Dermatologu Eshref Aliu rrëfehet për sukseset e tij për herë të parë në rubrikën ,, Bardh e Zi“ të portalit Syri.tv në Zvicër.

0
1426

Syri.tv: përshëndetje z.Eshref Aliu, është kënaqësi për ne të jeni pjesë e rubrikës Bardh e Zi në portalin syri.tv nga Zvicra.

Eshref Aliu: Përshëndetje Juve stafin e palodhur të Syri.tv dhe faleminderit për ftesën!

Syri.tv: Na tregoni ju lutem, kush është dermatologu Eshref Aliu?

Syri.tv: Linda na fshatin Gosponicë të komunës së Preshevës ku edhe mbarova 4 vitet e para të shkollës fillore për ta vazhduar nga klasa e V-VIII në fshatin Rahovicë. Gjimnazin e kam kryer në Preshevë dhe pastaj filloi një furi rreth shkollimeve të mëtutjeshme.

Studimet i fillova në Prishtinë dhe pas turbullirave dhe mbylljes se fakultetit nga regjimi serb u transferova në Sarajevë, për vetëm rreth 7-8 muaj pasi që edhe atje plasi lufta, nga Sarajeva u transferova në Tiranë ku edhe përfundova studimet.

Specializimin nga Dermat venerologjia e mbarova në Prishtinë.

Tani punoj si Dermatoenerolog në Shtëpinë e shëndetit në Preshevë, po ashtu kam edhe ordinancën private ,,Derma E“, në të cilën punoj pas orarit të rregullt në Shtëpinë e Shëndetit.

Syri.tv: Si filloi rrugëtimi juaj si mjek i Dermatvenerologjisë?

Eshref Aliu: Si çdo rrugëtim edhe ky i imi nuk ishte i lehtë. Në fillim vet fakti se pas diplomimit prapë duhej marr rrugën që edhe 4 vite ti kalonim në specializim. Nuk janë pak 4 vite kur dihet se në ç ‘gjendje ekonomike e politike dhe çfarë perspektive e rëndë e priste Preshevën.

Syri.tv: Doktor çfarë është përvoja juaj si specialist i dermatologjisë?

Eshref Aliu: Një përvojë 15 vjeçare si dermatolog flet shumë edhe nga vet fakti që jam i vetmi në Luginën e Preshevës. Deri sa nuk jam ballafaqua me problemet dermatovenerologjike që ka në popullatë, as unë si mjek nuk e kisha dit se sa shumë sëmundje fshihen dhe mbahen sekret nga njerëzit- ndoshta nga mos informimi, turpi apo shkalla e vetëdijes.

Syri.tv: Cila është pjesa më e bukur e profesionit dhe cila më e vështira?

Eshref Aliu: Pjesa më e bukur  në  profesion  për mua është kur shoh se mundi e sakrifica ime po jepen aty ku u linda, sepse unë mendoj që çdo kush ia ka borxh kësaj toke t’i kthej bile diçka nga ajo që e mori këtu.

E kur flasim për pjesën e vështir mund të them se ato janë të shumta por kurrë nuk e kanë  mundur pjesën e bukur të profesionit. Unë vetëm një gjë mund ta them se për mua më e vështira është ajo se jemi ende larg edukatës si popullatë sa i përket shëndetit tonë. Ende besojmë se të tjerët din më shumë se ne shqiptarët, ende besojmë në të shkruar te fallxhorja apo hoxha për ta shëruar një sëmundje të lëkurës apo lëmi tjetër, ende mjekohemi me barna që i ka përdor dikush(sepse atij i paskan bë mirë), apo edhe duke shkuar drejt në barnatore pa e vizitua mjekun. Këtu lindin vështirësitë sepse shpesh gjendja komplikohet aq shumë sa që vështirë është t’ia bësh zgjidhjen, kurse ai në fund nga Ti lyp ,, çarën“.

Syri.tv: Cilat janë sukseset tuaja gjatë karrierës tënde si mjek i dermatovenerologjisë?

Eshref Aliu: Mund të them se problemet që përfshin Dermatovenerologjia (duhet cekur se përveç sëmundjeve të lëkurës te ne mjekohen edhe sëmundjet seksualisht të transmetuese: AIDS, gonorea, sifilisi etj),  janë të shumta- andaj në përvojën time si 15 vjeçare si dermatolog besoj se gjithë ai numër i pacientëve (mijëra pacient) që kanë kaluar nëpër duart e mia; është  suksesi më i madh për mua.

Syri.tv: cili është motivi juaj si dermatolog?

Eshref Aliu: Kur fillova këtë rrugëtim motivi im kryesor ishte popullata e Luginës si mund t’i ndihmoja.

Syri.tv: Cilat janë këshillat  që jepni tek personat për të parandaluar sëmundjet e ndryshme të lëkurës?

Eshref Aliu: Këshilla ime e parë për çdo pacient është: për çdo problem tuajin shëndetësor drejtohuni mjekut,  këshilla e dytë sa i përket problemeve të lëkurës dhe atyre venerike; kini kujdes higjienën sepse shumë sëmundje të lëkurës po edhe ato venerike e kanë zanafillën nga higjiena jo e mjaftueshme personale.

Syri.tv: cilat janë sëmundjet më të shpeshta dhe më të rrezikshme tek fëmijët dhe  të rriturit?

Eshref Aliu: Sëmundje më të shpeshta tek fëmijët janë alergjitë e shumta si në pluhura ashtu edhe në ushqime si dhe infeksionet e ndryshme të cilat përhapen shumë shpejt. Kurse te të rriturit ka shumë sëmundje kronike të cilat i përcjellin gjatë gjithë jetës e që u shkaktojnë mjaft probleme  shëndetësore por edhe probleme të natyrës psiko-sociale.

Syri.tv: Sa është e zhvilluar kultura e këtij profesioni në Preshevë?

Eshref Aliu: Unë edhe më lart e ceka se ende jemi larg sa i përket kulturës shëndetësore,  kur dihet sa të shumta janë rastet të cilat më parë tentojnë të shërohen përmes dikujt apo ndonjë metode tjetër e në fund i drejtohet mjekut. Megjithatë vetëdijesimi tani është shumë më i lartë se sa kur isha fillestar si mjek.

Syri.tv: A mund të na tregoni synimet tuaja ?

Eshref Aliu: Si në çdo profesion edhe ky i imi kërkon mundi e mjete për t’i realizuar synimet që ke. Kjo nuk ishte e mundur deri para një viti e gjysmë kur hapa ordinancën private e në të cilën investova mjete- gjithçka  të kohës me qëllim që pacienti ti ketë të gjitha shërbimet dermatovenerologjike por edhe kozmetike në një vend pa pas nevojë të udhëtoj në qendra tjera.

Syri.tv: Shpresoj të keni kaluar mirë këtë periudhë të pandemisë së Covid 19?

Eshref Aliu : Për fat të mirë pa probleme si në aspektin personal ashtu edhe në at të ngushtë familjar.

Syri.tv: Me qenë se jemi në gjendjen e vështirë të Pandemisë së Corona virusit apo covid 19,  a mund të na tregoni si dermatolog si përhapet dhe si të mbrohemi?

Eshref Aliu: Tani të gjithë e dinë se Covid 19 është një sëmundje virusale ngjitëse dhe shumë e rrezikshme për jetën e njeriut kur dimë se deri tash mori shumë jetë njerëzish.

Përhapet përmes kontaktit të afërt; spërklave nga goja e hunda si dhe kontaktit me duar, andaj meqë rrezikshmëria nga sëmundja është e lart, mbrojtja më e mirë është distanca,  mbajtja e maskës si dhe higjiena e shtuar-larje sa më të shpeshta të duarve me sapun dhe dezinfektimi i hapësirës ku punon e jeton.

Syri.tv: A  do të lejë pasoja ky virus,  për shëndetin e njeriut por edhe pasoja tjera çfarë do qofshin ato?

Eshref Aliu: Natyrisht që pasojat do ketë si për shëndetin ashtu edhe për ekonominë, por ende është herët të flitet për to pasi që pandemia ende nuk ka marr fund.

Syri.tv: Sa do të lenë pasoja në vendlindjen tonë në trojet tona, marr parasysh zhvillimin e ulët ekonomik e kulturor të atyre trojeve nga kjo pandemi?

Eshref Aliu:  Natyrisht që kjo pandemi ka prek të gjithë, por neve si treva të pa zhvilluara ndoshta edhe më shumë kur dihet  papunësia e madhe dhe kur dihet se shumë biznese nuk mund të funksionojnë më kështu të mbyllur, nga ana tjetër jetojmë në një shtet ku interesimi për këtë popull është nën zero.

Syri.tv: z.Aliu a mund të na tregoni cili është numri i të infektuarve nga COVID-19 në Luginë të Preshevës?

Eshref Aliu: Jo! Unë për numër të saktë të infektuarve nuk mund të flas sepse shifra të sakta nuk posedojmë, sepse mendoj se as shteti e as pushteti nuk ka informata të sakta kur dihet se shumë pak i është kushtuar shëndetit të kësaj treve.

Deri para do kohësh është proklamuar me të madhe se krejt bota është infektuar kurse vetëm ne në Preshevë nuk kemi raste pozitive,  e që javët e fundit po ndodh diçka e kundërt- gjithkund gjendja po përmirësohet, kurse te ne gjendja është alarmante. Tani nuk flitet për numra sepse at numër askush nuk e din. Nga ana tjetër pacientët tan në mungesë spitali në Preshevë, disa shkojnë në Rep.e Kosovës për tu shëruar,  disa e mbajnë fshehur në shtëpi e një numër janë të detyruar të shkojnë në qendrat spitalore në Serbi.

Syri.tv: Në mesin e këtyre të infektuarve a ka pasur shqiptar?

Eshref Aliu: Natyrisht-në Preshevë e Bujanovc jetojnë shqiptar dhe në pyetjen paraprake e pata fjalën për shqiptarët.

Syri.tv: Cilat ja pasojat e Covid-19 në lëkurë,  si duhet ta mbrojmë lëkurën nga ky virus.

Eshref Aliu: Është konstatuar se Covid-19 shoqërohet edhe me ndryshime lëkurore që të japin përshtypjen e alergjive të ndryshme, që shpesh shoqërohen me simptomat e rrugëve të frymëmarrjes dhe temperaturë. Sa i përket mbrojtjes së lëkurës,  vlejnë të njëjtat masa që u cekën më lartë.

Syri.tv: cila është këshilla e juaj si dermatolog rreth situatës me Covid-19?

Eshref Aliu: Këshilla ime do të ishte; të mbrohemi në maksimum ashtu siç na rekomandojnë profesionistët, të mos neglizhohet situata në të cilën ndodhemi duke;  mendua se ,,mua“ nuk më gjen gjë, sepse vjen një moment që bëhet vonë edhe për ndihmë nëse e kërkon.

Syri.tv: Si është gjendja aktuale në Luginë të Preshevë kohët e fundit?

Eshref Aliu:  E ceka më lart: alarmante, me përmasa shqetësuese.

Syri.tv: E ndjeni mungesën e epidemiologëve, infektologëve në Preshevë?

Eshref Aliu: Natyrisht që po. Në mungesë të tyre dhe spitalit ne detyrohemi të bredhim gjithkah.

Syri.tv: Si e ka gjetur Luginën e Preshevës Covid-19, sa është e përgatitur në këtë drejtim, sa i ofrohet ndihmë nga shtabi mjekësor për personat e prekur nga Covid-19?

Eshref Aliu: Masat e duhura për të evituar eskalimin e gjendjes mendoj se janë të vonuara, kurse stafi mjekësor në rrethanat që vepron mendoj se e ka dhënë provimin.

Syri.tv: Si po të trajton jeta në Luginë të Preshevës si dermatolog?

Eshref Aliu: Çdo njeri mendoj se jeta e trajton ashtu sikur orientohet vet. Për veten time nga do që kam shkua mendjen e kam pas të kthehem ne Preshevë dhe aty të kontribuoj. Kurrë nuk e kam lakmua gurbetin edhe pse kam qenë i vetëdijshëm se nga ana financiare dhe mirëqenia në aspekte tjera do të isha më  mirë. Isha i bindur se askund në botë s’do të gjeja një vendlindje të dytë. Gjithmonë jetoj me bindjen se skam gabuar që kam qëndruar në vendlindje-koha do ta tregoj.

Syri.tv: Si është jeta e një dermatologu në Preshevë?

Eshref Aliu: Si e çdo qytetari pa marr parasysh profesionin që ka vendos që lindjen dhe perëndimin e diellit ta shoh nga aty ku e kanë par paraardhësit e tij.

Syri.tv: Sikur të mos ishe Dermatolog, si do ta takonim  ne sot Eshref Aliu-n?

Eshref Aliu: Besoj përsëri do ta takonit në Preshevën e bukur duke u marr me ndonjë punë që do i mjaftonte të jetoj me dinjitet.

Syri.tv: Me kë jeton dermatologu Eshref Aliu?

Eshref Aliu: Me prindërit, gruan dhe dy djemtë, të cilët për momentin njëri studion për mjekësi në Gjermani dhe tjetri student në Prishtinë.

Syri.tv:  Dhe në fund një porosi për gjithë shikuesve  të TV Syri në Zvicër dhe lexuesve dhe dashamirëve të portalit me të njëjtin emër, Syri TV?

Eshref Aliu: Së pari Syri TV e falënderoj për intervistën dhe ju uroj jetë të gjatë e shumë suksese. Shikuesve dhe shqiptarëve kudo që janë u uroj shëndet e lumturi. Mos ta harrojnë vendin e tyre dhe kurrë mos të heqin dorë nga vendi i cili kanë ardhur. Shëndet e gjithë të mirat ku do që të ndodhen.

Me respekt Dr. Eshref Aliu

Intervistoi Arben Mehmeti