30 Vjet Shkollë e Parë Shqipe në Zvicër – një takim i veprimtarëve të parë…

0
290

Vaxhid Sejdiu – Glarus, tetor 2020      

… më 8 tetor 2020, veprimtarët kryesorë që e bënë Shkollën e parë Shqipe në Zvicër, u takuan për një kafe dhe për të kujtuar atë ditë të mrekullueshme shtatori (20 shtator 1990), kur në Bilten të Kantonit të Glarusit dhe pastaj edhe në fshatrat për rreth u hapën shkollat e para shqipe në Zvicër.

Nga e majta në të djathtë: Maya Hauser, Fritz Weber, Selami Bajrami, Mevlane Jashari, Azem Sadullahu, Hamit Krasniqi dhe Dritë Krasniqi

Një ide brilante e veprimtarit të Shkollës Shqipe z. Selami Bajramit, për një takim të përbashkët të atyre, që e hapën Shkollën e Pavarur Shqipe në Zvicër. Një takim bashkëveprimtarësh shqiptarë dhe zviceranë, të cilët atë ditë shtatori më 1990-të, u bënë bashkë, të një mendimi dhe vepruan në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe. Dhe nga ajo ditë janë hap me dhjetëra dhe qindra shkolla anë e mbarë Zvicrës për të mësuar fëmijët shqiptarë. Por, këta ishin nismëtarët: z. Fritz Weber (ministër i Arsimit për Kantonin e Glarusit), znj. Maya Hauser (koordinatore e arsimit për vendas dhe të huaj), Selami Bajrami (kryetar i Këshillit Prindëror për Kantonin e Glarusit), znj. Dritë Krasniqi (mësuese e parë e shkollës së parë shqipe në Zvicër), z. Azem Sadullahu (sekretar i këshillit prindëror), z. Hamit Krasniqi, (bashkëshort i mësues Dritë Krasniqi), i cili po ashtu u angazhua në orët mësimore gjatë viteve 1998-2000 me fëmijët e refugjatëve nga Kosova dhe znj. Mevlane Jashari (ish – nxënëse e gjeneratës së parë të shkollës shqipe në Kanton e Glarusit). Takimi ishte përgatitur spontan, ideja ishte një kafe pas tridhjetëvjetësh me ata, të cilët punuan me përkushtim në hapjen e shkollës shqipe, apo thënë më qartë, një takim falënderues ndaj përfaqësuesve zviceran të arsimit kantonal të Kantonit të Glarusit,  të asaj kohe z. Fritz Weber dhe znj. Maya Hauser. Ishte ftuar edhe drejtori i Inspektoratit të arsimit të asaj kohe z. Luis Bügler (ish-sekretar i arsimit kantonal). Por ai për shkaqe shëndetësore nuk kishte mundur të vijë në këtë takim. Por nëpërmjet telefonit ishte falënderuar për takimin dhe mbi të gjitha ndihej shumë i lumtur që veprimtarët shqiptarë, me të cilat kishte punuar me vite nuk e kishin harruar.

Një bashkëbisedim i ngrohtë veprimtarësh, rreth shkollës shqipe, integrimit të shqiptarëve në nivel kantonal…

Bashkëbisedimi ishte shumë i ngrohtë, secili në mënyrë të vet filloi t`i kujtoj ato ditë të vështira, ato ditë pune sepse të hapej një pikë shkollore në atë kohë më 1990 nuk ishte edhe aq e lehtë. Secili tregonte nga një detaj të asaj kohe, vështirësitë, pengesat, mundësitë si dhe angazhimin e të gjithëve për ta bërë shkollën shqipe. Dëshira e tyre e madhe, sepse në atë kohë kishte filluar me të madhe ardhja e emigrantëve shqiptarë nga ish- Jugosllavia dhe natyrisht numri më i madh i tyre ishin shqiptarë.  Për lexuesit vlen të përmendet se deri më 1990 shkolla shqipe zhvillohej nën hijen e Ambasadës së Jugosllavisë dhe largimi nga ky koncept për kohën kishte edhe pasojat e saj. Por vullneti dhe vendosmëria e mërgimtarëve shqiptarë dhe mësuesve arriti shkollën e parë shqipe, të pavarur ta bëj realitet. Veprimtarët Selami Bajrami dhe Azem Sadullahu rrëfejnë për angazhimin e Këshillit prindëror dhe prindërve të tjerë rreth hapjes së shkollës shqipe në Bilten dhe më vonë edhe në qytetet tjera në Niderunen, në Oberurnen, në Netstal, në Mollis, në Glarus, në Rüti (GL), në Schwanden dhe në Ennenda, takimet me mërgimtarët, mbledhjet e shumta me prindërit, takimet me drejtoritë e shkollave, dorëzimin e kërkesave për lejimin e klasave, bisedat me përfaqësuesit e shkollave zvicerane dhe deri te përfaqësuesit më të lartë të arsimit në nivel kantonal.

Nga e djathta në të majtë: mësuese Dritë Krasniqi, Hamit Krasniqi dhe Azem Sadullahu

Mësuesja Dritë Krasniqi evokon kujtimet rreth organizimit dhe fillimit të punës me klasat e para dhe pastaj angazhimit gjithnjë e më të madh në përfshirjen e sa më shumë fëmijëve shqiptarë në këto shkolla. Takimet me prindërit, angazhimin në organizimin e klasave, nënndarjen në grupe, vështirësitë gjatë organizimit të orëve mësimore, mungesa e teksteve shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik, presioni i Ambasadës jugosllave që të mos punojnë si shkollë e pavarur, por si shkollë e Ambasadës Jugosllave etj. Po ashtu ajo kujton edhe letrën kërcënuese dërguar nga Ambasada jugosllave, me qëllim që ajo dhe prindërit shqiptarë të tërhiqen nga ky vendim. Por tani, të gjitha kahet e rrugës së re kishin marrë drejtimin, drejt shkollës së parë shqipe, të pavarur në Zvicër, drejt Shkollës “Hasan Prishtina” në Kantonin e Glarusit. Mësuesja Dritë dhe veprimtarët Selamiu, Azemi dhe Hamiti, rrëfenin me admirim për ato ditë të vështira, por edhe ditë krenarie sepse ishin të vetëdijshëm se po vepronin kombëtarisht drejt dhe në shërbim të fëmijëve shqiptarë, të cilët kishin ardhur së bashku me prindërit e tyre në mërgim. Mësuesja Dritë Krasniqi tregon për angazhimin e prindërve, mbështetjen që iu kishin dhënë në fillim derisa ata u vendosën të qëndronin në Glarus. Ajo kishte punuar nga viti 1990 deri në vitin 2000, kurse gjatë viteve 1998-2000 kishte punuar edhe z. Hamit Krasniqi, në mungesë të mësuesve dhe me qëllim që t `mbulonin të gjitha pikat shkollore brenda kantonit. Gjatë kësaj kohe ishte i madh numri i refugjatëve shqiptarë që kishin ardhur si rezultat i luftës në Kosovë dhe gjenocidit që ushtronte policia dhe ushtria serbe mbi popullin shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë. Hamiti vlerëson se ishte një bashkëpunim i gjerë i të gjithëve sepse shkolla shqipe, në fillim kishte nevojë për të gjithë, atëherë numri i nxënësve sillej nga 150 – 200 nxënës, të cilët i vijonin mësimet në gjuhën amtare. Po ashtu i veçantë ishte takimi në mes mësueses Dritë Krasniqi dhe nxënëses së saj znj. Mevlane Jashari, e cila kishte filluar mësimet në gjuhën shqipe në gjeneratën e parë.

Dhe sot, pas 30-vjetësh, z. Selmai Bajrami në një takim të përbashkët dhe falënderues për përfaqësuesit zviceranë z. Fritz Weber dhe znj. Maya Hasuer

Nga bashkëbiseduesit zviceranë z. Fritz Weber dhe znj. Maya Hauser informohemi për përpjekjet e asaj kohe rreth sistemimit të të gjithë atyre emigrantëve që vinin për ditë në Zvicër dhe konkretisht në Kantonin e Galrusit. Të rriturit duhej të sistemoheshin në punë, të punonin kurse fëmijët në shkolla, të sistemoheshin brenda sistemit arsimor zviceranë. z. Weber e pranonte me sinqeritet se derisa, ai ishte marrë më tepër me arsimin e përgjithshëm në nivel kantonal, punën më të madhe në këtë drejtim, për integrimin e të huajve, sistemin e fëmijëve të moshës shkollore, kujdesin ndaj emigrantëve dhe azilantëve  e kishte bërë znj. Maya Hauser sepse ajo ishte koordinatore dhe të gjitha këto detyra binin në dikasterin e saj. Natyrisht thotë ai, unë kam qenë mirë i informuar dhe sot e kësaj dite e kam një pasqyrë të atyre ngjarjeve dhe vështirësie, të viteve të 90-ta, por unë nuk jam marrë drejtpërdrejtë, me këto punë janë marrë nëpunësit e mi. Ndërsa znj. Maya Hauser, kujton në detaje atë kohë të vështirë, sepse ishte shumë vështirë thotë ajo, të sistemoheshin të gjithë ata që kishin nevojë. Dhe numri i emigrantëve që vinin nga ish – Jugosllavia rritej dita – ditës, të gjithë me radhë; të rriturit, fëmijët e tyre nuk e njihnin gjuhën e vendit dhe interesimi i të rriturve për ta mësuar gjuhën ishte shumë i ulët sepse kishin më tepër interes të punonin, por në anën tjetër pa njohjen e gjuhës, integrimi apo angazhimi i tyre nëpër vendet e punës ishte shumë i vështirë.

Ajo flet me admirim për prindërit të cilët angazhoheshin rreth shkollës shqipe dhe mbi të gjitha për bashkëpunimin e mirë me mësuesen Drita Krasniqin, me të cilën ajo kishte punuar me vite.