Kurti: Kjo është ditë e rëndë për popullin e Kosovës

0
209

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin e sotëm në Kroaci. Para mediave, Kurti u uroi të lënduarve shërim të shpejtë, ndërsa familjarëve të viktimave u shprehi ngushëllime. Ai tha se kjo është ditë e rëndë për vendin dhe popullin e Kosovës.

“Kjo është një ditë shumë e rëndë, me dhembje e pikëllim për mbarë popullin tonë. Jemi këtu, së bashku me ministrat dhe stafin e Presidencës për të qenë pranë udhëtarëve të cilët patën fat në këtë fatkeqësi. U shprehim ngushëllimet tona të gjitha familjeve dhe miqve të atyre 10 udhëtarëve që vdiqën sot në këtë aksident të tmerrshëm. Po ashtu, ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë atyre që janë lënduar rëndë e lehtë”, tha ai.

Kurti ka theksuar se Kosova varet nga bashkatdhetarët që çdo vit, qindra-mijëra prej tyre vijnë për pushime.

“Qindra-mijëra qytetarë kthehen për pushime në vendlindje, shteti ynë varet prej tyre, kjo fatkeqësi është tejet e rëndë për neve, por duke iu falënderuar përkujdesjes dhe solidaritetit, bashkë do t’ia dalim”, ka thënë ai.

Kurti potencoi se pjesa më e madhe e pacientëve nuk e kujtojnë momentin e aksidentit pas ishin në gjumë.

Tutje, Kryeministri kroat Andrej Plenkoviqi ka deklaruar se 70 për qind e pacientëve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndaj tyre “do të ketë trajtim të duhur shëndetësor”.

Ai ka theksuar se “së bashku do të punojmë për ta tejkaluar këtë sfidë”.