Armend Aliu, kryetari i partisë më të re të krijuar në Luginë, Alternativa Demokratike Shqiptare flet për portalin Syri.tv

0
564

Armend Aliu, politikani die kryetari i partisë më të re të krijuar në Luginë, Alternativa Demokratike Shqiptare, pjesë e rubrikës „Bardh e Zi“ flet për herë të parë për portalin Syri.tv nga Mërgata

SYRI.TV: Përshëndetje inderuar z.Armend Aliu. Mirë se erdhe ne rubrikën “ Bardh e Zi “ të portalit Syri.tv nga Mërgata ?
Armend Aliu: Përshëndetje të ngrohtë për ju dhe për të gjithë lexuesit e portalit Syri.tv.


SYRI.TV: Kush është  Armend Aliu? 
Armend Aliu:Jam i lindur më 30 korrik 1978, jetoj në pjesën e Preshevës që quhet Stacioni Hekurudhor, ndërsa me prejardhje jam nga fshati Norçë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kam mbaruar në Preshevë, ndërsa shkollimin e lartë e kam vazhduar në Tiranë, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dega mjekësi veterinere.Në vitin 2004 kam filluar punën në Preshevë me programin zhvillimor të Ambasadës Amerikane që asokohe implementohej nga  CHF International. Fusha me të cilën merresha ka qenë zhvillimi ekonomik dhe i komunitetit. Me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 2007 themelova Agjencionin për Zhvillim të Preshevës dhe Bujanocit, ku deri vitin 2010 kam kryer detyrën e Drejtorit Ekzekutiv dhe ku përveç tjerash merreshim me planifikimin strategjik për komunat Preshevë dhe Bujanoc me theks në zhvillim ekonomik. Në vitin 2010 filloj punë si koordinator për Zhvillim Regjional dhe Planifikim strategjik për 13 komunat e rrethit të Pçinjës dhe Jabllanicës nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Përvoja e punës e kombinuar me njohjen e mirë të gjuhës Angleze më ka mundësuar që të ngris kapacitet e mia në mënyrë konstante përmes trajnimeve të ndryshme dhe vizitave studimore që mu mundësuan shkaku i punës.


SYRI.TV: Armend Aliu a munde të na tregoni cili është rrugëtimi juaj në politikë, kur dhe si filloi ?
Armend Aliu: Rrugëtimi im politik ka filluar në vitin 2014, kur kam filluar themelimin e Alternativës për Ndryshim, kjo si nevojë e patjetërsueshme e riformatimit të politikbërjes në  Preshevë. Në kuvendin e parë zgjedhorë të APN-së u zgjodha zëvendës kryetar i kësaj partie politike ku me angazhimin tim dhe të shumë të rinjëve dhe të rejave arritëm që për një kohë të shkurtër të pensionojmë me efikasitet kastën tanime të vjetëruar politike. Në fillim, menjëherë pas zgjedhjeve të para lokale, as nuk kam marr post politik por me shumë vullnet jam angazhuar në zyrën për zhvillim ekonomik lokal ku për një kohë të shkurtër arrita të siguroj fonde të shumta për realizimin e shumë projekteve me rëndësi të madhe për Komunën tonë. Ju e dini që pushteti i parë i APN-së zgjati pak dhe pas zgjedhjeve të parakohshme u emërova zëvendës kryetar i komunës së Preshevës ku këtë detyrë kam kryer deri vitin e kaluar kur edhe dhash dorëheqje nga posti im në parti dhe fillova ndërtimin e një lëvizjeje të re politike në Preshevë.


SYRI.TV : Z.Aliu ju si  politikan, si e shihni nga këndi politik gjendjen aktuale në Luginë të Preshevës?
Armend Aliu:Është një amulli dhe jostabilitet i theksuar me ofendime dhe përçarje të panevojshme dhe të nivelit të ulët. Papërgjegjshmëria është në nivel të lartë, kemi efikasitet të ulët të zgjidhjes së problemeve dhe mangësi të theksuar të koordinimit të mirëfilltë të politikave të interesit kombëtar.

Logoja e Alternativës Demokratike Shqiptare

SYRI.TV: Si e komentoni politikbërjen aktuale ne Presheve, skena politike, pritshmërinë?
Armend Aliu:Skena politike është e helmuar dhe e hutuar, me at qëllim edhe është themeluar Alternativa Demokratike Shqiptare, për të krijuar një stabilitet politik i cili do të krijojë pritshmëri reale dhe do të angazhohet sinqerisht për përmirësim të situatës.


SYRI.TV: Si e vlerësoni punën e pushtetit komunal për periudhën dy vjeçare? Cili është raporti mes premtimeve e mbajtjes së fjalës së dhënë nga partitë në pushtet?
Armend Aliu:Periudha 3 vjeçare karakterizohet me më tepër spektakël mediatik dhe jostabilitet se sa me iniciativa dhe projekte konkrete. Raporti mes premtimeve dhe mbajtjes së fjalës është një nga shkaqet e dorëheqjes sime Armend Aliu:dhe themelimit të ADSH-së.


SYRI.TV: z.Armend ju sapo keni fërmuar një parti të re Alternativa Demokratike Shqiptare,  cili është prioriteti i kësaj partie tek  qytetaret e Komunes  së Presheves?
Armend Aliu:Prioriteti ynë është që të mos jemi vetëm edhe një parti plus por të jemi zëri i vërtetë i qytetarëve, dhe pa asnjë dyshim prioriteti numër një mbetet zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe puna me të rinjtë tanë.


SYRI.TV: Cili është slogani i partisë s’uaj? 
Armend Aliu:„Kemi përgjegjësi me e bë Preshevën më të mirë“


SYRI.TV: Pse duhen qytetarët e Luginës së Preshevës ta votojnë ADSH-ën ? 
Armend Aliu:Mendoj se kemi fakte të mjaftueshme që ata që udhëhoqën me Preshevën për dekada me radhë, nuk duhet më të kthehen në udhëheqje, sikur që nuk duhet të lejojmë që të udhëhiqemi nga Ndryshimi falso. Opsion i vetëm serioz me dije dhe vullnet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Komunës së Preshevës është ADSH.

SYRI.TV: Me daljen e partisë s’uaj në skenë u degjuan zëra sikur  janë bërë shumë parti në Luignën e Preshevës. A ka rrezik që si pasojë e përqarjeve mes shqiptarëve të rrezikohet pushteti nga serbët ?
Armend Aliu:Jo, realisht serbët janë në aq përqindje të vogël në Preshevë saqe nuk e kemi rrezikun e humbjes së pushtetit nga Shqiptarët shkaku i numrit të partive. Se a janë bërë shumë parti apo jo, e tregojnë zgjedhjet që janë afër, nëse qytetarët mendojnë se janë shumë, atëherë si në të kaluarën që ka ndodhur, edhe tash ndonjë parti do të mbyllet.


SYRI.TV: z Aliu ju kohën e fundit keni qenë shumë i zënët me takime zyrtare si në Shqipri dhe në Kosovë , cka presin nga këto takime qytetarët e Luginës së Preshevës ?
Armend Aliu:Takimet zyrtare me institucionet në Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës janë të rëndësishme për ne. Mendoj se është momenti i fundit që politikat e dy shteteve të kenë fokus më të madh ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Takimet e këtij lloji, kur nga ne ka qasje proaktive dhe të konsoliduar dhe konceptuar mirë, sjellin rezultate të mira.


SYRI.TV :  Çfarë mendimi keni për kryetarin e Komunës së Preshevës, z.Shqiprim Arifin, i cili është përfolur si  nxitës i debateve dhe i seancave. Na intereson mendimi juan sepse ede ju iskit pjesë  e partisë së tij?
Armend Aliu:Jo vetëm tash gjat themelimit të ADSH-së por edhe më vonë, nuk e kam plan të merrem me kundërshtarët politik por do të merrem më tepër me atë se çka planifikojmë të ofrojmë ne si lëvizje politike. Të gjithë jemi dëshmitarë të nxitjes së debateve dhe bile edhe eskalimit të tyre, dhe në vijë me pytjen tuaj, largimi im nga ajo parti e ka si ndër arsyet kryesore edhe mënyrën e sjelljes me opozitën dhe bile edhe partnerët.


SYRI.TV : Sipas jush z.Aliu  a duhet të ketë Lugina e Preshevës zgjedhje të reja ?
Armend Aliu:Po, Presheva tani është në udhëheqje të organit të përkohshëm, që ka obligim pregatitjen e zgjedhjeve, dhe me 28 Mars qytetarët do të shkojnë tek kutitë e votimit për të caktuar udhëheqjen e re të komunës sonë.


SYRI.TV : Fenomeni i migrimit të të rinjve po vazhdon edhe më tutje dhe duket se subjektet shqiptare në Luginë nuk do të mund ta parandalojnë këtë fenomen. Cili është roli i ADSH-ës në këtë drejtim ?
Armend Aliu:Mendoj se zgjidhja e vetme është përqendrimi i buxhetit të Komunës në asistencë bizneseve të vogla dhe të mesme, asistencë në fuqizim të bujqësisë dhe blegtorisë si dhe pregatitja dhe ngritja e kapaciteteve të të rinjëve përmes trajnimeve specifike.


SYRI.TV :  Një koment si kryetar i ADSH-ës , çfarë kanë bërë partitë politike nga Lugina për Diasporën ?
Armend Aliu:Përveç se i kanë përdorur për të siguruar vota, asgjë tjetër.


SYRI.TV: Po cka afron partia Alternative Demokratike Shqiptare për Diasporen ?
Armend Aliu:Alternativa Demokratike Shqiptare është në themelim e sipër të degëve të saj në diasporë dhe ajo për çka zotohemi dhe që do të realizohet menjëherë është themelimi i zyrës së Diasporës në kuadër të administratës komunale që do të shërbejë si urë lidhëse mes pushtetit lokal dhe Diasporës sonë.

SYRI.TV: Sipas jush a duhet Diaspora të ketë një ulëse në Kuvendin Komunal të Preshevës?
Armend Aliu:Do te ishte me ndikim shumë pozitiv nëse një përfaqësues nga diaspora do të vendoste të garonte për zgjedhjet lokale në Preshevë, ne si lëvizje politike me shumë dashamirësi do të angazhonim këdo që ka vullnet për tu angazhuar në këtë mënyrë.


SYRI TV: Si është jeta e një politikani në Preshevë ? 
Armend Aliu:Unë personalisht, kam mbet i njejti, edhe kam punuar shumë me vetën që të mbetem i njejti dhe të mbaj jetën time sa më të zakonshme. Kam qasje pozitive dhe kaloj shumë kohë me njerëz sepse mendoj se mënyra e vetme për identifikim të problemeve dhe për gjetjen e zgjidhjes së tyre është komunikimi me qytetarët, studentët, bujqit, bizneset lokale, të diplomuarit, të punësuarit etj. Presheva është vend i vogël që para se të ketë nevojë për politikan unë mendoj se thjeshtë ka nevojë për menaxhim të mirë, kushdo që bie nën idenë se është politikan në Preshevë dhe është faktorizuar, gabon.


SYRI TV: Me qka është përballuar kohën e fundit politikani nga Presheva Armend Aliu?
Armend Aliu:Përpos sfidave politike dhe angazhimit në themelimin e ADSH-së, jam përballur edhe unë si shumë qytetarë të Preshevës me virusin Covid19, ku dua të shpreh ngushëllimet e mia për të gjith ata që humbën betejën me këtë virus dhe të t’i dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që po e kalojnë këtë virus tani.


SYRI TV: Si po te trajton jeta kohen e fundit si politikan? 
Armend Aliu:Të menduarit pozitiv nga unë reflekton pastaj me pozitivitet nga jeta si dhe në mirëqenien dhe qetësinë time në përgjithësi.


SYRI TV: Në nuk do të ishe politikan , si do ta takonim sot ne Armend Aliun ?
Armend Aliu:Në kohën kur kam punuar për organizatat ndërkombëtare këtu,njëkohësisht  kam filluar të mërrem edhe me gastronomi edhe në momentin që jam fut në politike kam pas një restoran dhe një piceri në Preshevë të cilat i hoqa kur u angazhova politikisht. Ndoshta do të vazhdoja të merresha me gastronomi ose meqë i kas passion kafshët, do merresha ndoshta me blegtori.


SYRI TV: Cfar makine vozit Armend Aliu?.
Armend Aliu:Ka afërsisht 5 vite që vozis Golf 6 me vit të prodhimit 2010.


SYRI.TV: Më kë jeton politikan Preshevar Armend Aliu? 
Armend Aliu:Në shtëpi jetoj me dy prindërit e mi, me bashkëshorten dhe 3 fëmijët. I kemi dy vajza dhe një djalë.

SYRI TV: Si politikan keni hasur në paragjykime ?
Armend Aliu:Më shumë ndoshta në etiketime dhe shpifje se sa paragjykime, por nuk merrem asnjëherë me to dhe nuk kan efekt në sjelljen time.


SYRI.TV: Cili është mesazhi juaj për adhuruesit e rubrikës Bardh e Zi si dhe për lexuesit e portalit Syri.tv nga mërgata?
Armend Aliu:Së pari ju uroj shëndet dhe mesazhi im është padyshim mos të harroni vendlindjen dhe luteni të keni kujdes dhe të bëni fushatë të qetë tani para zgjedhjeve dhe sa ma pak ofendime dhe përçarje, tekefundit le të fitoj programi më i mirë qeverisës dhe ai politik, jemi pak shqiptar në Luginë, nuk na bën nderë përçarja. 


SYRI.TV: Z.Aliu të faliminderit shumë dhe njëherit që pranuat ftesën që të jeni pjesë e portalit Syri.tv nga Zvicëra?
Armend Aliu:Një përshëndetje të ngrohtë dhe falemnderim për ty Arben dhe për të gjithë lexuesit e Syri.tv

Intervistoi Arben Mehmeti