Radiologu shqiptar nga Zvicra, Habib Jakupi është sot pjesë e rubrikës Bardhë e Zi, i cili flet për herë të parë në portalin Syri.Tv nga jashtë vendlindjes.

0
1756

SYRI.TV : Përshëndetje Z. Habib Jakupi! Mirë se erdhët në rubrikën Bardhë e Zi në portalin Syri.Tv  

Dr.med.Habib Jakupi: Përshëndetje Z. Arben. Faleminderit dhe nga ana juaj që më dhatë mundësinë të jem pjesë e portalit tuaj. Faleminderit dhe mirë se ju gjej.

SYRI.TV: Dr.Habibi, pikë së pari, a mund të na tregoni me pak fjalë për lexuesit e portalit tonë, se kush është radiologu shqiptar Habib Jakupi?

Dr.med.Habib Jakupi: Kam lindur në Vushtrri të Kosovës. Aty kam kryer shkollën fillore dhe të mesme. Fakultetin e Mjekësisë e kam përfunduar në Prishtinë. Kam mërguar fillimisht në Gjermani në vitin 1992 ku kam përfunduar specializimin për Radiologji në vitin 1997. Jam kthyer sërish në Kosovë në vitin 2003 dhe kam emigruar sërish, këtë herë në Zvicër në vitin 2013 (pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i rrëzoi nenet reformatore në ligjin e ri të Shëndetësisë të aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2012 dhe me këtë veprim, sipas mendimit tim e bëri të ligjshme status quo-në për 10-15 vitet e ardhshme jo shumë të favorshme (që fatkeqësisht koha e dëshmoi). Një grup mjekësh ku bëja pjesë edhe unë ishim angazhuar prej 10 vjetësh në një program specifik ku të ndahej qartë puna e mjekut, ose të punojmë në sektorin publik ose në sektorin privat! Dhe kjo çështje dështoi në Kushtetuese!

SYRI.TV: Pse zgjodhët profesionin e radiologut dhe si nisi karriera juaj në këtë drejtim?

Dr.med.Habib Jakupi: Kam emigruar në Gjermani në vitin 1992 pasi ambulanca shëndetësore në Vushtrri më informoi se nuk ka specializim për mua derisa të ekzistojë ky regjim. Ishte momenti kur duhej të vendosja, ose të mbetem një mjek i përgjithshëm në Vushtrri ose të kërkoja një mundësi specializimi jashtë Kosovës! Gjuhën gjermane e kam mësuar që kur isha student në Prishtinë, me idenë që një pjesë të specializimit tim ta kryej në një vend ku flitet gjermanisht ose anglisht (pasi anglishten e njihja më herët). Njohja e gjuhës gjermane, kontaktet e mëparshme me kulturën dhe letërsinë gjermane si dhe vizitat e mëparshme (në vitin 1989), krijuan mendimin tek unë se duhet të shkoja në Gjermani për specializim. Ashtu veprova pas një bisede të shtruar dhe me argumente në familje. Dhe kam shkuar vetë!

Fatmirësisht, 4 vite pasi shkova dhe studiova në Gjermani, e vesha mantelin e mjekut në një institut të njohur për Radiologji dhe Mjekësi nukleare në Bielefeld si dhe stabilizimi në vendin e punës, krijoi mundësinë pas 5 muajsh të vinte edhe gruaja ime. Kështu Gjermania u bë vendi im i zgjedhur i punës dhe jetës. Fakti që fillova punën shumë shpejt pas shkuarjes sime në Gjermani dhe sistemi shumë demokratik dhe i rregulluar e funksional i sistemit edukativ profesional shëndetësor, më mundësuan që unë bashkë pas fillimit të punës, të filloj edhe specializimin në Radiologji. Kjo më hapi dyert e mundësive për të mësuar (specializuar) dhe për të përvetësuar metoda e shkathtësi shkencore mjekësore në një lëndë e cila po përjetonte zhvillimin më të madh në historinë e saj. Gjatë këtyre pesë viteve të specializimit kam qenë plotësisht i përkushtuar në këtë drejtim duke ia kushtuar gjithë kohën, mundësitë dhe kapacitetet e mia.

SYRI.TV: Ku gjendet Ordinanca e Habib Jakupit ?

Dr.med.Habib Jakupi: Pas marrjes së licencës për punë private në kantonin e Zürich-ut në vitin 2019 në Zvicër, u bë e mundur hapja e ordinancës së parë radiologjike e një mjeku me prejardhje nga hapësirat shqiptare në Zvicër. Në ordinancën e parë në Mühlebachstr. 7, në Zürich, kemi filluar me ofrimin e ekzaminimeve radiologjike për MRI (ekzaminimet komplete me këtë metodë). Ndërsa në fillim të këtij viti (nga 01.03.2021) kemi filluar me ordinancën e dytë, po ashtu në Zürich, në Hardturmstr. 131. Por, në ndryshim se këtu ofrojmë komplet metodat radiologjike, duke filluar nga Rentgeni dixhital, Ultratingulli, Mamografia me tomosintezë, Osteodensitometria, Tomografia e kompjuterizuar (CT) deri te Imazheria me rezonancë magnetike (MRI). Kështu që kjo për mua shënon momentin e plotësimit profesional të ofertës për të gjithë pacientët, nga të gjitha anët e Zvicrës por edhe më gjerë (kemi herë pas here edhe pacientë nga vendet përreth, por edhe më të largëta, madje edhe nga Kosova).

Për detaje mund të informoheni në web-faqe: www.praxisZEMRA.ch ose www.limmatradiologie.ch

SYRI.TV; Për cilat probleme dhe trajtime ose për çfarë llojesh të shërbimeve mund të drejtohen pacientët në ordinancën tuaj?

Dr.med.Habib Jakupi: Radiologjia është një degë e mjekësisë që merret me diagnostikimin e sëmundjeve përmes fotografimeve/imazheve, duke filluar nga më të thjeshtat si p.sh. imazhet e Rentgenit deri tek Ultratingulli apo imazheria shumë shtresore si CT (Tomografia e kompjuterizuar) dhe MRI (Imazheria me rezonance magnetike). Puna ime si radiolog është që përmes këtyre metodave ekzaminuese të bëj përcaktimin e diagnozës së sëmundjes së pacientit.

SYRI TV: Çfarë trajtimesh Radiologjike ju ofroni pacientëve ?

Dr.med. Habib Jakupi: Puna e radiologut në përcaktim të diagnozës së pacientit është një punë shumë sfiduese që kërkon një përgatitje solide, kushte të mira pune, përcjellje të literaturës aktuale, kongreseve e simpoziumeve të ndryshme, një edukim të vazhdueshëm profesional, kontakte dhe konsultime me kolegët, literaturën dhe internetin. Suksesi më i madh për radiologun është përcaktimi me kohë, pra në një stad sa më të hershëm, i diagnozës së pacientit, sepse ky është hapi i parë në drejtimin e duhur për fillimin e terapisë dhe mjekimit.

SYRI.TV: A mundesh të na tregosh filozofinë tënde në Radiologji?

Dr.med.Habib Jakupi: Që nga fillimi im i punës sime si mjek, menjëherë pas diplomimit në vitin 1987 e deri më sot, pacienti është në qendër të vëmendjes dhe aktivitetit tim profesional e mjekësor! Të jesh mjek eshtë jo vetëm një profesion fisnik e sfidues por mbi të gjitha është një mision! Një mision jetësor që eshtë për t’u përmbushur çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit! Gjithë jetën! Është një jetë në shërbim të njeriut në veçanti dhe të njerezimit në përgjithësi!

SYRI.TV: Sa shpesh duhet të bëjnë vizitë pacientët tek Radiologu?

Dr.med Habib Jakupi: Tek radiologu shkohet sipas nevojës dhe rastit. Atëherë kur për përcaktim të diagnozës duhet një prezantim imazherik. Në kohën tonë, çdo mjekim i një sëmundje që e prek njeriun dhe që ka nevojë për qartësi diagnostike, duhet të kalojë nëpër metoda të ndryshme radiologjie, duke filluar nga fotografimet e Rentgenit, Ultrazeri, Tomografia e kompjuterizuar (CT), Mamografia, Rezonanca magnetike (MRT), etj. D.m.th, shpeshtësia e vizitave tek radiologu ka të bëjë me nevojën për përcaktim të diagnozës të çdo rasti që drejtohet tek mjeku për mjekim.

SYRI.TV: Cilat mosha duhet të bëjnë vizita tek ju me shpesh ?

Dr.med Habib Jakupi: Tek radiologu duhet të vizitohen të gjitha moshat pa dallim. D.m.th, gjithmonë kur me ekzaminimet dhe metodat e tjera nuk është arritur të përcaktohet diagnoza e sëmundjes.

SYRI.TV: Çfarë fitojnë pacientët nëse vijnë te ju?

Dr.med.Habib Jakupi: Pacientët do të marrin diagnozën e saktë radiologjike! Për të gjitha llojet e fotografimeve në Radiologji, duke filluar nga Rentgeni deri tek Rezonanca magnetike dhe këtë e marrin të plotë nga koka deri tek shputat e këmbëve. Nisim nga rastet e sëmundjeve të lehta deri tek ato më të rëndat.

SYRI.TV: Sa ka ndikuar Covid-19 në profesioni tuaj ?

Dr.med. Habib Jakupi: Një pandemi e këtyre përmasave globale sikur COVID-19 prek çdo segment të jetës në çdo vend të botës. Është e vetëkuptueshme që stafi mjekësor është në vijën e parë të frontit në përballje me këtë sëmundje. Në rastin konkret duke pas parasysh numrin e madh të pacienteve të prekur nga ky virus, kishte me javë dhe muaj të tëra që ne kemi qenë plotësisht të përqendruar vetëm tek këto raste dhe tek rastet e tjera emergjente.

SYRI.TV: Cila është këshilla juaj si Radiolog në kohën e pandemisë?

Dr.med.Habib Jakupi: Këshilla ime është që të respektohen udhëzimet e organeve kompetente për pandeminë duke filluar nga higjiena personale, distanca, kufizimi i lëvizjeve dhe grumbullimeve e deri tek vaksinimi sa më masiv i njerëzve.

SYRI.TV: Sa ka e qenë vështirë për ju si Radiolog t’i dilni në ndihmë pacientëve në kohë e virusit?

Dr.med.Habib Jakupi: Ishte një fazë dhe përvojë e veçantë për shkak të faktit se ne përballeshim me një virus të ri dhe të panjohur por edhe të përmasave të mëdha. Sepse edhe në punën tonë të përditshme, çdoherë e në çdo kohë, kemi të bëjmë me pacientë që vijnë me sëmundje ngjitëse, të rënda, emergjente etj. Por të gjitha këto në një hapësirë kohore dhe gjeografike të veçantë e bëjnë si një emergjencë mjekësore të jashtëzakonshme. Ndërsa si radiolog, në krahasim me kolegët nga departamentet mjekësore dhe emergjente, ne jemi si të them, në vijën e dytë të frontit!

SYRI.TV: Cili është vlerësimi juaj rreth pandemisë, atyre që nuk besojnë në Covid-19, vaksinës dhe si po e menaxhon Kosova dhe Zvicra krizën e koronavirusit?

Dr.med.Habib Jakupi: Pandemia është një sëmundje me përmasa masive që e rrezikon shëndetin publik në hapësira të mëdha gjeografike dhe që në këto përmasa „e viziton“ njerëzimin përafërsisht një herë në 100 vjet. Për ata që nuk e besojnë, mendoj se është rezultat i mosdijes, mosnjohjes, një mënyrë për t`i ikur realitetit si një qasje e gabuar, e talljes me fatkeqësinë e vet dhe të njerëzimit. Menaxhimi i pandemisë është një sfidë për të gjithë! Normalisht që kjo sfidë është edhe më e madhe kur kombinohet me disa veti si: qasja e rezervuar apo e gabuar, mungesë vendosmërie dhe qëndrueshmërie, mungesë vizioni për qasje largpamëse etj.

SYRI TV: Çfarë e dallon ordinancën tuaj nga një ordinancë me standarde private?

Dr.med. Habib Jakupi: Në parim nuk ka ndonjë dallim sa i përket pajisjeve, aparaturave, hapësirave, stafit, etj. Dallimi është në aspektin se pacientët mund të konsultohen dhe informohen në gjuhën amtare shqipe. Ne jemi gatshëm në çdo kohë sa i përket këshillimeve dhe vizitave. Ofrojmë këshillime para orës 8 apo pas orës 18 dhe, në rast nevoje edhe të shtunave.

SYRI.TV: Ku është dallimi në mes mjekësisë gjermane, asaj në Kosovë dhe kësaj këtu në Zvicër?

Dr.med.Habib Jakupi: Janë sisteme të ndryshme shëndetësore. Pavarësisht se midis Gjermanisë dhe Zvicrës ka shumë ngjashmëri, ne duhet të pranojmë të metat në shëndetësinë në përgjithësi dhe mos zhvillimin e gjatë në Kosovë. Deri në vitin 1999 ky problem ka qenë për faj të të tjerëve, ndërsa prej vitit 1999 e këndej për fajin tonë vetjak.

SYRI.TV: A jepni garanci për punën tuaj ?

Dr.med.Habib Jakupi: Puna e mjekut i nënshtrohet etikës mjekësore, rregulloreve të punës dhe ligjeve përkatëse. Në këtë kuptim, ne ofrojmë shërbime të një niveli të lartë të specializuar dhe profesional në pajtim me ligjet dhe standardet e Zvicrës.

SYRI.TV: Si është jeta e një Radiologut në Zvicër ?

Dr.med.Habib Jakupi: Në aspektin e punës është një vend me standard të lartë profesional dhe shkencor. Kjo e bënë punën e mjekut apo në këtë rast të radiologut edhe më sfiduese dhe interesante! Ndërsa edhe pjesa tjetër e jetës pas punës është e larmishme, interesante dhe e mbushur me mundësitë e shumta që ofron vendi edhe si natyrë me ambiente të ruajtura dhe të mbrojtura nga ndotja apo degradimi por edhe si shoqëri e organizuar e me turizëm shumë atraktiv.

SYRI.TV: Z. Jakupi ju jeni dhe antar i DRG-së ShRK-së, SSS-së dhe RSNA. A mundeni të na flisni pak rreth këtij anëtarësimi tuaj pak më tepër?

Dr.med.Habib Jakupi: Këto anëtarësime kanë të bëjnë me aspektin e punës time si radiolog (në Gjermani, Kosovë dhe Zvicër) por edhe të edukimit të vazhdueshëm profesional (në Zvicër, Gjermani, ShBA, Francë, etj).

SYRI.TV: Më kë jeton Radiologu shqiptar Habib Jakupi?

Dr.med.Habib Jakupi: Që prej kohës kur kam ardhur në Zvicër, jetoj së bashku me gruan time Drita. Fëmijët tanë me familjet e veta jetojnë në Prishtinë. Për ata, jeta jashtë Kosovës nuk është një mundësi! Ata vijnë e na vizitojnë këtu, por pak pas ditësh qëndrimi këtu, apo edhe në vendet tjera evropiane për pushime, na falënderojnë për kohën e kaluar së bashku, por gjithnjë na thonë se në Prishtinë janë më të plotësuar, ndjehen më mirë dhe e kanë në çdo aspekt më mirë! Dhe kjo është e çuditshme, sepse duhet pas parasysh se ata kanë lindur dhe janë rritur në Gjermani.

SYRI.TV: Me çfarë është duke u ballafaquar Habib Jakupi kohët e fundit?

Dr.med.HabibJakupi: Me shumë punë, si në klinikën ku punoj por edhe në ordinancat e mia. Shumë angazhime profesionale. Gjithmonë në kërkim të diagnozës së saktë për pacientët.

SYRI.TV: A do të jetë Zvicra vendi që keni zgjedhur për të dalë në pension?

Dr.med.Habib Jakupi: Kur ishim në Kosovë apo në Gjermani, ne vinim këtu në Zvicër për të bërë ski dhe atëherë i thosha gruas time, “kur të vijë koha e pensionit do të vijmë të jetojmë në Zvicër”. Fakti që erdha në Zvicër më shumë se 16 vjet para se të dal në pension dhe bashkë me bashkëshorten time jetojmë këtu, nuk do të thotë patjetër se ku do të jetojmë në kohën e pensionit. Ndoshta pjesën më të madhe do të jemi në Kosovë! Atje i kemi fëmijët, mbesat, nipin, familjen e gjerë e farefisin, shoqërinë e hershme e kujtimet e shumta. Pastaj i kemi edhe sot e kësaj dite shumë pacientë që përmes metodës teleradiologjike i diagnostikojmë me të njëjtat metoda sikur këtu, d.m.th. që nga Rentgeni deri te Rezonanca magnetike (që ekzaminohen në Euromed në Fushë Kosovë). Lidhjet tona me Kosovën mbeten të përditshme dhe të përjetshme.

SYRI.TV: Cili është mesazhi juaj si Radiolog për admiruesit e rubrikës Bardhë e Zi dhe për lexuesit e portalit Syri.tv ?

Dr.med.Habib Jakupi: Kujdesuni gjithmonë për shëndetin! Është kapitali më i madh që keni. Një njeri i shëndoshë, me punë dhe me dije mund të arrijë çdo gjë!

SYRI.TV: Dr. Habibi, Ju falënderoj shumë që gjetët kohë të jeni pjesë e rubrikës Bardhë e Zi, si në emrin tim personal por dhe në emër të stafit për bisedën që e ndamë së bashku.

Dr.med.Habib Jakupi: Faleminderit Arben ishte kënaqësi e imja .

Intervistoi Arben Mehmeti