Biden pas marrjes së vaksinës për Covid lavdëron edhe administratën Trump

0
171

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, të hënën ka marrë publikisht vaksinën e sapo aprovuar të coronavirusit.

“Unë jam duke e bërë këtë për të demonstruar që njerëzit duhet të jenë të përgatitur – që kur të jetë në dispozicion – për të marrë vaksinën. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha Biden pasi mori dozën e tij të parë, përcjell Telegrafi.

Biden u shoqërua nga gruaja e tij Jill Biden, e cila mori vaksinën herët gjatë ditës.

Të hënën e kaluar, dozat e para të vaksinës së coronavirusit të Pfizer dhe BioNTech u injektuan punonjësve të kujdesit shëndetësor, të cilët janë në vijat e para në betejën kundër një pandemie që u mori jetën gati 320,000 amerikanëve që kur virusi përfshiu për herë të parë kombin në shkurt dhe mars.

Vaksina u autorizua ditë më parë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për përdorim urgjent dhe dozat e para u shpërndanë në të gjitha 50 shtetet, Distriktin e Columbia-s dhe Porto Riko.

Tre ditë më parë, një vaksinë e dytë që është prodhuar nga prodhuesi i ilaçeve Moderna u miratua për miratimin e përdorimit urgjent nga FDA.

Dhe në vlerësimin e tij, Biden ka përmendur edhe administratën e presidentit Donald Trump, duke thënë: “Unë mendoj se administrata meriton ca merita për të na larguar nga kjo situatë përmes programit Warp Speed”.

Warp Speed është emri i programit federal të zbatuar nga Shtëpia e Bardhë këtë vit për të punuar me prodhuesit kryesorë të ilaçeve për të prodhuar një vaksinë të coronavirusit.

Por Biden vuri në dukje se “ky është vetëm fillimi… Do të duhet kohë”.

Presidenti i zgjedhur edhe një herë inkurajoi amerikanët që të mbanin maska dhe të qëndronin të distancuar nga shoqëria gjatë sezonit të festave.