s: Një sulm elektromagnetik nga Kim Jong-uni mund të mbysë 90 për qind të amerikanëve!?

0
496

Koreja e Veriut mund të vriste 90 për qind të amerikanëve përmes urisë, nëse ata godasin energjinë elektrike amerikane me një shpërthim elektromagnetik, pretendon ish-analisti i CIA-s.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është Peter Vincent Pry ai që thotë se një sulm elektromagnetik i Koresë së Veriut (EMP) në SHBA – i cili nuk kërkon saktësinë e një rakete bërthamore – do të bënte kërdi.

Sipas mediAve, ish-strategu bërthamor i CIA-s i tha një nënkomisioni të Sigurisë Kombëtare të Kongresit se kjo mund të shkaktonte uri, sëmundje dhe kolaps shoqëror duke rezultuar me pasoja apokaliptike.

Ai shpjegoi se një raketë EMP nuk ka nevojë të hyjë në atmosferën e Tokës para se të shpërthejë dhe të gjenerojë një impuls elektromagnetik me frekuencë të lartë, që do të dëmtonte një gamë të gjerë të elektronikës.

Në një intervistë për Forbes, ai citohet të ketë thënë: “Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin një popullsi prej 320 milionë njerëzve vetëm për shkak të teknologjisë moderne. Një EMP që zhduk rrjetin elektrik për një vit do të [asgjësonte] infrastrukturën kritike, e nevojshme për të mbështetur një popullsi kaq të madhe”.

Ai tha se brenda tri ditëve nga sulmi, “furnizimi me ushqim në dyqanet ushqimore lokale do të konsumohej dhe furnizimi ushqimor kombëtar 30 ditor në depo rajonale do të fillonte të prishej”.

Si pasojë, Pry, i cili ka punuar si shef i stafit në komisionin e kongresit të EMP, tha se brenda një viti, deri në 90 për qind e amerikanëve mund të “zhdukeshin”.