Shqiptarët në Kinën e largët, po përjetojnë një ndër situatat më të vështira të jetës së tyre.

0
516

Shkruan: Edison Myrteza

Shqiptarët këtu në Kinën e largët, po përjetojnë një ndër situatat më të vështira të jetës së tyre.

Thjesht e shkurt, “janë në pikë të hallit”, pasi prej kohësh (disa prej tyre edhe gati disa vitesh), po përballen me pamundësinë e rinovimit të pasaportës biometrike.

Ata nuk mund të kthehen dot në Shqipëri për të rinovuar dokumentet përkatëse për shkak të situatës së Covid-19. 

Pamundësia e lëvizjes 

Covid-19 ka mbyllur thuajse çdo shteg për emigrantët shqiptarë këtu në Kinë për t’u kthyer dhe rinovuar pasaportën biometrike. Duke qenë se një numri jo të vogël shqiptarësh u ka skaduar afati i vlefshmërisë së pasaportës dhe lejes së qëndrimit, është e pamundur të lëvizin dhe të dalin jashtë zonës ku ndodhen dhe jetojnë.

Frika e kapjes nga policia, dënimi me gjobë të majme dhe burgosja, janë frika kryesore e shqiptarëve që prej nisjes së pandemisë dy vjet më parë. Policia kineze dhe Zyra e Emigracionit, janë shumë strikte në kërkimin e dokumentacionit dhe nuk duan të marrin parasysh asnjë justifikim, i cili me një dokument të thjeshtë nga qeveria shqiptare dhe ambasada jonë si pjesë e punës rutinë, të mos lejojë asnjë mundësi problemi për emigrantët shqiptarë në Kinë 

Qeveria shqiptare “Asnjë ndihmë” 

“Vrimë në ujë”. Kështu e kanë quajtur shqiptarët deklaratën e dhënë disa muaj më parë nga Ministria e Brendshme shqiptare, e cila deklaroi se “Pekini do të jetë qyteti i parë që do të nisë punën për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave për shqiptarët që jetojnë në Kinë dhe Azi”.

Kjo deklaratë duket sikur i gëzoi në një farë mënyre shqiptarët, por që prej muajit Maj kur u tha dhe deri tani “është luajtur me të gjithë këtu”. Sipas shqiptarëve në Kinë, “kjo deklaratë është bërë sa për të larë gojën se gjoja po mendohet edhe për ne në Kinë”.  

Ambasada e Shqipërisë, tallet me shqiptarët 

Menjëherë pas deklaratës së Ministrisë së Brendshme, kanë mësyrë një numër jo i paktë shqiptarësh pranë Ambasadës Shqiptare këtu në Pekin për të marrë informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm. Arroganca e konsullit të ambasadës dhe përgjigjet e dhëna prej tij, ndaj kërkesave për ndihmë urgjente, “të zyrtarizuara me foto dhe pamje konkrete”, lenë jashtë mase për të dëshiruar.

Konsulli u kërkon shqiptarëve që të kthehen në Shqipëri pa u dhënë asnjë dokument ndihme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportës dhe lejes së qëndrimit. Dhe jo vetëm kaq, por një pjesë e dokumenteve të rëndësishme, merren nga shqiptarët me anë të fotove të dërguara me rrjetet sociale dhe aspak nëpërmjet rrugëve zyrtare siç i takon një ambasade. Konsulli deklaron se “nuk është në dijeni të këtij informacioni” edhe pse media në vend nuk ka lënë ditë pa folur mbi këtë pikë dhe se vetë ai është kontaktuar personalisht nga disa drejtues të Zyrës Konsullore në Tiran.

Madje, konsulli Imeraj shton se “të kërkohet ndihmë direkt nga Tirana për këtë problem madhor dhe jo në Ambasadë”. Nëse shqiptarët në Kinë kontaktojnë direkt me Tiranën, atëherë ambasada për çfarë duhet këtu? 

Institucionet nuk marrin përgjegjësi 

Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme dhe zyrat e Aleat, nuk mbajnë asnjë faj ndaj “katrahurës” dhe “gjendjes së rëndë” ku ndodhen shqiptarët në Kinë. Të tri institucionet, ia hedhin fajin njëra-tjetrës për indiferencë ndaj situatës dhe mos dëshirës për të zgjidhur problemin.

Nëse për aktivitete kulturore, vizita të ndryshme dhe pazare për të mbushur çantat, drejtuesit e këtyre institucioneve janë të parë që vijnë në Kinë, për shqiptarët që e kanë detyrim t’u vijnë në ndihmë bëjnë “qorrin dhe shurdhin”. 

Pamundësia për të rinovuar pasaportën personale në Pekin, ka bërë që shumë shqiptarë që punojnë në Kinë të humbasin punën, pasi pronarët nuk u rinovojnë letrat e qëndrimit.

Janë jo të paktë edhe ata të cilët janë ndarë familjarisht dhe rrezikojnë të ndahen, pasi skadimi i pasaportës i ka detyruar që të kthehen në Shqipëri me biletën deri në 5000 dollarë si çmim vajtje në Shqipëri. Shqiptarët në Kinë janë “në ditë të hallit”, të harruar nga shteti për gjithçka.