Plas skandali në Mitrovicë: Akuza për korrupsion në kompaninë UNITET-i

0
119

Kompania regjionale e cila merret me mirëmbajtjen e rrugëve dhe pastrimin e mbeturinave në qytetin e Mitrovicës, “KRM UNITETI”, sot ka mbajtur mbledhje në mes të komisioneve komunale të aksionerëve, ku pas prezantimit të raportit të punës nga kryeshefi, Gazmend Morina, ka plasë një skandal mes anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të kompanisë.

Alajdin Avdullahi ka akuzuar anëtarin tjetër të Bordit, Agim Kransiqin se ka punësuar vëllaun e tij, Iset Krasniqi, në “KRM UNITETI”, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Kryeshefi Gazmend Morina e ka konfirmuar përplasjen për Reporterin, por nuk ka pranuar që të japë detaje lidhur me ngjarjen me arsyen se nuk ka kompetenca të flasë për veprimet e Bordit.

“Është çështje mes anëtarëve të Bordit e Bordi është organ ma i lartë se unë edhe nuk është në kompetencën tem me folë për veprimet e një organi ma të lartë se unë se faktikisht Bordi është punëdhënësi jem.”, ka thënë Morina.

Gazeta ka kontaktuar edhe me dy anëtarët e Bordit, me ç’rast Krasniqi nuk ka pranuar që të japë komente rreth ngjarjes.

“As që du me komentu për kto. Kush t’i ka thanë ato informata prej atij merri. Unë s’kam kurrfarë komenti edhe s’du me bo naj koment. Janë disa gjëra tjera që duhet me i asih. S’kam kurrfarë komenti për kto. Të lutna mos më shqetësoni më.”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Alajdin Avdullahi përmes telefonit ia ka konfirmuar Gazetës përplasjen që ka pasur me Krasniqin, duke thënë se ai ka punësuar vëllaun e tij në kompani dhe kjo sipas tij paraqet konflikt të pastër interesi.

“Sot gjatë mbledhjes, para komisionit të aksionerëve, konkretisht para dy anëtarëve të komunës së Vushtrrisë, i kam njoftu se i njëjti, Agim Krasniqi, e ka punësu vëllaun e tij mrenda kompanisë “UNITETI”, gjë që paraqet konflikt interesi. Edhe unë nuk e mbaj barrën që nesër dikush më akuzon mu se përse është leju të punësohet vëllau i tij. Të njëjtën kohë ai ka fillu me sulme të tjera në drejtim timin.”, ka  thënë Avdullahi për Rëporterin.

Avdullahi ka kërkuar nga komisioni i aksionerëve të Vushtrrisë që të ndërmarrin masa ndaj anëtarit të Bordit që vjen nga kjo komunë, Agim Krasniqi, për ndikim në punësimin e vëllaut.

Ai po ashtu ka bërë të ditur për Reporterin se lidhur me rastin tashmë ka njoftuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit si dhe Inspektoratin e Punës, por që ende nuk ka marrë përgjigje nga ta. /Reporteri.net