Presidenti Meta nderon me medalje pesë personalitete të shquara të Luginës së Preshevës

0
179

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nderuar sot me medalje pesë personalitete të shquara të Luginës së Preshevës.

Meta në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ka mirëpritur dhjetëra bashkatdhetarë nga Nishi, Medvegja, Presheva, Bujanovci dhe Kosova, për të marrë pjesë së bashku, në një ceremoni domethënëse dhe tepër të veçantë, të vlerësimit të pesë personaliteteve të paharruara të këtyre trevave, që aq shumë kanë vuajtur dhe po aq shumë kanë dhënë për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

Lexoni të plotë postimin e Metës:

“Mikprita vëllazërisht dhjetëra bashkatdhetarë nga Nishi, Medvegja, Presheva, Bujanovci dhe Kosova, për të marrë pjesë së bashku, në një ceremoni domethënëse dhe tepër të veçantë, të vlerësimit të pesë personaliteteve të paharruara të këtyre trevave, që aq shumë kanë vuajtur dhe po aq shumë kanë dhënë për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

I lumtur të nderoja Profesorin e ndjerë Ahmet Gashi, luftëtarin e orëve të para për liri, dije, arsimim dhe emancipim të kombit, këshilltarin e Isa Boletinit dhe bashkëveprimtarin e vëllezërve Frashëri dhe shumë patriotëve e rilindasve të tjerë të asaj periudhe.

Një vlerësim të merituar bëra edhe për Profesor Ibrahim Kelmendin, udhëheqësin e lëvizjeve të vitit ’44 për mbrojtjen e popullatës shqiptare në Kosovë nga masakrat sllavo-komuniste, historianin dhe shkencëtarin e rrallë, që me dinjitet mbrojti në veprat e tij prejardhjen ilire të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Një tjetër figurë të shquar, që nderova është Bafti Krasniqi, mësuesi shumë i dashur nga Medvegja, me kontribut të shquar për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ngritjen e vetëdijes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Luginë, veçanërisht duke penguar politikat agresive asimiluese.

Ridvan Qazimi, apo siç hyri në histori, Komandant Lleshi, është njëri nga Dëshmorët e Kombit, që nderova gjithashtu, i cili krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sakrifikoi jetën e tij për kauzën shqiptare dhe sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për të drejtat e mohuara dhe shtypjen e papranueshme të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë.

Pata kënaqësinë ta vlerësoj edhe gazetarin dhe intelektualin e mirënjohur nga Kosova, Llukman Halili, i cili me profesionalizmin dhe veprimtarinë e gjerë publicistike e atdhetare, frymëzoi brezat e rinj të gazetarëve se si duhet të punohet me përkushtim për të vërtetën dhe të mirën e kombit.

Është në nderin tonë të kujtojmë, nderojmë dhe vlerësojmë të gjitha ato personalitete, të cilat bënë të mundur, që kombi ynë të mbijetojë dhe të ndihet krenar për arritjet e tij”.