A po krijohet një parti e re në Kosovë?

0
208

Pas përçarjeve të fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, në medie është raportuar për çdo takim të anëtarëve të kësaj partie me njëri – tjetrin. Çështja e parë që është ngritur nga të gjitha këto ka qenë se a do të formojnë një parti të re personat që po largohen nga Lëvizja Vetëvendosje? Deri më tani, asnjëri nga të larguarit e Vetëvendosjes nuk ka dhënë një sinjal të tillë.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë të larguarit nga Vetëvendosje, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Sipas analistëve krijimi i një partie të re nuk do të ishte hap pozitiv.

Propozimi i Baraliut
Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se pas rritjes së madhe që përjetoi Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, dikush mendon se është më eksponencial se dikush tjetër.

Baraliu në prononcim për “Bota sot” thotë se kjo është rrugë e ndjekur edhe nga subjektet tjera politike.

“Një subjekt politik, pas rritjes jashtëzakonisht të madhe që pati në zgjedhjet nacionale dhe lokale, tashmë si duket dikush mendon se është më eksponencial se dikush tjetër, dhe kjo tregon se në atë subjekt politik, sikurse edhe në këto të tjerat, asnjëri nuk ka arritur të fuqizojë sa duhet demokracinë e brendshme, që të diskutohen gjërat më kohë dhe në vendin e duhur, që të ketë përfillje të ideve ndryshe dhe koncepteve ndryshe. Për shkak të natyrës dhe efekteve negative të shtrirjes së pakontrolluar të individëve në rrjetet sociale ka dezorientuar disa persona me ndikim dhe kështu kemi një gjendje jo të mirë”, tha Baraliu për “Bota sot”.

Ai ka thënë se të gjithë funksionarët e partisë kanë ruajtura gjakftohtësinë dhe konceptin e Vetëvendosjes dhe nuk kanë shpërthyer në mënyrë të pakontrolluar.

“Lideri i saj dhe gjithë funksionarët e partisë kanë ruajtur gjakftohtësinë edhe vetë ata që janë eksponuar gjatë dhe mes kësaj periudhe kanë ruajtur konceptin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe respektin që kanë pasur dhe kanë për këtë subjekt dhe nuk kanë shpërthyer teje mase, në mënyre irracionale dhe në mënyrë të pakontrolluar, por që është një gjendje e një heshtje para një stuhie”, u shpreh Baraliu.

Duke komentuar krizën në të cilën po kalon Lëvizja Vetëvendosje, Baraliu propozon diskutim demokratik në ato struktura dhe pastaj të dilet me një qëndrim, me mundësi që të ruhet uniteti dhe kohezioni partisë.

“Duhet të ktheheshin të gjithë të pakënaqurit dhe diskutojnë në mënyrë demokratike në ato struktura dhe pastaj të dalin me një qëndrim, me mundësi të ruhet uniteti dhe kohezioni partisë. Vetëvendosje ka edhe shpresë si edhe perspektivë, që është ndoshta alternativa më shpresëdhënëse e këtij populli dhe këtij vendi”, tha Baraliu.

Krejt në fund, Baraliu thekson se ngërçet dhe divergjencat kaq të shprehura nuk i sjellin asgjë të mirë këtij subjekti dhe opinionit publik të Kosovës.

“S’kanë profil të qartë ideologjik”
Ish aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajnishahe Halimi, duke i komentuar ngjarjet e fundit në ish partinë e saj ka thënë se zhvillime të tilla ka pasur gjithnjë përbrenda partisë.

“Zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, thënë të drejtën për mua nuk kanë ngjallur asnjë emocion, asnjë kërshëri, asnjë befasi dhe aq më shumë asnjë habi. Këso zhvillime ka pasur gjithnjë përbrenda saj, vetëm se tash e tri vjet më parë u shpërfaqën grimca-grimca në opinionin e gjerë”, tha Halimi.

Sipas Halimit, dalja publike atëbotë e Fraksion +, ka qenë sinjal i mjaftueshëm për ta kuptuar se çka zihet përbrenda Lëvizjes Vetëvendosjes.

“Dalja publike e disa prej nesh para tri vitesh, ka qenë sinjal i mjaftueshëm për ta kuptuar se çka zien përbrenda Vetëvendosjes. Por, zëri ynë nuk hasi në përkrahjen e mjaftueshme të anëtarësisë së saj, duke u frikësuar nga autoriteti «i pakontestueshëm» i lidershipit të saj”, u shpreh ish anëtarja e Vetëvendosjes.

Ajo thotë se nëse të larguarit formojnë parti të re, s’ka kush u beson, sepse sipas saj, si politikanë nuk kanë profil të qartë ideologjik.

“Disa nga të rebeluarit e sotëm u solidarizuan në heshtje më ne, e disa të tjerë morën pjese aktive në linçimin tonë. Edhe nëse formojnë ndonjë parti të re, kush u beson, sepse si politikanë nuk kanë profil të qartë ideologjik dhe nuk mund të profilizohen sepse veprimet e tyre, përgjatë proceseve nuk tregojnë ndonjë orientim të qartë perëndimor “, përfundoi Ajnishahe Halimi.

“Krijimi i një partie të re nuk do të ishte hap pozitiv”
Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani, për “Bota sot” ka deklaruar se krijimi i një partie të re nuk do të ishte hap pozitiv. Sipas Burjanit, vetëm Shpend Ahmeti mund të këtë elektorat, të tjerët mund të kenë probleme.

“Nuk do të ishte hap pozitiv i tyre për të dhënë kontribut në politik. Prej tyre vetëm Shpend Ahmeti mund të ketë elektorat, të tjerët mund ta kenë këtë probleme. Sidoqoftë, në politika nuk i dihet asnjëherë, varet sa punojnë dhe çfarë koncepti kanë. Me koncept fraksioni të formojnë parti të re nuk mund të sjellin asnjë pozitivitet dhe avancim të tyre dhe mbijetesë politike në skenën politike të vendit.

Ai propozon se të larguarit e Vetëvendosjes duhet të merren vesh për një zgjidhje. Derisa pët themelimin e një partie të re, sipas tij nuk asnjë gjasë të ketë sukses.

”Ata duhet të merren vesh për një zgjidhje, e jo për parti të re, për të cilën mendoj se s’kanë gjasa të ketë ndonjë sukses, sikurse sukseset me Lëvizjen Vetëvendosje. Albin Kurti mbetët njeri nga liderët e vetme të këtij subjekti që gëzon përkrahje në koncept çfarë ka kjo lëvizje anarkiste”, përfundoi Burjani.