Wuhani, «qyteti i heronjëve». Jeta, një vit pas pandemisë

0
130

Wuhani ishte kthyer prej kohësh destinacioni im kryesor për parë si kishte ndryshuar jeta pas shpërthimit të Covid-19, por isha duke pritur momentin e duhur për të shkuar atje. Ditët e para të pushimeve të majit erdhën dhe nuk prita më. Biletat e udhëtimit i kisha blerë prej kohësh dhe rezervimin në hotel po ashtu, pasi në ditët e pushimeve në Kinë, bëhet nami dhe nuk gjen më asnjë biletë edhe të prenotuar. Udhëtimi im nisi fillimisht nga Pekini drejt qytetit fqinj Tianji . Momenti erdhi dhe unë zura vend në ulësen time teksa treni me numur G365 nisi udhëtimin e tij me 370 km në orë. Branda 6 orëve udhëtim, mendja më shkonte tek destinacioni përfundimtar. Mendoja se “kush e di sa kontrolle shëndetësore do të na bëjnë ne që hyjmë në Wuhan.Po kur të dal jashtë qytetit dhe të kthehem në Pekin? Teste tamponi, matje temperature, kontroll të kodit shëndetësor, kontroll mbarë e prapë të pasaportës, e ku nuk më shkonte mendja”.

Vetëm 20 minuta pas mesnatës dhe unë së bashku me të gjithë pasagjerët e trenit zbresin në Stacionin e Trenit të Wuhanit, “Wuhani ka tre stacione gjigande, Hankou, Wuchang dhe Wuhan”. Me valixhen dhe çantën në sup, teksa po dilja tek hyrja e kontrollit, po bëhesha gati të përballesha me punonjës shëndetësie që do të na matnin temperaturën dhe do të na bënin testin e tamponit në stacion. Isha gabuar rëndë. Asgjë nga ç’kisha menduar nuk ndodhi. Madje, as nuk tentoi njeri të na kontrollonte pasaportën dhe të na matte temperaturën. I habitur nga kjo që sapo më ndodhi, marr taksinë dhe nisem drejt hotelit, ku edhe atje përveç procedurës normale absolutisht asnjë kontroll më tepër. 

Wuhani, i tejmbushur me turistë

Nuk do ta besoja kurrë nëse nuk do ta kisha përjetuar vetë. Bum i jashtëzakonshëm turistësh. Një Wuhan i cili zjente në çdo cep nga turistët e pafund që kishin ardhur. Trafik i çmendur, dyqane plot me klientë, buçitje zëri nga atoparlantët e dyqaneve që reklamonin mallin dhe ofertat e momentit. Aq shumë njerëz kishte kudo, saqë kalonin ngjitur me njëri-tjetrin. Për një moment harrova që ndodhesha në qytetin i cili një vit e gjysmë më parë u kthye në shkretëtirë dhe tragjedi nga virusi. Sipas statistikave të nxjerra nga Ministria e Turzimit, Wuhani u rendit ndër pesë qytetet më të vizituara në Kinë gjatë javës së parë të majit.

Asnjë frikë nga Covid-19

Realisht, “ngela i shokuar”. Teksa shihja pafund njerëz që lëviznin pa maskë, qeshnin dhe ishin të kënaqur, asnjë kontroll shëndetësor, restorantet dhe tavolinat ngjitur me njëra-tjetrën, i thashë vetes: “Covidi këtu paska qenë vetëm një përrallë”. Qyteti me njollën “e vatrës së virusit”, tashmë ishte kthyer në “qytetin më të sigurt në botë”.

Nuk mundesha të largohesha pa kaluar fare pranë ‘tregut të famshëm’, i cili brenda natës u bë i njohur globalisht për shkak se u tha se prej andej nisi udhën edhe vetë Covid-19. Vetëm disa ditë pas shpërthimit të virusit, e gjithë ndërtesa në ngjyrë rozë në kafe të hapur u nxorr jashtë përdorimit. Për të mos rënë në sy duke e fotografuar shumë herë nga kënde të ndryshme, i afrohem njërit prej rojeve të “godinës simbol” të qytetit dhe me ndrojtje për të mos rënë në sy e pyes se çfarë ndodh aktualisht brenda dhe ç’do të bëhet me të. “Siç e sheh është komplet jashtë funksionit”, – më tha. “E gjithë ndërtesa brenda është pastruar komplet dhe është lënë bosh. Nuk dihet konkretisht se ç’do të bëhet me të. Ose mund të ndryshojë destinacionin që ka patur, ose mund të shembet dhe kush e di ç’mund të ndërtohet në vend të saj”, më rrëfeu roja duke ngritur supet.

Vështirësitë gjatë karantinës

Për të shkuar dikund për të takuar një mik në distriktin Hankou, gjatë rrugës nisa bisedën me shoferin e taksisë. Ai një çun i ri, më tregonte me duar e këmbë momentet e mbylljes së Wuhanit. “Je i lumtur që nuk ndodheshe në atë kohë këtu në Wuhan. Më tepër se frika nga virusi kemi vuajtur shumë për të ngrënë. Nuk lejohej askush të dilte jashtë dhe një herë në javë im atë duhej të shkonte për pazar. Edhe ushqimin na i sillnin tek dera. Ishte i paktë dhe i gatuar sipas mjekëve pa shumë gjëra brenda që të mos infektoheshim. Ato tre muaj kanë qenë tmerr për ne në qytet. Nuk do ta harroj gjithë jetën. Tani më duket ëndërr gjithë ajo çmenduri e jetuar këtu”. Duke ecur rrugës me tregonte ndërtesat të cilat ishin kthyer në spitale ose vend karantine, ndërsa tani qyteti ziente nga zhurma dhe jeta e plotë.

Ditët e qëndrimit në Wuhan rrodhën shpejt dhe kthimi drejt pekinit ishte disa momente gati. I lumtur që pashë një Wuhan shumë më të mirë dhe të mrekullueshëm nga ajo që kisha dëgjuar.Teksa u largova me shpejtësinë e trenit, ktheva kokën dhe i thashë me vete: “Mirupafshim sërisht, qyteti i heronjve”. 

EDISON MYRTEZA

Pekin