Alarm serioz për Kosovën!

0
217

“Kosova është shtet i dobët dhe pranë kolapsit”, kështu e vlerëson diplomati austriak Wolfang Petritsch Kosovën, i cili që në vitet 1997-1999 kishte shërbyer si ambasador i Austrisë në Beograd dhe si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën.

Gjithashtu Petrirsch, në nëj intervistë ditë më parë theksoi se Kosova është shumë e dobët krahasuar me Serbinë që është zhvilluar fuqishëm ekonomikisht, por edhe në fusha tjera.

Por, si komentohet kjo deklaratë dhe a duhet të jetë kjo një alarm për Qeverinë e Kosovës?
Zyrtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bajram Gecaj, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë, ka thënë se kjo qeveri duhet të zëvendësohet me ata të cilët prioritet e kanë vendin.

“Ky është një alarm serioz nga një mik i provuar i Kosovës. Duhet qe të gjithë të mendojmë seriozisht se çka do të bëjmë, dhe si të shkojmë tutje. Gjithashtu duhet që edhe elektorati i Kosovës të vendosë gishtin në kokë, e mos të eksperimentoj me fatin e Kosovës. Kjo qeveri nuk do te na sjellë asnjë të mirë, prandaj duhet të shkojë sa më parë, e të zëvendësohet me ata të cilët prioritet e kanë vendin,e jo mirëqenien e tyre personale e grupore”, është shprehur Gecaj.

Qeveria po neglizhon pozicionin e ndërkombëtarëve
Ndërsa politologu Faik Krasniqi është shprehur se rrethanat e kësaj deklarate nuk duhet parë vetëm në kuadër te poltikëbërjes, por edhe si një bashkëpunim të dobët me ndërkombëtarët.

“Pra, është një moment mjaft kritik në të cilin marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtarë, jo vetëm që mund të lëkunden seriozisht, por gjithashtu po komprometohet edhe vetë e ardhmja e shtetësisë së vendit tonë. Tutje, diplomatik austriak tërhoqi vërejtjen edhe për ngecjen ekonomike të Kosovës, një segment ky i cili qëllimisht apo jo, po trajtohet si sekondarë nga ana e skenës politike të Kosovës. Vendi ka nevojë për një mendësi politike ndryshe, e assesi jo për nja qasje e cila po zhvillohet tani. Rrethanat nuk duhet parë vetëm në kuadër të politikbërjes në Kosovë, por duhet trajtuar edhe pozicionin e brishtë ndërkombëtarë të Kosovës, një gjë që qeveria aktuale po e neglizhon”, ka përfunduar Krasniqi.

Kosova “laborator eksperimentesh” nga ndërkombëtarët
Kurse analisti politik Mentor Tahiri, ka thënë për “Bota sot” se Kosovës i nevojitet një klasë e re politike dhe largimi nga politika i gjithë kastës së vjetër.

“Nuk është aspak befasuese deklarata e diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch. Kosova prej fillimit ka qenë një shtet i dështuar, dhe padyshim që bashkëfajtorë është edhe bashkësia ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe shteti i Petritsch. Këtë e kam thënë gjithmonë dhe vazhdimisht në çdo prononcim. Kosova më ngjan me një laborator për eksperimente të fuqive të mëdha, prandaj kemi një klasë politike të tillë, me lloj-lloj gangsteri, mafiozi, hajni, krimineli, banditi, aventurieri e rrugaçi”, ka thënë Tahiri.

Tahiri fajtor e ka bërë edhe bashkësinë ndërkombëtare, që sipas tij nuk është angazhuar për krijimin e një klase politike të shëndoshë.

“Bashkësia Ndërkombëtare kurrë nuk u angazhua për krijimin e klase politike të shëndoshë politike, por vazhdimisht bashkëpunoi dhe vazhdon ta bëjë një gjë të tillë, me ata që e dështuan këtë shtet. BE-ja duke mos liberalizuar vizat për qytetarët e getoizuar të Kosovës, po na tregon qartë se Kosova nuk është shtet, por është një laborator për eksperimentet e tyre djallëzore, që padyshim produkt i këtij eksperimenti janë edhe këta politikanë tanë kriminelë e mafiozë. Nuk mjafton ndërrimi i Qeverisë, sepse edhe gjysma e opozitës repsktivisht LDK-ja, ka qenë gjithmonë në pushtet dhe bashkë me PDK-në janë bashkëfajtore për dështimin e shtetit dhe gjendjen e mjerueshme në Kosovë. Kosovës i nevojitet një klasë e re politike, dhe largimi nga politika e gjithë kastës së vjetër. Këtë gjë mund ta bëj vetëm Bashkësia Ndërkombëtare. Nëse miqtë tanë ndërkombëtarë na duan të mirën, atëherë duhet t’i izolojnë këta politikanë dhe izolimi për ta do të thotë pastrim i skenës politike”, ka përfunduar Tahiri.