EMRUSH RAMADANI, ALIAS AGA-VULLNETARI I DY LUFTËRAVE TË FUNDIT SHQIPTARE QË ERDHI NGA EUROPA, POR QË SËRISH U KTHYE ATJE

0
1339

Portret i një luftëtari që kurrë nuk rrahu gjoks mbi luftërat e tij

Emrush Ramadani, alias Aga erdhi vullnetarë në UÇK nga Londra e Anglisë së bashku me shumë shokë tjerë. Ai kishte ardhur nën organizimin e Zyrës së Zëdhënësit të UÇK-së për Angli Z.Pleurat Sejdiu që organizonte vullnetarët shqiptarë. Ai mori pjesë në Operacionin “Shigjeta”, një operacion më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë ushtarakisht nga ndonjë forcë shqiptare në historinë e saj. Pas kësaj, Aga mori pjesë edhe në luftën e UÇPMB-së në Kosovën Lindore duke qëndruar në pikën e Shoshajës së Epërme deri me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001, Marrëveshjen e ashtuquajtur të Paqes ndërmjet Serbisë dhe krerëve të UÇPMB-së. Ai, mëpas ktheht në Prishtinë, në pamundësi të një jete më të mirë kthehet sërish në Europë, por tani në Belgjikë ku merr edhe letrat e këtij shteti dhe tani e tutje është duke jetuar me familjen e tij tetë anëtarëshe. Një histori të këtillë rallë kush mund ta ketë fatin ta përjetojë. Ky është vërtet një legjendë e gjallë dhe një patriot i rallë, që ka treguar me vepra, se si duhet duhet Atdheu dhe jo si disa të tjerë që e kishin keqpërdorur luftën për përfitime personale. Nga Kosova u largua për shkak të kushteve jo të mira të jetës, nuk kishte as banesë dhe asgjë, ndërsa disa shok të tij të luftës tashmë kanë bërë pasuri marramendëse. Secili e shkruan historinë e vet sipas veprave dhe ndërgjegjes së tij dhe këtë histori padyshim se Aga e kishte shkruar në formën më të pastër, duke ndenjur besnik deri në fund idealeve për çka kishte luftuar.

Aga me bashkëluftëtarë në malet e Pashtrikut

NGA LONDRA KISHTE ARDHUR PËR TA ÇLIRUAR KOSOVËN
Luftës së fundit të UÇK-së në Kosovë iu ishin bashkangjitur shumë të rinjë e të reja nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Kushtrimit të kësaj ushtrie iu kishin përgjigjur edhe djem e vajza, burra e gra edhe nga Diaspora, Europa, Amerika dhe nga të gjitha anët e botës. Erdhën shumë vullnetarë për ta çliruar Kosovën, për ta ndihmuar një popull që vritej, masakrohej dhe dëbohej nga shtëpitë e tyre nga një shtet kriminal dhe fashist, siç ishte Serbia.
Emrush Ramadani, alias Aga ishte njëri ndër këta vullnetarë që në UÇK erdhi nga Europa, pikërisht nga Londra e Anglisë. Ai kishte vite të tërë që qëndronte në Europë, i cili më herët kishte ikur nga Jugosllavia për shkak të mosperspektivës dhe krizës që e kishte kapluar këtë shtet. Kishte rreth 10 vjet që qëndront atje me familjen e tij, njëherë kishte qënduar në Gjermani, Angli dhe pastaj në Belgjikë. Por, kur plasi lufta në Kosovë nuk e zinte vendi vend. Ai tregon se u ndjente shumë i mërzitur, kur shikonte skenat e krimeve serbe që zhvilloheshin në Kosovë, sidomos ndaj fëmijëve, pleqëve, grave dhe të tjerëve. Kjo ishte një gjendje shumë e vështirë për ta përballuar, sidomos në gurbet. Të gjithë ata që kishin pak gjak shqiptari duhet të ndiheshin të trishtuar, tha ai.
Emrushi nuk ishte nga Kosova dhe këtu nuk kishte familje, apo ndonjë familjarë të vetin që ishte direkt i rrezikuar nga vrasjet serbe, ky një ditë kishte vendosur të lajmrohet në Zyrën e Zëdhënist të UÇK-së në Londër te Pleurat Sejdiu, i cili në atë kohë ishte zëdhënësi i saj për Angli, Gjermani dhe shtetet e Beneluksit. Emrushi ishte i lindur në Corroticë të Preshevës, por që nga viti 1991 kishte emigruar në Europë dhe jetonte atje.

NË KOSOVË ERDHI PËR TË LUFTUAR VETËM PËR SHKAK TË NDJENJAVE PATRIOTIKE
Ai, pasi lajmrohet si vullnetarë, kishte qenë i detyruar të presë një kohë deri sa të grumbulloheshin edhe vullnetarët tjerë që do të bënin një Kontigjent dhe do të nisen me autrobusë për në Brindizi të Italisë, kurse nga aty më pastaj për në Durrës. Pikërisht dhe kështu kishte ndodhur, kjo ishte një udhë shumë e gjatë dhe e mundimshme, por vullneti, forca dhe krenaria për të ardhur me luftuar me armiqë që vrisnin fëmijë, pleq, gra e burra shqiptarë, që digjnin e piqnin çdo gjë shqiptare, këta i bënin edhe më të fortë seç ishin. Aga shpjegonte se vërtet kishin një moral shumë të madh, tanë udhës kishin kënduar këngë për luftën, trimat e dikurshëm, për Adem Jasharin dhe sakrificën e tij familjare, etj. Kjo ishte një ndjenjë e papërshkuar e këtyre vullnetarëve që ishin kryesisht djem të rinj, që kishin ardhur të luftonin duke lënë punën dhe kafshatën e gojës në Europë.
Ai shton, se para se të nisej në luftë kishte shitur makinën personale dhe kishte ca mjete të grumbulluara financiare me të cilat i kishte blerë edhe armët dhe pajisjet tjera dhe kështu ishte nisur për në Kosovë. Momenti më i rendë i tij ishte ndarja nga nëna dhe motra e tij të cilët ishin të smura, por vetëm ndjenja patriotike dhe një vullnet kaq i fortë e kishte detyruar të ndërrmirrte këtë hap. Jo gjithë kushi kishte mundur ta bëjë një veprim të këtillë.

Në Policinë ushtarake të UÇK-së

Nga Brindizi i Italisë, më pastaj kishin ardhur me një anije deri në Durrës, në pikën e UÇK-së ku bëhej grumbullimi i vullnetarëve që vinin nga gjitha vendet e Europa dhe shteteve tjera të botës. Pas një qëndrimi të shkurtër aty, më pastaj kishin vazhduar rrugën për në veri të Shqipërisë, në zonat e Hasit dhe Krumës, nëpër fshatrat e këtyre krahinave shqiptare ku ishin edhe të vendosura Brigadat e UÇK-së.
Ai aty ishte ballafaquar për herë të parë me fenomenin e mbijetesës së njeriut, i cili luftonte për jetë a vdekje. Popullësia civile e këtij rajoni ishte shumë e dashur, por kushtet ekonomike të tyre ishin shumë të këqija dhe në të shumtën e rasteve nuk kishin as ushqimet elementare për jetesë. Disa here isha detyruar që t’iu blej ushqime nga ato para që i kisha kursye në Perëndim dhe të ushqehemi bashkë të gjithë. Pra, ishte një gjendje shumë e vështirë, si për popullatën civile, por edhe për ushtrinë tonë, së cilës i mungonin kushtet e mbijetesës, tregonte ai.

OPERACIONI “SHIGJETA” ISHTE MË I MADHI NË BETEJAT E UÇK-SË
Ai tregon se këtu ishte rreshtuar në Policinë Ushtarake (PU) të UÇK-së bashkë me disa shok të tij, të cilët kryenin detyrën me nderë dhe përkushtim. Por, futja në luftë me armikun kishte ndodhur vetëm gjatë operacionit “Shigjeta” që ishte ndërmarrë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pas tre muaj luftimesh ishim futur në Kosovë, së pari në malet e Pashtrikut dhe pastaj në Prizren. Hyrja në Kosovë ishte një ndjenjë e veçantë dhe këtë nuk mund ta përshkruaj kurrë. Ajo ishte dita më e lumtur e jetës sime, thotë Aga. Në Prizren menjëherë ishim vendosur në Kazermat e ushtrisë duke pritur urdhërat tjerë nga eprorët tanë. Dhe, kështu kishte ndodhur, kishim marrë urdhërin të shkojmë në Prishtinë. Ardhja në Prishtinë kishte ndodhur pas nënshkrimit të Marrëveshjet së Kumanovës, pas 10 qershorit. Nuk kishte luftime, por tani pritshim rrishterimet e reja dhe shpërndarjen tonë në detyrat e reja.

Në Operacionin “Shigjeta” në Pashtrik

Mirëpo, pas formimit të Qeverisë së Përkoheshme të Kosovës pata fatin të punësohem në Ministrinë e Rendit dhe aty kisha qëndruar për disa muaj duke punuar në zyrën e Ministrit të Rendit, z.Rexhep Selimi. Pas formimit të Këshillit Tranzitor të Kosovës kalova në Administartën e Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësish në Stafin e Sigurimit të saj.

Në Ministrinë e Rendit në Prishtinë me Rexhep Selimin

LUFTA E TIJ DHE PJESËMARRJA NË UÇPMB-NË E LUGINËS SË PRESHEVËS
Por, me fillimit e luftës në Kosovë Lindore, përkatësisht në Luginën e Preshevës, menjëherë isha inkuadruar qysh në fillim të saj, për disa muaj kisha qëndruar në pikën e Shoshajës së Epërme, ku ishte edhe Togu me të cilin zhvillonim operacione luftarake. Kjo ishte sfida e dytë e jetës sime tregon Aga. Sepse, ai tashmë kishte krijuar familje dhe kishte lënë gruan me dy fëmijë të vegjël në banesë për t’iu bashkangjitur luftës së UÇPMB-së.
Kjo luftë i kishte dhënë edhe një përvojë më të madhe seç kishte deri më tani. Ai, aty qëndroi deri në fund të saj, kur ndodhi edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit dhe demobilizimi i saj. Pastaj, sërish kthehet në Prishtinë, në familjen e tij, por kushtet e jetës kishin filluar të rëndoheshin. Paga që merrte nuk i mjaftonte për mbajtjen e familjes dhe nuk kishte as banesë të veten. Në ndërkohë kishte vendosur të kthehet atje nga kishte ardhur, vendim të cilin e kishte marrë me vështirësi të madhe. Ai thotë se ky ishte vendimi më i rëndë i jetës së tij. As vdekja nuk ishte më e rëndë se ky vendim. Sepse u dashtë me i lënë fëmijët dhe gruan, por tani për kafshatën e gojës. Më mirë do të kisha pranuar të luftoja deri në vdekje se sa të merrja një vendim të këtillë, të kthehem sërish, në Perëndim, tha ai.

Nëna dhe motra e tij, të cilët i kishte lënë me lot në sy dikur

KTHIMI I TIJ I SËRISHEM NË EUROPË
Por, në fund kishte vendosur të kthehet në Belgjikë, atje edhe ku kishte tashmë familjen, nënën dhe motrën, të cilët i kishte lënë me lotë në sy ditën kur e kishin përcjellur në luftë. Shkuarja e tij ishte në formë ilegale, sepse Aga nuk kishte asnjë dokument udhëtime, ai disa here kishte ndërrua vendbanimet në Europë. Ai ishte detyruar të largohet nga gruaja dhe dy vjazat e tij të vogla dhe për t’u kthyer në Belgjikë. Vetëm pas dy vjet pritjeje kishte arritur të marrë edhe gruan dhe fëmijët me vete në Belgjikë, në qytetin Namyr, në të cilin jeton edhe sot e kësaj dite, por tashmë me familje të madhe dhe kushte të mira, sepse Zoti i Madh ia kishte mundësuar këtë gjë, ia kishte mbushur edhe shtëpinë me fëmijë.
Ai një kohë nuk kishte fëmijë, por që tani Zoti ia fali gjashtë fëmijë, katër vajza dhe dy djem, për kuriozitetin e madh të gjithë këta janë bineq, dy nga dy. Historia e këtij vullnetari të dy luftërave shqiptare është një tregim i jashtëzakonshëm, një tregim historik, prandaj jo gjithë kush e kishte fatin t’i mbijetojë këtyre sfidave nëpër të cilat kishte kaluar ky hero tashmë i gjallë i kombit dhe vatanit.

Së bashku me familjen e tij gjatë pushimeve në Prishtinë

FRIGA NGA HAKMARRJE SERBE NDAJ FAMILJES SË GJERË NË VENDLINDJE
Ai tregon se të vetmen brengë gjatë luftës sa ishte në UÇK ishte për familjen e gjerë në Corroticë të Preshevës dhe friga e ndonjë hakmerrje serbe ndaj tyre për shkak të pjesëmarrjen në kët luftë. Kjo shpesh më shkonte në mendje, por shyqyr Zotit që nuk kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe. Kishte raste të shumta, kur ndëgjonim nga shokët, apo komandantët tanë t’iu vriteshin familjarët nga çetnikët serb, shkaku i hakmrrjes ndaj pjesëmarrjes së tyre në këtë luftë, dhe kjo për fat të mirë nuk kishte ndodhur.

MEDALONI I HUMBUR DHE LAJMI PËR VDEKJEN E TIJ
Aga tregon edhe një detal mjaftë interesant, kur gjatë luftimeve i kishte humbur medaloni i UÇK-së, ajo shenja që e mbanin ushtarët, sidomos gjatë rënies së tyre në frontë, për t’u bërë identifikimi më i mirë i tyre. Këtë medalon e kishte gjetur një shok i tij i luftës dhe e kishte marrë me vete. Ai kishte menduar se Aga ishte vrarë dhe dorë mbas dore i kishte shkuar babait të tij, përkatësisht xhaxhait tim, i cili jetonte në Shkup. Por, ne nuk kishim informatë se dikush nga familja jonë ishte në luftë. Aga, babai i tij, pseudonim të cilin e mbante edhe gjatë luftës ishte bërë shumë merak dhe unë kisha rastisur ta vizitoja pas luftës në Shkup, të cilën gjë ma kishte shprehur dhe më kishte ngarkuar të shkoj deri në Kosovë dhe ta hulumtojë rastin. Meqë, unë isha i lidhur që moti me Prishtinën, menjëherë erdha këtu dhe fillova hulumtimin e tij se ku mund të gjende trupi i tij. Ndërkohë, e kisha kërkuar në Shtabin e UÇK-së në Prishtinë, dikush më tha që mund të jetë gjallë dikund në Prizren, sepse atje është një Kazermë ku ka ushtarë nga Presheva dhe trojet tjera etnike. Shkova në Prizren, por nuk munda ta gjej. Sërish, u ktheva në Prishtinë, dhe pas nja dy a tri ditësh u gjetëm dhe u takuam. Ishte vërtet një moment mjaftë mallëngjyes, sepse kishte rreth 10 vite që nuk ishim parë. Më pastaj, me telefon e njoftova xhaxhain tim se gjendet shëndoshë e mirë, por ajo me medalonin ishte një gabim që kishte mdodhur gjatë betejave në Pashtrik. Pas, kësaj ai ishte rehatuar dhe pas ca ditësh kishte ardhur vetë ta vizitonte djalin e tij, të cilin nuk e kishte parë më shumë se një dekadë. Xhaxhai më vonë kishte vdekur dhe ishte varrosur në Shkup. Autor: Fehmi Ramadani

Dy djemtë e tij bineq, Albani dhe Habimi