Kujt i ndihmon Arjeta Musliu ?

0
208

Zonjën Arjeta Musliu shumica e njohin nga puna e saj si infermiere në shtëpinë e shëndetit, e viteve të fundit edhe nga Qendra Ri-jeta e cila ndihmon me përkrahje trajnimin e të rinjve të varur nga droga.

Qendra Ri-Jeta në Ferizaj,u krijua nga Arjeta, por kjo qendër ishte edhe një dëshirë e djalit të saj të ndjerë, i cili humbi jetën nga droga.

Kur njeriu bart dhembjen e të tjerëve, ai është në kuptimin e plotë të fjalës njeri.

Arjeta bart mbi supe jo vetëm plagët e humbjes së djalit, por në secilin të ri që e ka humbur rrugën e tij, Arjeta e sheh djalin e saj.

» Në kohën kur e kuptova se djali im ishte bërë i varur nga ky helm, fillova të kërkoj shërim nëpër qendra jashtë vendit.

Djali më thoshte » nuk jam i vetmi që gabimisht dola nga rruga që më udhëzoje gjithmonë, jemi plot nënë, jemi shumë të ri që nuk mundemi të ëndërrojmë më» tregon Arjeta me lot në sy.

Të vërteten e kësaj fatkeqësie Arjeta e ka ndjerë në shpirt, e ka parë në lutjen e syve të djalit të saj të vetëm.

Arjeta është psikologe klinike, dhe kur e dëgjon se si e përshkruan jetën e të rinjve të varur nga droga, si dëgjues e ndjenë dridhjen e shpirtit të saj nga kjo frikë, por edhe i sheh ata të ri të helmuar që po jetojnë në një botë porcelani që mund të thyhet shumë shpejt.

Droga nuk është një problem por një mori problemesh.

Një i droguar e traumatizon familjen e tij, bëhet rrezik për një shoqëri.

Këshillat ,konsultat, trajtimet përmes psikoterapisë individuale dhe grupore në qendër, Arjeta i bën falas dhe në mënyrë të besueshme, pra ajo zotohet se nuk i jep emrat e klientëve që kërkojnë ndihmë.

Këshillat jepen me një ton të qetë dhe urtësi të shenjtë, gjithmonë duke i gjetur fjalët e duhura, sepse «ata janë mjaft të lënduar» shprehet Arjeta dhe apelon tek prindërit që mos të sillen keq me fëmijën e vet, nëse e dinë se e merr pluhurin e bardhë.

«Ata janë të sëmurë, me të sëmuret duhet kujdes» kështu porositë Arjeta.

Ajo edhe pse në qendër është duke u përballur me shumë vështirësi, vazhdon të mos dorëzohet.

«Unë̈ , thotë Arjeta, nuk po kërkoj rezultatet konkrete të luftimit të drogës, sepse baronët e saj nuk e dëgjojnë zërin tim, unë po apeloj të luftojmë helmimin e rinisë nëpër shkolla, të mos kemi një narko-rini të plagosur»

Kush janë ata që kërkojnë ndihmën e Qendrës Ri-jeta ?

» Janë familje shqiptare nga vendi dhe diaspora.

Ka shumë raste që i kemi dërguar nëpër qendra rehabilituese jashtë Kosovës sepse vendit tonë i mungojnë qendra të tilla. Ata janë shëruar, por tani na mungojnë mbështetjet materiale për të vazhduar» tregon Arjeta me zërin plot frikë për të ardhmen e fëmijëve të droguar.

Historia e kanabisit nuk ka filluar te shqiptarët, por fatkeqësisht e sollën edhe te ne dhe duhet ta luftojmë duke i përdorur të gjitha kanalet.

Të vëzhgohen shkollat, kafiteritë, të përcillet se kush po i sjell pakot e drogës.

Duke dëgjuar rrëfimet e Arjetës apeloj tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë Qendrën Ri-jeta sepse kështu ndihmojmë̈ shëndetin në familjet tona, ndihmojmë sigurinë e jetës sonë̈.

Ne mundemi me guximin tonë të kthejmë këta të rinj në dritë, kjo varet nga ne, nga gatishmëria për të ndihmuar.

Takohuni me Arjetën për të kuptuar të vërtetën e syve që presin ndihmën tonë.

Duke i shkruar këta rreshta, më shkruan në Messenger një̈ mik gazetar.

Më pyet me shaka pse po rri gjatë në rrjet.

I them se po shkruaj një̈ shkrim

për drogën.

Ah me ofshamë shkruan ai, sa gjatë e kam marr atë djall pluhur, sot ndjehem një hero që e kam lënë.

Tani e vetmja drogë është iphone, shprehet, miku im zviceran, një afarist i njohur, një legjendë e luftës kundër narkotikut bardhë.

Uroj që edhe në këtë luftë të dalim

faqebardhë !

Autore : Hava Kurti Krasniqi