Monografi letrare për tre dëshmor të UÇK-së

0
478

Gani Xhafolli është njëri ndër krijuesit e mirënjohur  jo vetëm brenda vendit tonë por edhe më gjerë. Veprat e tij letrare janë  përkthyer edhe në disa gjuhë botërore. Ai  ishte dhe mbeti një zë i çmuar  dhe me shumë vlerë në letërsinë shqipe e sidomos në letërsinë për fëmijë. Xhafolli me vargjet e tij të realizuara me aq shumë kujdes e dashuri prindërore për jetën dhe bukuritë e saj, mbeti shumë i dashur  sidomos për fëmijët dhe vepra e tij do të jetoj gjatë ndër brezni.

Përpos poezisë dhe prozës artistike ai shkroi edhe vepra tjera  ku njëra ndër to është edhe monografia letrare “Dielli me tri dritare” kushtuar tre dëshmorëve të UÇK-së, Ilir Durmishi, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi.

Që në hapje të këtij  libri në vend të prologut autori flet për ditën e parë në shkollë të Dea Durmishit,vajzës së dëshmorit Ilir Durmishi.

Ajo e kishte vizatuar një diell të madh me tri dritare.

Në dritaren e parë e kishte vizatuar një mollë .

Në dritaren e dytë një lule, në dritaren e tretë një lejlek. Në orën e parë i kishte thënë mësueses merre!

Mësuesja e kishte shikuar me kureshtje diellin dhe lejlekun, lulen dhe mollën.

-Ti je një dallëndyshe e bukur. Duhet të krenohesh…Je bija e dëshmorit. Dhe e kishte përqafuar.

Pastaj librin Xhafolli e ka konceptuar në disa pjesë ku sjell shumë  kujtime për dëshmorin Ilir Durmishi dhe bashkëveprimtarët e tij Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi që u vranë nga dora e zezë në Prishtinë më 2 dhjetor 1998. E sot emrat e tyre bëjnë dritë në përmendore .

Kjo ishte një vrasje makabre e dëshmorëve Hyzri Talla, oficer i lartë i UÇK-së, Afrim Maliqit, gazetar i “Rilindjes” dhe Ilir Durmishit, student . Ata u vranë nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë derisa ndodheshin në një mision ushtarak.

Lufta e UÇK-së e ndryshoi politikën brenda shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve duke treguar përfundimisht se zgjedhja e problemit të Kosovës përkatësisht shqiptarëve mund të arrihet vetëm me luftë.
Veprimtaria politike dhe ushtarake është gërshetim i mençurisë dhe i trimërisë së popullit të Kosovës.

Të flasësh për dëshmorët do të thotë të përfshish një etapë të lëvizjes sonë  kombëtare ku ranë shumë dëshmor, ndër ta  edhe kolosët e lëvizjes së UÇK-së Hyzriu, Afrimi dhe Iliri.

Autori në këtë monografi letrare ka sjell shumë kujtime  të rrëfyera nga prindërit e Ilirit, bashkëshortja dhe motrat e tij. Ata kujtimet e tyre i sjellin që nga lindja e dëshmorit  e deri me rastin e rënies së tij, por duke rrëfyer edhe për shokët e tij të pandashëm me të cilët nuk i ndau as vdekja.

Janë shumë prekëse rrëfimet e familjarëve, ato janë plotë me mall e dhembje, por janë edhe krenar që Iliri bashkë me shokët e tij  dha jetën për lirin e shumëpritur të Kosovës. Iliri e Afrimi ishin djem hasreti, por për fat të mirë që të tretë  pas vetës lanë trashëgimtar të cilët sot  rriten në Kosovën e lirë, në Kosovën për të cilën ranë baballarët e tyre në kohën më të mirë të jetës, por që për liri nuk ju dhimbsej jeta.

Iliri vazhdimisht thoshte: “ Në Kosovë do të jemi ne ose ata…me kriminel më nuk mund të  jetohet…”

Autori sjell rrëfime  të prindërve të Ilirit të cilat janë  shumë prekëse  ku ndër tjera nëna e Ilirit thotë : “ :Iliri ishte i vetmi djalë…Ishte shtyllë kryesore  e familjes. Vrasja e tij na i dogji zemrat…Na sosi me prush për së gjalli …” Ndërsa babai i tij ndër tjera thotë : “Iliri disa muaj para vrasjes , gati çdo javë na thoshte : Tash pasi e kam Orgesin edhe nëse vritem nuk është me rëndësi , dikush duhet të vritet…Edhe vdekja është e bukur kur jepet jeta për LIRI.”

Dëshmorët e kombit qenë në mesin e shumë djemve dhe vajzave shqiptare  që u mësyn të ecnin shtigjeve të lirisë dhe është vështirë të shkruhet dhe të nxirren në sipërfaqe heroizmat e luftëtarëve të lirisë . Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi tani dëshmor të kombit qenë ndër ata që u mësyn të ecnin këtyre shtigjeve. Vështirë ishte. Këtë  e dinë  vetëm ata mbi supet e të cilëve peshoi kjo barrë.

Në këtë monografi zë vend edhe intervista e zhvilluar nga Afërdita Skënderi me Shqipe Durmishin, bashkëshorten e Ilirit, e cila flet që nga dita e njohjes së saj me Ilirin  dhe deri në ditën e rënies së tij.

Po ashtu familjarët e Ilirit rrëfejnë edhe për kohën e luftës dhe dëbimin e tyre nga shtëpia dhe përndjekja për në Maqedoni  si edhe për kthimin e tyre pas luftës në Prishtinë. Në këtë pjesë shpesh herë tregojnë edhe për pyetjet e shpeshta të fëmijëve se ku e kanë babin  si gjatë kohës së qëndrimit në Maqedoni, ashtu edhe pas kthimit të tyre në Prishtinë ngase ata ishin  atë kohë të vegjël që të kuptojnë se babai i tyre ka rënë për liri.

Në libër  ka edhe shumë  foto të ndryshme të Ilir Durmishit dhe shokëve të tij po edhe të familjarëve, prindërve, fëmijëve, bashkëshortes, motrave dhe të tjerëve.

Më 28 nëntor 1999 në Prishtinë u bë zbulimi i Pllakës përkujtimore për dëshmorët : Murat Mehmeti, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Ismet Krasniqi, Bedri Sokoli, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Agron Rrahmani, Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

Më pas në libër autori sjell  disa rrëfime  të shkurta  të disa rrëfyeseve  për të tre dëshmorët si : Arben Talla, Gazmend Musa, Fatime Mustafa, Violeta Mehmeti, Pranvera Musa, Lulzim Krasniqi dhe gruaja e Hyriut, Sebahatja.

Po ashtu ka faksimile  të shkrimeve të gazetave që kanë shkruar për vrasjen e tre pjesëtarëve të UÇK-së në kodrën e Diellit në Prishtinë  më 2 dhjetor 1998 si dhe faksimile  të dokumenteve dhe ftesave të ndryshme.

Në pjesën e fundit që autori e titullon “Në vend të epilogut” pos tjerash ai shkruan :

”Ujqit kanë hyrë në  Tropojë në Ulqin Shkup Sanxhak e Çamëri

……………………………………………

Nuk durohet gjarpri rreth qafe

Lulet janë të mbyllura në kornizë

Në Shajkoc Iliri lexon Lahutën e Malcisë

Në Besianë Afrimi e lexon Borhesin

Në Letanc Hyzriu vizaton HARTEN e Ilirisë.

Këta emra të ndritshëm janë yje që ndriçojnë të ardhmen e lirë të Kosovës. Ata janë roje  e përjetshme të kësaj kalaje që nuk do të shembet më kurrë, që quhet Kosovë. Sa herë që mund të kërcënohen portat e kësaj Kalaje , janë feniksët e lirisë  ata që sërish do të flijohen  në themelet e saj. Prandaj, për të gjithë ne  është detyrë mbi detyrat të mos i harrojmë  për asnjë çast të gjithë ata shpirtra të shenjtë  të kësaj toke  që ngritën lart flamurin e lirisë, flamurin e Skënderbeut.

Na bënë të shohim veten tonë dhe pozitën në të cilën jemi. Realiteti në të cilin po jetojmë ne sot nuk është ende  ideali i luftëtarëve të lirisë për të cilin u betuan dhe u flijuan. Ne sot duhet ti kthehemi vetes tonë dhe të ecim përpara drejtë synimeve tona kombëtare.