Kampioni shqiptar nga Amerika Enea Lapa fletë për karrierën e tij në rubrikën» Bardh e Zi» të portalit Syri.tv

0
566

SYRI.TV: Përshëndetje z. Lapa , mirë se na erdhe në rubrikën » Bardh e Zi»  të portalit Syri. Tv nga Zvicra.  Uroj të ndahemi të kënaqur gjatë intervistës të cilën do ta  ndajmë së bashku me ju ?

Enea Lapa: Përshëndetje dhe ju faleminderit për intervistën.

SYRI.TV: Kush është kampioni  shqiptar nga Amerika Enea Lapa?

Enea Lapa: Një djalë nga Saranda, lindur e rritur aty. Ne 2009 fillova studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Sarandë për menaxhim biznesi. Kam 5 vite që po jetoj ne Florida, SHBA këtu ku fillova te merrem dhe me sportin e Jiu-jitsut ku u dashurova me të dhe desha të kap majat e suksesit.

SYRI.TV: Z.Lapa a mundeni të na tregoni pak për karrierën tënde,  si filloj rrugëtimi juaj në Sport ?

Enea Lapa: Siç përmenda dhe më parë, sportin e Jiu-jitsut e fillova kur erdha ne SHBA por dëgjova në Sarandë nga një shoku im i cili e kishte praktikuar në Angli. Në fillim pas përshkrimit të tij nuk më pëlqeu të them të drejtën por pasi vazhdova të shikoja ndeshje dhe duke kuptuar dhe si funksionon pata kureshtje për ti dhënë një shans. Tani mbush 4 vite që po stërvitem tek akademia XCELL JIU JITSU ACADEMY nën mjeshtrin Jorge Santiago i cili është një emër shumë i respektuar në rrethin e jiu-jitsun dhe jo vetëm, ai është disa herë kampion në MMA. Duke filluar stërvitjen në një ambient tepër komod dhe me persona ambicioz që pas një viti stërvitjeje fillova të merrem profesionalisht.

SYRI.TV: Enea ju jeni shpallur  triumfues që keni zërë vendin e parë në Austin Open , na tregoni pak për këtë triumfit . Çka është Austin Open ?

Enea Lapa : Austin Open ishte një kampionat nga Federata e jiu-jitsut (IBJJF) që u zhvillua ne Austin, Texas. Aty fitova vendin e parë në peshën time duke më dhënë mundësinë të merrja pjesë në të gjitha peshat ku aty zura vend te tretë. Në total kisha 4 ndeshje, 2 prej tyre i mbarova me finalizim.

SYRI.TV: Si quhet sporti juaj me të cilin merreni ju?

Enea Lapa : Sporti quhet Brazilian Jiu-jitsu dhe shqiptohet Xhu-Xhicu. Prejardhjen e ka nga sporti i Judos ku ndryshon me rregulla dhe ndeshja përqendrohet më shumë në tokë.

SYRI.TV: Kur dole për herë të par në Ring ?

Enea Lapa: Për herë të parë dola në 2018 në Orlando Open ku pata humbje që në ndeshjen e parë.

SYRI.TV: Përse zgjodhët këtë sport dhe kur keni nisur të merreni me të?

Enea Lapa: Ky sport më hyri në zemër që pas klasës së parë, pasi është një art marcial i bazuar në teknik dhe jo shumë në forcë. E kam nisur këtë sport në Mars të 2017.

SYRI.TV: Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha me të cilat je përballur gjatë rrugëtimit tënd në këtë sport?

Enea Lapa: Dëmtimet në këtë sport janë të shumta pasi është një sport me kontakt dhe mund të lënë jashtë stërvitjes për një kohë të gjatë. Kam pas disa gjatë karrierës time, një e tillë ishte para botërorit ku kisha dëmtuar muskulin në pjesën e brendshme të kofshës por vendosa të vazhdoja garën duke pas 3 ndeshje jo të lehta por arrita ta merrja fitoren.

SYRI.TV: Vëmendja e shtetit, por edhe e federatës ndaj teje a ka qenë ajo e duhura?

Enea Lapa: Nga ana e shtetit nuk kam pas asnjë kontakt momentalisht. Kurse nga federata internacionale zura vendin e trete nga 2500 sportistëve nga kategoria ime mbarë botës.

SYRI.TV: Çfarë këshille do t’iu jepje sportistëve të rinj që duan të merren me këtë sport, cili është çelësi i suksesit për t’ia dalë?

Enea Lapa: Këshilla ime është disiplina mbi të gjitha. Gjithmonë vë një synim dhe bëj të pamundurën për ta arritur duke punuar fort për atë që do. Asgjë nuk vjen me fat, fatin e krijon vetëm me punë.

SYRI.TV: Sa kampione keni fituar deri me tani, dhe sa humbje i keni ?

Enea Lapa: Kam pas disa humbje në fillim te cilat jam skualifikuar pas ndeshjeve të para duke zënë vetëm një vend të tretë në 2018 në Miami Open. Në fillim të vitit 2020 ishte fitorja ime e parë në Kansas Open ku zura vend të parë. Austin Open, Foley Open , American National dhe World Master (Botërori) ishin fitoret e mia për 2020 duke u renditur i treti në botë për kategorinë time bazuar nga pikët. Në Atlanta morra dy vende te dyta ne peshën time dhe në të gjitha peshat duke patur 6 ndeshje gjithsej tepër të vështira. Gjithashtu dhe disa vende te treta ne Oklahoma Open, Miami Open Foley Open dhe Austin Open për të gjitha peshat.

SYRI.TV: Në cilin kategori bëni ju pjese?

Enea Lapa: Unë marr pjesë në peshën 70 kg, rrypi lejla dhe grup moshën 29-36 vjeç.

SYRI.TV: Cili kampion ka qenë me i rëndësishëm për ju ?

Enea Lapa: World Master IBJJF (kampionati botëror)

SYRI.TV: Nga kush i ke mësuar stërvitjet e para, kush ishte trajneri juaj ?

Enea Lapa: Jorge Santiago është profesori dhe trajneri im që prej fillimit. Ai është rryp i zi në jiu-jitsu edhe judo por edhe kampion disa herë në MMA.

SYRI.TV: Si të presin shqiptarët në Shqipëri kur ju takojnë ?

Enea Lapa: Të gjithë Shqiptarët që kam takuar më kanë pritur me urimet më të përzemërta dhe duke më premtuar mbështetje në çdo hap të karrierës sime.

SYRI.TV: Me qenë se vini ju nga Shqipëria , keni menduar ndonjë duel ta bëni edhe në vendlindjen tuaj ?

Enea Lapa: Patjetër që po, do të ishte një nder për mua.

SYRI.TV: Çfarë je duke bërë kohën e fundit, a pritet ndonjë duel së shpejti nga ju ?

Enea Lapa: Në fillim të Marsit kam një kampionat në Dallas, Texas.

SYRI.TV: Cili është kampionati juaj i preferuar?

Enea Lapa: Kampionati më i preferuar është Fight2win i cili është një event me një ndeshje ku rregullat janë ndryshe nga federata duke u marre parasysh vetëm finalizimet dhe kush është më agresiv.

SYRI.TV: Si kampion që jeni ju keni hasur ndonjëherë në ndonjë paragjykim ?

Enea Lapa: Fillimisht kam pas paragjykime për seriozitetin e këtij sporti por shumë shpejt morën fund duke par punën dhe këmbënguljen që i përkushtova Jiu-jitsut.

SYRI.TV: A ka pasur frik kampioni shqiptar nga covid-19?

Enea Lapa: Patjetër që kemi marrë gjithmonë masat duke u testuar para dhe pas çdo kampionati.

SYRI.TV: A mundeni të na tregoni si është gjendja aktuale ne Florida të Amerikës nga COVID-19?

Enea Lapa: Gjendja po kthehet ngadalë në normalitet pas vaksinimit por gjithmonë duhet të tregojmë kujdes.

SYRI.TV: Sporti juaj me të cilin merreni ju sa ka ndikuar në  Covid-19?

Enea Lapa: Siç përmenda dhe më parë testimi para dhe pas kampionateve mbajti nën kontroll normalitetin e çdo eventi për sportin ton.

SYRI.TV: Si është jeta e një kampioni në Amerikë ?

Enea Lapa: Normal është shumë punë, disiplinë dhe gjithmonë i përqendruar ne misionet e radhës.

SYRI.TV: Si po të trajton jeta si kampion në Amerikë ?

Enea Lapa : Nuk kam ankesa pasi po bëj atë që dashuroj dhe duke u shpallur kampion kërkon më shumë punë për të mbajtur atë vend.

SYRI.TV: Nëse nuk do të ishe kampion , si do takonim ne sot Enea Lapa?

Enea Lapa: Më takonit në akademi duke u stërvitur më shumë dhe duke u përpjekur për tu bërë kampion.

SYRI.TV: Cili është mesazhi yt për lexuesit e portalit Syri.tv?

Enea Lapa: Mesazhi im është të gjeni atë që vërtet dashuroji të bëni dhe punoni vërtet për të.

SYRI.TV: Enea edhe njëherë të falënderoj që gjete kohë të jesh pjese e rubrikës Bardh e Zi dhe ishte kënaqësi e imja që ti ishe mysafir në portalin Syri.tv? SUKSESE dhe më tutje .

Enea Lapa : Ju faleminderit shumë për intervistën dhe për urimet tuaja.

Intervistoi Arben Mehmeti