Shkrimtarja shqiptare nga Zvicra, Hava Kurti Krasniqi, flet për herë të parë në rubrikën „Bardh e Zi “ në portalin Syri.tv

0
505

SYRI.TV: Kush është̈ shkrimtarja shqiptare nga Zvicra Hava Kurti Krasniqi?  

HAVA KURTI KRASNIQI: Kam lindur në Butel të Shkupit në Maqedoninë e Veriut.

Në shkollën time në atë kohë ka pasur vetëm një klasë në gjuhën shqipe, ndërsa gjithë klasat e tjerat ishin paralele ishin në gjuhën maqedonase. Një orë e gjysmë e ndoshta edhe më shumë më duhej çdo ditë të ecja më këmbë për të arritur në shkollë. Nuk kishte urban apo mjete transporti ashtu siç ka tani.

Diskriminimin që na bëhej në ish-Jugosllavi e kam njohur herët që fëmijë.

Mësuesja më angazhonte në recital, në këndim, në teatër edhe pse rrethi ku jetonim kishte pak shqiptarë. Për mua në atë kohë libri ishte shokun më i mirë.

Në klasën e shtatë, edhe pse kujdestare e klasës ishte mësuesja e historisë, nga qeveria e atëhershme u vendos ligji i ri, që thoshte se “historia duhej mësuar në gjuhën maqedonase dhe jo atë shqipe. Babai erdhi në shkollë për të kundërshtuar këtë ligj, dhe pa pritur në mbrëmje vendosi që ta nxirrte shtëpinë në shitje. Prindërit e mi ishin kosovarë, të ikur nga Kosova nga represioni i Rankoviçit.

Në vitin 1981 ne u vendosëm përfundimisht në Kosovë. Kam qenë ndër të parat që kam marrë pjesë në demonstratat e para që nisën në Ferizaj. Nuk kisha fare frikë dhe nuk e di as vetë përse. Ndoshta sepse jeta nuk kishte shije dhe kemi qenë gjithmonë të shtypur.

SYRI.TV: Si filloi rrugëtimi juaj si shkrimtare?

HAVA KURTI KRASNIQI: Lexoja shumë libra. Mrekullia ishin dhe mbetën librat për mua. Fillova të shkruaj dhe shpesh herë i dërgoja vjershat me zarf në gazetën e atëhershme GËZIMI .

SYRI.TV: Nga kush e trashëgoni dellin e shkrimtares? Keni ndonjë̈ shkrimtar në familje, farefis apo jeni e vetmja?  

HAVA KURTI KRASNIQI: Gjyshi im ka shkruar. Ai kur kthehej në shtëpi recitonte vargjet që kishte thurur.

Për fat të keq kurrë s’i ka botuar. Ka marrë pjesë në dy luftëra dhe shquhej për trimëri por nuk pati guxim të bënte një botim me shkrimet e tij.

SYRI.TV:  Ju jeni një̈ shkrimtare,  poete, artiste dhe prezantuese në TV.  Si e ndjeni veten kaq të plotësuar para artdashësve tuaj ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Unë ndihem si mjeke. Shkrimet janë ushqim për shpirtin dhe kjo më bën të ndihem si një mjeke. Unë kam qenë aktore deri në përfundim të shkollës së mesme. Si prezantuese në punën time ku prezantoj tema sociale ndihem shumë mirë, por edhe si prezantuese në TV Syri po ashtu ndjehem mirë dhe ndjehem si në Kosovë.

Sigurisht që çdo fillim është i vështirë. “Në Reflekto”, nuk di se si po reflektoj edhe vetë unë.

Si aktore e shihja publikun para vetes, tani kam kamerat.

Më pengon disi kjo gjë sepse më duket sikur i drejtohem robotit. Por nuk dorëzohem, do të mësoj të jem vetvetja edhe para kamerave. Ne në Zvicër jemi me fat që u pasuruam me televizionin Syri. Ky TV është një ndjesi historike.

SYRI.TV: Cili është̈ pasioni juaj për poezinë̈?

HAVA KURTI KRASNIQI: Poezia është kulmi i gjitha pasioneve të mira. Me poezinë unë krijoj shpresë. Dhe marr shumë komente e falënderime nga lexuesit që marrin mbështetje shpirtërore nga vargu im.

SYRI.TV: Cili është̈ kontakti i parë me letërsinë̈, me atë̈ që do të bëhej pjesë e jetës suaj?

HAVA KURTI KRASNIQI: Librat, leksionet shkollore.

SYRI.TV: Si shkrimtare, si e shihni letërsinë̈ e sotme ?  

HAVA KURTI KRASNIQI: E shoh shumë të lidhur në pranga politike.

SYRI.TV: Ku është̈ prirja juaj si lexuese dhe jo si krijuese ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Prirja në lexim? Kjo është pyetje e mirë, pasi menjëherë i nuhas librat që nuk janë të shkruara me ndjenjë dhe artistikisht të mira.

SYRI.TV: A keni kritikuar ndonjë̈ krijues dhe përse?  

HAVA KURTI KRASNIQI: Po, por vetëm për tematikën egoiste të shkrimit, pra kur fyejnë pa shkak, përndryshe le të shkruajnë. Dhe nëse e gjeni egoizmin në vargjet e mia, janë lirisht tip vrasje.  

SYRI.TV: Por juve  a  ju kanë kritikuar dhe përse ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Vlerësimi e kritika negative nga krijuesit? Të them të drejtën jo. Më kanë mësuar me lëvdata. Mirëpo për librin e fundit “LEGJENDAT E FUTBOLLIT, VËLLEZËRIT XHAKA”, më ka kritikuar një nga mësuesit e LAPSH, i cili më ka telefonuar dhe më ka thënë “Zonjë, këtu keni gabuar”. Kur e lexova i thashë, “unë mbrëmë ta dhurova”. Ai mu përgjigj, “Titulli është gabim. Futbolli nuk është fjalë e gjuhës”. Dëgjo i thashë ,unë jam shqiptare evropiane. Futbollin se zbuluam ne. Po sikur të shkruaj unë një libër “FLIA ME SAÇ” si do të më përkthenin anglezët e gjermanët?.

SYRI.TV: Na tregoni cila ka qenë poezia e parë nga ju apo libri juaj i parë ?  

HAVA KURTI KRASNIQI: Poezia e parë i kushtohej pranverës. Libri i parë?

Kur i kam dorzuar poezitë për botim s’e kisha menduar akoma titullin, pasi në atë kohë kam qenë rëndë e sëmurë. Por shumë vite më parë pata ëndërruar librin tim me titullin “TË DUA ATDHE” . Kur e kam parë atë ëndërr se kisha menduar akoma se mund të botoja libra. Nuk e di kush ka vendosur për titullin. Për këtë ëndërr sot është hera e parë që po e tregoj publikisht pasi kurrë më parë askujt nuk ia kam treguar. Dhe libri erdhi me titullin TË DUA ATDHE ! Një poezi ka patur këtë titull, por ajo ëndërr… Eh, kjo botë është e çuditshme.

SYRI.TV: Sa poezi apo shkrime keni botuar deri tani?

HAVA KURTI KRASNIQI: Ahh, s’i kam numëruar. Nëpër botimet gjermane shpesh jam bashkë autore, ndoshta pesë herë. Jam pjesë e shumë antologjive në botime shqiptare. Kam botuar deri tani katër librat të mitë. Janë edhe shumë që i kam shkruar por nuk po gjej kohë për t’i botuar.

SYRI.TV: Ju keni shpirtin e artistes, shkrimtares, poetes, prezantuese ne TV dhe aktivistes. Cila nga këto fle më tepër në shpirtin tuaj?

HAVA KURTI KRASNIQI: Shkrimi dhe fjala jeton në mua. E para kamerave si prezantuese, unë them fjalën time.

SYRI.TV: Pse e zgjodhe prezantuese ne TV?  

HAVA KURTI KRASNIQI: Për të dhënë shembuj të mirë nga gjithë bagazhi i jetës sime, por edhe për t’i dhënë zë mërgimtarëve. Unë prezantoj ne TV tema sociale që nga viti 2010. Kam moderuar më shumë se treqind takime.

SYRI.TV: Po me aktivitetet, çfarë̈ të lidh?

HAVA KURTI KRASNIQI: Janë shumë aktivitete. Shumë. Redaktore në platformën gazetareske iterkulturore lucify.ch Moderatore në tema edukuese. E angazhuar në politikë. Etj .

SYRI.TV: Keni pasur frikë nga Convid-19 ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Jam paciente me rrezik por nuk kam patur aq shumë frikë. Kam shkruar shumë rreth koronës për disa gazeta. Në tri shkrime të miat për koronën ka marrë falënderim edhe nga Muzeu Historik i Kantonit të Luzernit për një ekspozitë që do të zhvillohet pas pandemisë. Nëse nuk shpëtoj nga ky covid, atëherë mirë që e thashë këtë informacion në këtë intervistë. Shkrimet e mia janë në muzeun zviceran.

SYRI.TV: Si është jeta e një shkrimtareje në Zvicër?

HAVA KURTI KRASNIQI: Aspak e lehtë. Kështu thonë edhe autoret zvicerane të cilat i takoj shpesh. Jeta në Zvicër të le pak kohë për krijime.

SYRI.TV: Cilat janë̈ sfidat me të cilat po përballeni kohën e fundit ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Janë barrikadat pandemie.

SYRI.TV: Si është jeta juaj kohët e fundit në fushën e shkrimeve?  

HAVA KURTI KRASNIQI: Si shkrimtare jam vlerësuar mirë. Kam prezantuar poezinë shqiptare në projektin ndërkombëtar “POEZI NGA E GJITHË BOTA” . Libri i futbollit doli të ishte libri i parë shqiptar me tregime nga futbolli, i shkruar nga një grua.

Këtë ma kanë thënë Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

SYRI.TV: Ju jetoni në mërgim! Keni shkruar poezi për vendlindjen tuaj ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Shumë poezi të miat kanë mallin e Atdheut.

SYRI.TV: Keni qarë ndonjëherë̈ si shkrimtare gjatë momenteve të shkrimit të ndonjë̈ poezie apo shkrimi ?

HAVA KURTI KRASNIQI: Kam qarë shpesh. Tani së fundmi kur u largua nga jeta zonja Demaçi. Ajo ishte në bibliotekën kombëtare dhe para të pranishmëve m’i përqafoi duart e më tha, “kam ardhur t’i përqafoj këto duar me të cilat po shkruan”. Materialin për të e kam shkruar duke qarë. Kam qarë dhe kur kam shkruar poezinë për Dritëro Agollin pas vdekjes së tij. Elona Agolli më pati bërë një surprizë. Më kërkoi numrin e telefonit duke më thënë se donte t’i bënte të atit një surprizë.

Mandej më telefonoi dhe i tha, “Babi në telefon është Hava Kurti Krasniqi”. Biseda me Dritëro Agollin më ka bërë të ndihem shkrimtare dhe këtë gjë nuk do ta harroj kurrë. Ishte befasia më e bukur e jetës sime.

SYRI.TV: Me kë jeton Hava Kurti Krasniqi?

HAVA KURTI KRASNIQI: Jetoj me bashkëshortin tim Besimin. Kam edhe një motër afër. Kam mbesën Alajën që lexon shumë, dhe nipin Arsenin që po tregon sukses të madh në futbollin zviceran. Kam miq të mirë. Jam e mbushur me shumë dashuri, prandaj thonë për mua se reflektoj qetësi.

SYRI.TV: Cili është̈ mesazhi juaj si shkrimtare për lexuesit e portalit www.Syri.tv?

HAVA KURTI KRASNIQI: Shkrimi është i shenjtë, por kur shkruani mundohuni të mos lëndoni njerëz.

SYRI TV: Ju falënderojmë̈ Zonja Hava që gjete kohë të jeni pjesë e rubrikës “Bardh e Zi” në portalin Syri.tv. Ishte kënaqësi për intervistën dhe kohën që ndamë̈ së bashku. Suksese edhe më tej!

HAVA KURTI KRASNIQI: Faleminderit shumë Arben. Edhe unë dua të bëjë një intervistë me ty në emisionin tim REFLEKTO.

SYRI.TV: Po patjetër do jem mysafir , me kënaqësi .

Intervistoi Arben Mehmeti