Demokracia, përfshirja dhe përfaqësimi në proceset shoqërore

0
115
Business man with pen mark the checkbox,Check the accuracy

Në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë Mërgata duhet të jetë aktive në realizimin e të drejtave të tyre. Si në aspektin e mbrojtjes të drejtës së votës, duke kërkuar nga KQZ regjistrimin dhe votimin pa pengesa, ashtu edhe në kërkesën për përfaqësim në parlament dhe institucione. Partitë duhet që në mesin e kandidatëve në listat e tyre të kenë edhe pjesëtarë të dëshmuar të diasporës. Platforma “Zëri progresiv” inkurajon bashkëqytetarët,  të cilët angazhohen për drejtësi sociale, ambient të shëndoshë dhe shërbime profesionale publike për të gjithë, pa dallime shoqërore, gjinore, nacionale, orientim seksual  dhe fe, të prezantojnë kandidaturat.

Mërgata jonë ka qenë, është dhe do të jetë e rëndësishme për zhvillimet përparimtare në Kosovë, si në aspektet ekonomike, profesionale ashtu edhe në ato shoqërore dhe politike. Tash është pjekur koha, që mërgata dhe diaspora e gjerë të mos shihet më vetëm si një burim financiar, por edhe si resurs profesional dhe njerëzorë, për të quar përpara zhvillimet pozitive dhe përparimtare në vendin amë. Pjesëtarë të mërgatës tonë japin kontribut të madh në vendin ku jetojnë,  si në jetën ekonomike, kulturore, sportive, po ashtu edhe në institucione shtetërore edhe në nisma private, ku japin dijen e tyre dhe krijojnë përvojë të madhe në funksionimin e strukturave të ndryshme të një shoqërie njerëzore. Çdo ditë e më shumë rritet edhe numri i tyre, të cilët janë aktiv edhe në politikë, si pjesëtarë të parlamenteve komunal dhe shpresojmë së shpejti edhe në nivel nacional.

Në kontekstin e Kosovës, ne jemi të bindur se qytetarët e Kosovës, të cilët janë politikisht aktivë në shtetet ku jetojnë, në këtë rast në Zvicër,  duhet të bëhen pjesë e politikës dhe institucioneve të Kosovës. Ata kështu mund të japin kontribut në zhvillimin të tërësishëm shoqërorë përmes shkëmbimit, transferimit dhe ndërmjetësimit me qëllim për të arritur përafrimin e jetësimin edhe të vlerave themelore shoqërore, si liria, barazia, drejtësia, solidariteti, mirëqenia dhe zhvillimi i gjithanshëm.

Interesat legjitime të mërgatës

Hulumtimet e shumta të organizatave joqeveritare dhe universiteteve të Zvicrës, të cilat janë bë mbi mërgatën, kanë nxjerr në pah, se profesionistë të profileve të ndryshme të diasporës janë të motivuar që mësimet, shkathtësitë e përvojat e tyre të pasuruara  arsimore, profesionale, kulturore, politike dhe ato të përgjithshme shoqërore t’i bartin dhe zbatojnë me përkushtim gjithandej në vendin amë. Nga kjo përfiton shumë Kosova, sepse këta bijë të vendit nuk kanë nevojë për shpjegues, përkthyes, shoqërues, strukturë e infrastrukturë të kushtueshme shtesë, sepse janë gjithmonë të interesuar në zhvillimet në vendin e tyre të origjinës dhe e shohin si obligim, që punën dhe angazhimin e tyre shumëvjeçar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të suksesshme ta vazhdojnë edhe sot e tutje. Ky është një motivim i brendshëm shumë i çmueshëm.

Nga angazhimi në procese institucionale dhe ligjdhënëse përfiton edhe mërgata e gjerë, sidomos kur është fjala te marrëveshjet ndërshtetërore, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë i prekin interesat e tyre vitale si e drejta e qëndrimit, mbrojtja juridike, të drejtat sociale, e drejta për pensione. Deri tani këto interesa të mërgatës nuk janë trajtuar me prioritet të duhur nga institucionet vendore. Kjo duhet ndryshuar sa më shpejtë, me qëllim të mbrojtjes së interesave legjitime të mërgatës. Sidomos në raportet bilaterale mes Kosovës dhe vendeve ku jeton mërgata , duhet potencuar aspekti i forcimit të të drejtave dhe mënjanimi i politikave diskriminuese ndaj shtetasve të Kosovës në vendet nikoqire.

Për të mundësuar ketë, nevojitet përfshirja institucionale e pjesëtarëve nga mërgata me mandat të qartë të kontraktuar si nga shtetet amë ashtu edhe të atyre të vendeve ku jetojnë e veprojnë ata. Deri më tani aspekti financiar e ekonomik theksohet së tepërmi, duke u anashkaluar tërësisht  kapitali ekzistues human i njerëzve të diasporës, dhe nevoja e tyre për mbrojtje dhe përmirësim të drejtave të tyre legjitime, si siguria e qëndrimit, e drejta për pensione, siguri shoqërore dhe shëndetësore etj.

Mërgata si forcë dhe urë lidhëse

Mërgata jonë nuk mund të reduktohet vetëm si lidhje emocionale me vendin e origjinës, por edhe si subjekt me të drejta kushtetuese dhe interesa të veçanta, të cilat duhet marrë parasysh kur flitet për proceset politike. Më tutje, mërgata nuk duhet të shihet vetëm në aspektin territorial, por të shihet si rrjet me një identitet transnacional. Mërgata jeton në një vend tjetër prej vendit të origjinës. Marrëdhëniet me vendet amë janë të shumëllojshme, prej atyre private e deri në raporte ekonomike dhe shoqërore. Mërgata jeton në një kontekst të diversitetit dhe këto rrjete transnacionale janë resurse të dobishme për zhvillimet në Kosovë.

Nëse politika vendore dhe institucionet e shohin këtë si pasurim, atëherë është  koha që këto resurse të kanalizohen në procese frytdhënëse për Kosovën, por edhe për avancimin e të drejtave të mërgatës, pa marrë parasysh se ku ajo jeton dhe vepron. E drejta e votës dhe për tu zgjedhur janë të drejta themelore, të cilat duhet mbrojtur nga institucionet e vendit. Të flasësh për mërgatën, pa e kuqur atë në procese pozitive është qëndrim paternalist dhe në aspektin e afatmesëm dhe afatgjatë nuk i bën mirë as vendit, por as edhe mërgatës.

Në emër të “Zërit progresiv”

Florim Kadriu , Aargau
Hilmi Gashi, Bern

Kush është “Zëri Progresiv”

Platforma “Zëri Progresiv” përbëhet nga anëtarë kryesisht të krahut të majtë në Zvicër, politikanë shqiptaro-zviceranë, sindikalistë dhe qytetarë aktiv, të cilët angazhohen në çështjet të përgjithshme  politike dhe shoqërore në Zvicër, duke përfshirë këtu mbrojtën e të drejtave të migrantëve, luftës kundër racizmit dhe ksenofobisë, drejtësi sociale, informim të drejtë. Në kontekstin e diasporës shqiptare dhe të shteteve ballkanike me popullsi shqiptare, Zëri progresiv përkrah proceset përparimtare dhe frymën demokratike, duke ruajtur dhe respektuar interesin e përgjithshëm të qytetareve dhe qytetarëve. Prointegra.ch