Trajneri nga Presheva, Nagip Jakupi, flet për herë të parë në rubrikën “Bardh e Zi” për portalin Syri.tv nga Mërgata

0
285

SYRI.TV: Përshëndetje i nderuar Z. Nagip. Mirë se na erdhët në rubrikën “Bardh e Zi” të portalit Syri.tv nga Mërgata.

NAGIP JAKUPIB: Përshëndetje dhe mirë se ju gjej!

SYRI.TV: Fillimisht na thuaj për mua dhe për të gjithë publikun, sekush është trajneri i kombëtares së kuqe nga Presheva, Nagip Jakupi? 

NAGIP JAKUPI: Ju e keni parë që FSHF-ja e ka vizituar klubin tonë dhe mbas vizitës kemi diskutuar dhe u vendos që të jem dhe trajner i zonës së Luginës së Preshevës për U15 dheU13, ku do t’i seleksionojmë gjithë lojtarët më të mirë.

SYRI.TV: Z. Jakupi, si filloi rrugëtimi juaj për të bashkëpunuar me Kombëtaren e Kuqe?

NAGIP JAKUPI: Bashkëpunimi ka filluar nga viti 2014. Unë atëherë sapo morra licencën e nivelit C të UEFAS-s për trajner në Tiranë dhe që prej atje gjithçka nisi dhe bashkëpunimi vazhdoi edhe më i fortë.

SYRI.TV: Përse e zgjodhët Kombëtaren e Kuqe? 

NAGIP JAKUPI: Sepse jemi rritur me ngjyrat Kuq e Zi.

SYRI.TV: Ju keni themeluar dhe klubin e futbollit «KF Lugina». Cili ishte qëllimi për Luginën? 

NAGIP JAKUPI: Unë e kam themeluar “Klubin Lugina” në vitin 2014 si dhe shkollën e futbollit Lugina. Qëllimi ka qenë i rëndësishëm sepse qytetit të Preshevës po i mungonte një klub i tillë me organizim profesional.

SYRI.TV: Ju si trajner kur keni filluar të merrni licencën  e trajnerit? 

NAGIP JAKUPI: Karrierën si trajnerë fillova që nga viti 2014 ku përfundova dhe kurset e Uefa-s për trajner dhe pastaj vazhdova ende duke e ngritur nivelin e trajnerit. Më pas jam pajisur me licencën e nivelit B të UEFAs, dhe së fundi në vitin 2020 morra edhe licencën nivelit A të UEFAs për “Trajner Profesional”.

SYRI.TV: Si kryetar i «KF LUGINA » që jeni, a mundtë na tregoni cili është numri i të interesuarve për futbollin nga të rinjtë e Luginës?

NAGIP JAKUPI: Normalisht, interesimi i fëmijëve për të ndjekur stërvitjet në klubin tonë është shumë i madh. Ju keni parë që ne jemi edhe në 3 qytete të ndryshme duke punuar me fëmijë nga Presheva, Bujanovci dhe se fundi nga Fushë-Kosova.

SYRI.TV: Si trajner, na tregoni çfarë i afron të rinjve të Luginës «KF LUGINA»? 

NAGIP JAKUPI: Të rinjve të Luginës së Preshevës i ofrojmë mundësi të arta për t’u rritur si futbollist dhe në të ardhmen të jenë futbollistë profesionistë siç kemi bërë deri tani, ku kemi dërguar shumë lojtarë dhe sot luajnë në Super Ligë.

SYRI.TV: Nga kush menaxhohet «KF LUGINA» dhe kush janë bashkëpunëtorët tuaj?

NAGIP JAKUPI: Bashkëpunëtorët kryesorë janë zakonisht donatorët që kanë ndihmuar gjithnjë klubin, dhe po ashtu edhe Komuna e Preshevës e cila ka ndihmuar klubin rregullisht me mjete financiare.

SYRI.TV: Ju keni mbaruar për Gjeografi, çfarë ju lidh me futbollin?

NAGIP JAKUPI: Po, kam mbaruar studimet e larta për Gjeografi në Universitetin e Tetovës, por futbolli ishte dëshira ime dhe pasioni im që e kam ëndërruar prej fëmijërisë dhe kam dashur që një ditë të bëhem shembull i gjithë rinisë dhe sportit në Luginën e Preshevës.

SYRI.TV: Cili është suksesi juaj në këtë klub të futbollit?

NAGIP JAKUPI: Personalisht, kam arritur shumë suksese por suksesi më i mirë deri tani ishte zgjedhja nga Federata e Futbollit të Shqipërisë si menaxher i Fshf-së duke qenë bashkëpunëtori më i afërt i Fshf-së dhe për këtë e falënderoj Presidentin Armand Duka.

SYRI.TV: Cilët janë përparësitë dhe anët negative të «KF LUGINA»? Si trajner i kombëtares së kuqe keni hasur në paragjykime? 

NAGIP JAKUPI: Nuk kam hasur paragjykime, por kam pasur shumë mesazhe pozitive dhe motivuese për të vazhduar të kem suksese në vazhdimësi.

SYRI.TV: Si president i KF LUGINA, prisni ndonjë bashkëpunim me klube të futbollit ndërkombëtar?

NAGIP JAKUPI: Unë si President kam bashkëpunime pothuajse me gjithë klubet mbarë kombëtare dhe  kam marrëdhënie shumë të mira me çdo klub.

SYRI.TV: Ju jeni dhe trajner i ekipit Senior Skaut për zonën e Luginës së Preshevës. A mundet të na flisni pak më shumë rreth kësaj teme se çfarë do të thotë kjo për ju? 

NAGIP JAKUPI: Kjo do të thotë që unë kam marrë një përgjegjësi shumë të madhe dhe kjo normalisht nuk është e lehtë, por kur e ke këtë punë me pasion atëherë është shumë e lehtë për ta bërë dhe unë e bëj sigurisht me kënaqësi shumë të madhe.

SYRI.TV: Me çfarë është duke u ballafaquar kohën e fundit «KF LUGINA»?  

NAGIP JAKUPI: Duke përfunduar garat zyrtare.

SYRI.TV: Si është jeta e një trajneri në Luginën e Preshevës?

NAGIP JAKUPI: Jeta është e vështirë sepse kushtet janë minimale për të punuar. Kushtet e infrastrukturës janë në nivel të ulët dhe normalisht që është shumë e vështirë për të punuar në ato kushte. Por kjo nuk më ka penguar dhe nuk më ka ndalur asnjëherë pavarësisht kushteve që kemi, por shpresojmë që sa më shpejt të zgjidhet infrastruktura e sportit në Preshevë.

SYRI.TV: Sa ka ndikuar Covid-19 në profesioni tuaj si trajner? 

NAGIP JAKUPI: Ka ndikuar në mënyrë negative sepse shumë futbollistë ndërprenë stërvitjet dhe të dyja palët humbëm thuajse gjithçka që ishim duke bërë për të avancuar si klub dhe si futbollistë.

SYRI.TV: Jeni prekur nga Convid-19?

NAGIP JAKUPI: Për fat të mirë nuk jam prekur, por jam vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës Pfizer.  

SYRI.TV: Çfarë presim në të ardhmen nga ju si president i «KF LUGINA»? 

NAGIP JAKUPI: Ne jemi duke u riorganizuar si klub për të arritur qëllimin që vitin e ardhshëm të jemi një Ligë më lart.

SYRI.TV: Me kënd jeton trajneri nga Presheva Nagip Jakupi?  

NAGIP JAKUPI: Jetoj me familjen time, bashkëshorten, djalin Keonin, Mamin dhe vëllain.

SYRI.TV: Cili është mesazhi juaj për lexuesit e portalit Syri.tv nga Mërgata? 

NAGIP JAKUPI: Mesazhi im është që Rinia e Luginës së Preshevës të merren sa më shumë me sport sepse sporti është jetë.

SYRI.TV: Ju faleminderit shumë Z.Jakupi që gjetët kohë të jeni pjesë e rubrikës » Bardh e Zi» të portalit Syri.tv

NAGIP JAKUPI: Faleminderit edhe prej jush dhe kjo ishte kënaqësi e imja. Ju faleminderit.

Intervistoi Arben Mehmeti!