100 vjet nga Kongresi i Durrësit

0
208

Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore pavarësinë, tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i zhvilloi punimet më 25-27 dhjetor 1918.

Morën pjesë mbi 50 delegatë. U zgjodh një qeveri e përkohshme me 14 anëtarë. Kongresi vendosi të formohej edhe një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët e mbledhur në Kongresin e Durrësit u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës në favor të tij dhe për t’ia paraqitur këto kërkesa Konferencës së Paqes.

Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Por në organizimin e shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane.

Këta i kërkonin më 6 tetor 1918 «Vatrës» të dërgonin në Itali përfaqësuesit e tyre, për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes. Ndërsa Mehmet Konica arriti në Romë më 19 nëntor, i pritur me ngrohtësi nga italianët. Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi, që kishte në fillim, për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin të këshilluar të formonin jo një qeveri, por një këshill ose komitet kombëtar.

Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur as brenda vendit as jashtë tij, por duhej të gjente një vegël në duart e politikës italiane. Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar i ideuar nga Gaetano Manconi, duke porositur që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj. Por në të dyja rastet, si një qeveri po edhe një këshill, për t’i formuar këto organe duhej të mblidhej kongresi kombëtar.

Ky kongres u hap në pasditen e 25 dhjetorit 1918 me pjesëmarrjen e 53 delegatëve. Ata vinin nga pjesa më e madhe e vendit, e cila ishte nën pushtimin e Italisë. Por në kongres nuk merrnin pjesë nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e këtij qyteti. Në kongres mungonin edhe përfaqësuesit e krahinës që ishin nën pushtimin serb, Peshkopia e Lumës dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si qyteti i Korçës.