Mërgimtarët thyen rekord të dërgesave të parave

0
116

Pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin tetor 2020, diaspora ka dërguar rreth 22 milionë euro më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar, shkruan Telegrafi.

Të dhënat tregojnë se në muajin tetor 2020, në Kosovë u sollën 99.8 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 78.2 milionë euro.

Duke krahasuar periudhën dhjetë mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar 90.9 milionë euro më shumë, apo në total 796.5 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 556.8 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Për tremujorin e dytë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 43.1 milionë euro, ndjekur nga Zvicra me 24.3 milionë euro dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 5.4 milionë euro.

Për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 7.2 për qind më e madhe se vitin 2019.