15 vite heshtje për vrasjen e kolonel Tahir Zemajt, Gjykata Speciale shpresa e vetme

0
1393

15 vjetori i vrasjes së kolonelit Tahir Zemajt me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin
Sot është 15 vjetori i vrasjes së kolonelit Tahir Zemajt me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin. Institucionet e drejtësisë në Kosovë ende nuk zbardhur këtë vrasje të trefishtë. Nga ana tjetër, familjarët e Zemajt dhe njohës të rrethanave të luftës në Kosovë, thonë se Gjykata Speciale mbetet shpresa e vetme për zbardhjen e këtij krimi që po e turpëron historinë e shtetit të Kosovës.

Dita e 4 dhjetorit është një ditë e zezë në historinë e popullit shqiptarë. 15 vite më parë në një pritë të organizuar në hyrje të Pejës, u vra koloneli Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

Zemaj, ishte njëri ndër komandantët më të mirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ua futi frikën në palcë policëve dhe ushtarëve serb në Betejën e Loxhës.

Në mungesë të guximit për tu përballuar me atë dhe luftëtaret e tij në këtë betejë, dhjetëra ushtarë dhe policë serbë kishin dezertuar nga detyra.

Madje, ata kishin hedhur armët dhe ishin vërsulur nëpër dyqane në qytetin e Deçanit për tu veshur me rroba civile dhe për të ikur nga Dukagjini.

Por, qe 15 vite institucionet e drejtësisë në Kosovë ende nuk po arrijnë që të zbardhin këtë krim makaber dhe tinëzar dhe për t’i vënë para drejtësisë autorët e krimit.

Zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve me shkrim të gazetës “Bota sot”, kur janë pyetur se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin në fjalë.

Kurse, Armend Zemaj familjari i të vrarëve dhe njëherit deputeti i LDK-së, thotë se kjo vrasje tregon për një dështim të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Vazhdon refreni i hetimeve për Zemajn

Deputeti Zemaj thotë se, qe 15 vite prej kësaj vrasjeje të trefishte, institucionet e drejtësisë në vend po vazhdojnë me refrenin e njëjtë, duke thënë se hetimet vazhdojnë.

“15 vite pa drejtësi dhe refreni i zakonshëm hetimet vazhdojnë, kjo është përgjigja e organeve të ndjekjes për rastin e Kolonelit. Kjo tregon jo vetëm brishtësinë e sistemit por edhe guximin e veprimit ligjor nga prokuroria për të vene para drejtësisë kriminelet që kryen argatin e Serbisë që vranë Kolonelin, i cili ju shtini tmerrin Serbisë në Betejën e Loxhës”, thotë Zemaj për “Bota sot”.

Sipas tij, mos zbardhja e këtyre vrasjeve e rendit Kosovën në listën me vendet që nuk funksionon sistemi i drejtësisë.

“Dështimi i zbardhjes se vrasjeve politike tregon zhvillimin e Kosovës, pa zbardhjen e tyre edhe zbardhjen e kësaj vrasje të trefishte Kosova do rinumëroj si vend ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë, por mbi të gjitha do bëhet pritje e pamundur nga ana familjes që të besoj se ndonjë dite do të ketë drejtësi”, thotë Zemaj.

Shpresohet në Gjykatën Speciale për zbardhjen e vrasjes së Kolonelit

Zemaj shpreson që kjo vrasje e trefishtë të zbardhet nga Gjykata Speciale, nëse një gjë e tillë nuk bëhet nga institucionet e shtetit të Kosovës.

“Neve kemi theksuar se shteti jonë duhet të merre përgjegjësin e zbardhjes se këtyre vrasjeve me motive politike, nëse kjo nuk arrihet ashtu si deri me tani, mund të shpresohet se Gjykata Speciale do të lëvizë pozitivisht në këtë drejtim”, thotë ai.

“Vetëm ballafaqimi i organeve tona të drejtësisë me realitetin e vështirë mund të krijoj besim në atë për të cilën këta vepruan dhe sakrifikuan për një shtet të pavarur dhe ku sundon rendi e ligji. Sidoqoftë një fjalë e urtë popullore thotë se dikur edhe thera folë dhe tregon të vërteten”, shtoi Zemaj.

Edhe publicisti Skënder Zogaj shpreson se Gjykata Speciale do të ndihmojë në zbardhjen e kësaj vrasje dhe dënimin e autorëve të krimit.

“Prandaj, shpresa e vetme tash mbetet Gjykata Speciale, e cila jam i bindur se do të ndajë shapin nga sheqeri dhe, do të dihet se kush janë kriminelët! Kjo është e mjaftueshme, sepse dënimin e vërtetë tradhtia do ta ketë në mallkimin e përjetshëm dhe ka të garantuar në kujtesën historike!”, thotë Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kurse, gazetari Mero Baze që është njohës i mirë i rrethanave të luftës në Kosovë.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Baze ka shkruar se receta e vetme për zbardhjen e kësaj vrasje mbetet specialja.

“Me Kolonel Tahir Zemaj, për të përkujtuar përvjetorin e vrasjes së tij dhe familjarëve të tij. Zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë do të lehtësoj shoqërinë nga një plagë, e cila nëse nuk shërohet, do të vras të ardhmen e Kosovës. Gjykata Speciale është receta e duhur!”, ka shkruar Baze në Facebook.

Specialja do të qetësoj gjendjen shpirtërore në Kosovë

Nga ana tjetër, publicisti nga Shqipëria Rexhep Shahu thotë se specialja do të ndihmojë në qetësimin e gjendjes shpirtërore në vend.

“Shpresoj shumë se Gjykata Speciale do të ndikojë në qartësimin e qetësimin e gjendjes shpirtërore në Kosove pasi në fund të fundit do të ketë një vendim gjykata mbi çdo çështje dhe pavarësisht fuqive të tjera të vendimit edhe në mos hakmarrje, njerëzit do të qetësohen, sepse nuk janë për hakmarrje, por njerëzit do të shohin se drejtësia po flet, po lëviz”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Ai tregon se edhe arsyen pse sipas tij nuk po zbardhet kjo vrasje.

“Vrasjet nuk zbulohen sepse pushteti i frikës në Kosovë është pushteti me i madh dhe mbi gjithë pushtetet. Ata që kanë bërë vrasje, që kanë urdhëruar apo ekzekutuar, ata kanë frikë dhe frikën e tyre e kanë derdh në shtet, në institucione dhe sot frika është në fakt pushteti më i fortë në Kosovë. Frika i bën të frikshëm kriminelët me apo pa pushtet, i bën edhe me kriminele pasi krimi pjell krim. Gjykata Speciale, duhet së pari në Kosovë për të vrarë frikën dhe pushtetin e saj dhe jo për të vrarë apo ndëshkuar njerëz”, thotë më tej Shahu.

Ai shtoi se edhe vrasja e Tahir Zemes, ushtarakut të lartë e të çmuar do të qartësohet nga Gjykata Speciale.

Vrasja e Zemajt u bë për të penguar krijimin e shtetit të Kosovës

Publicisti Skender Zogaj thotë se vrasja e Zemajt u bë nga ata që kishin qëllim të pengohet krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës.

“Vrasja e Kolonelit Tahir Zemaj është njëra nga më makabret e pasluftës në Kosovë, që është bërë për ta penguar krijimin e shtetit të lirë dhe të pavarur të Kosovës, nga frika sepse, krijimi i mirëfilltë i shtetit ligjor do të zbardhte veprimtaritë e zeza të grupeve kriminale dhe agjenturore shqiptare gjatë luftës!”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Ai, madje thotë se disa njerëz janë ndier të rrezikuar nga Zemaj, pasi që ai ishte betuar të demaskonte ata njerëz të cilët kishin punuar kundër interesave të shtetit të Kosovës.

“Të këtillët duke qenë dëshmitarë të potencës ushtarake të kolonelit Zemaj gjatë luftës, me shumë arsye janë ndier të rrezikuar prej tij pas luftës, sepse, Zemaj e pat deklaruar betimin se do t’ i demaskonte të gjithë ata që kishin punuar kundër çlirimit të vendit, duke sabotuar luftën për interesa banditeske! Ky ishte “faji” i Tahir Zemajt i cili çka premtonte edhe e realizonte, prandaj, e vetmja mënyrë për ta penguar ishte vrasja, e cila ndodhi, pikërisht kur Zemaj nis me denoncimet! Si u vra dhe pse u vra e dijnë të gjithë shqiptarët, por me këtë vrasje nuk e patën guximin të merren institucionet ligjore të drejtësisë! Heshtja e tyre e ka vetëm një shpjegim, janë të kapura nga vrasësit!”, shtoi Zogaj.

Ndryshe, me 4 janar të vitit 2003 në një pritë në hyrje të qytetit të Pejës u vra në pritë koloneli Zemaj.