Piktori shqiptar nga Austria, Gazmend Freitag, flet për sukseset e tij në rubrikën «Bardhë e Zi» të syri.tv

0
290

SYRI.TV: Përshëndetje i nderuar Z. Gazmend. Uroj të jeni mirë dhe faleminderit që pranuat ftesën të jeni pjesë e rubrikës sonë nga mërgimi.

SYRI.TV: Të nisim fillimisht me një njohje të shkurtër. Kush është piktori shqiptar nga Austria, Gazmend Freitag?  

GAZMEND FREITAG: Kam lindur më 25 maj 1968 në Pataçan të Poshtëm të Kosovës. Deri në klasën e katërt të shkollës fillore, mësova në fshatin tim, ndërsa shkollimin e mëtejshëm vazhdova në Fortesë. Dy vitet e para të gjimnazit i mbarova në Rahovec, kurse klasën e tretë dhe të katërt në gjimnazin e Prizrenit si teknik i punëve administrative ku u diplomova në vitin 1987. Më pastaj unë fillova studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Kjo ishte koha më e hidhur për mua sepse pasi sapo mbarova dy semestra mbyllet me dhunë Universiteti i Prishtinës për shqiptarët nga pushtuesit serbë, njëkohësisht fillon regjimi serb me futjen e masave të dhunshme ndaj shqiptarëve në Kosovë.

SYRI.TV: Pse mbiemrin Freitag?

GAZMEND FREITAG: Nga viti 1990 deri 2000 kam qenë i martuar me Kristin Freitag në Gjermani dhe mora mbiemrin e saj. 

SYRI.TV: Si filloj rrugëtimi juaj me pikturën?

GAZMEND FREITAG: Vizatimin e kam dashur që fëmijë, mbase është edhe dhunti e natyrës. Në moshën 22 vjeçare kalova në Gjermani dhe plotësisht nga vetvetja ime u shfaq dëshira e madhe për të vizatuar e gradualisht edhe pikturuar me vaj. 

SYRI.TV: Cili është kontakti juaj me jetën kulturore në Austri?

GAZMEND FREITAG: Jeta ime është e lidhur ngushtë me jetën kulturore. Pa kulturë nuk kam as jetë!

SYRI.TV: Çfarë do të thotë arti për juve?

GAZMEND FREITAG: Arti është përmbushje shpirtërore, lumturi në jetë, punë. 

SYRI.TV: Cilat motive dhe ngjyra dominojnë në punimet tuaja?

GAZMEND FREITAG: Motivet e mia janë nga jeta e përditshme, njerëzit, natyra. Vazhdimisht e kultivoj edhe portretin, kryesisht personalitete të njohura shqiptare nga mitologjia por edhe bashkëkohore. Në punën time përdor ngjyra vaji në kanavaçe, laps dhe tush në letër.

SYRI.TV: Cilin piktorë shqiptarë dhe austriakë vlerësoni në mënyrë të veçantë?

GAZMEND FREITAG: Nga piktorët shqiptarë, adhuroj profesorin tim të ndjerin Budim Berisha nga Rahoveci si dhe të madhin Ibrahim Kodra, ndërsa nga austriakët do veçoja Gustav Klimt, Egon Schiele por edhe Lucian Freud, nipi i Sigmund Freud,megjithëse ky pati lindur në Berlin dhe emigruar në Londër ku edhe vdiq pa e vizituar asnjëherë Austrinë, vendlindjen e gjyshit. 

SYRI.TV: Ju si piktor që jetoni në Austri, çfarë raporte keni me artistë shqiptar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj? 

GAZMEND FREITAG: Ta them sinqerisht, nuk kam takuar asnjë deri më tani.

SYRI.TV: Keni përfaqësuar ndonjëherë Austrinë apo shqiptarët në ndonjë ekspozitë ndërkombëtare? 

GAZMEND FREITAG: Një shtet përfaqësohet vetëm në Biennalin e Venedigut, dhe unë nuk e kam këtë të drejtë sepse unë kam pasaportë të Kosovës dhe do të ndjehem i privilegjuar dhe i lumtur sikur një ditë ta përfaqësoj vendlindjen time Kosovën.

SYRI.TV: Ju jeni piktori i parë shqiptar që keni pikturuar Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Pse e bëtë një gjë të tillë?

GAZMEND FREITAG: Së pari, unë vazhdimisht pikturoj portrete dhe figura të shquara të botës. Ndërsa një vend të posaçëm zënë heronjtë, shkrimtarët, studiuesit, artistët etj, të cilët janë thelbësorë për popullin shqiptar. Kështu përcjell imazhin pozitiv të popullit tim në botë. Jam shumë i lumtur që Kosova ka një grua për Presidente! Me Zonjën Vjosa Osmani e shoh një shans për të ngritur rolin e gruas në shoqërinë shqiptare. Unë besoj shumë se barazia gjinore e ndihmon shumë shtetin në çdo aspekt dhe besoj se Vjosa do të bëjë shumë për integrimin sa më të madh të gruas në politikë si dhe rrjetëzimin dhe punësimin e grave. Me portretin e saj, përcjelli mesazhin e urimit tim për Presidenten e Kosovës! 

SYRI.TV: A mundeni të na tregoni pak si është gjendja aktuale në Austri nga Convid-19? 

GAZMEND FREITAG: Ne ndërkohë, prej disa kohësh kemi masa lehtësuese nga ku ka nisur edhe hapja e muzeve, galeritë dhe objekte të tjera kulturore, por me masa paraprake. Ka mbi një vit që nuk kemi organizuar ekspozita, përveç atyre tek-tuk në mënyrë virtuale.

SYRI.TV: Sa ka ndikuar Covid-19 në ekspozitat e tua si piktor?

GAZMEND FREITAG: Koha e Covid-19 për mua ka qenë shumë produktive, pasi kam pikturuar shumë dhe kam menduar shumë lidhur me jetën përgjithësisht.

SYRI.TV: Cili është çmimi më i madh që keni marrë nga një pikturë e juaj ? 

GAZMEND FREITAG: Haaaaa…Nuk e di a është modeste të flas për anën komerciale por hajt se po të tregoj dhe është hera e parë që flas publikisht. Në vitin 2012 kam pas një porosi të pikturoj një grua nudo live” dhe kam marrë 12.000 Euro. Duhet theksuar se ka qenë edhe një vepër me vlera artistike.

SYRI.TV: Me kë jeton piktori shqiptar Gazmend Freitag? 

GAZMEND FREITAG: Unë kam jetuar për disa vite me një austriake e më vonë me një franceze, ndërsa aktualisht jetoj vetëm por duke dëshiruar që një ditë do të takohem me një shqiptare të bukur!

SYRI.TV: Cila është mesazhi juaj për lexuesit e portalit Syri.tv nga Mërgata si piktor ? 

GAZMEND FREITAG: Unë mund të flas vetëm nga përvoja ime. Punoni vetëm ato gjëra që i doni dhe jeni të pajisur me talent, besoni në veten tuaj dhe mos ndalni së ëndërruari. Vetëm duke ëndërruar dhe punuar për t’i realizuar ato, ne edhe jetojmë! 

Ty Arben faleminderit nga zemra për intervistën. Të fala edhe stafit të Syri.tv!

SYRI.TV: Faleminderit Z. Gazmend që ishit pjesë e intervistës për portalin Syri.tv  

Intervistoi Arben Mehmeti