Mjekja dhe epidemiologia Kozeta Miliku nga Kanada pjesë e rubrikës Bardhë e Zi e cila për të parën herë fletë për rrugëtimin e sajë si shkencëtare në fushën e pediatrisë në portalin Syri.tv

0
1586

Syri.tv: Përshëndetje e nderuara Kozeta Miliku dhe mirë se vini në rubrikën „Bardhë e Zi“ në portalin Syri.tv?

Kozeta Miliku: Faleminderit për ftesën Z. Mehmeti dhe hapësirën e ofruar ne Syri.tv

Syri.tv: Si duket biografia e Kozeta Miliku, një prezantim i juaj?

Kozeta Miliku: Unë jam lindur dhe rritur në qytetin e bukur të Korçës, atje ku kam mbaruar edhe studimet e shkollës së mesme.

Kam kryer fakultetin e mjekësisë në Tiranë dhe pas diplomimit si mjeke kam ndjekur studime pas universitare në Rotterdam të Hollandes.

Aktualisht punoj si post-doctoral researcher në departamentin e pediatrisë, në Children’s Hospital Research Institute, Universiteti i Manitobes.

Syri.tv: Si filloj rrugëtimi i juaj në botë e pediatrisë?

Kozeta Miliku: Pediatria ka qenë një nga lëndët e mia të preferuara që në fakultetin e mjekësisë. Kur fillova studimet shkencore në Hollande, unë iu bashkova departamentit të pediatrisë në Erasmus Universiteit Rotterdam dhe fillova të mësoja më shumë rreth fushës së „Developmental Origins of Health and Disease“ apo „DOHaD“ e shqipëruar „Origjina e Hershme e Sëmundjeve Kronike“. DOHaD është një fushë shumë interesante sepse ka treguar dhe vazhdon të tregojë se sëmundjet kronike si psh. sëmundjet kardio-vaskulare kanë origjinën në fëmijërinë e hershme. Kjo fushë na jep mundësinë të mësojmë cilat janë faktorët e riskut që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve kronike si edhe na ofron mundësi për parandalimin e tyre.

Syri.tv: Ku punon Kozeta Miliku?

Kozeta Miliku: Aktualisht punoj si post-doctoral researcher në Departamentin e Pediatrise dhe Shëndetit të Fëmijës (Department of Pediatrics and Child Health) në Universitetin e Manitobes dhe Children’s Hospital Research Institute of Manitoba, në Winnipeg të Kanadasë.

Syri.tv: Çfarë tregon përvoja juaj e studimeve në fushën e pediatrisë?

Kozeta Miliku: Gjithmonë e më shumë ne mësojmë dhe zbulojmë të reja magjepsëse në fushën e DOHaD dhe pediatrisë.

Studimet e mia të doktoraturës kanë qenë të parat që treguan lidhjet midis dietës së nënës gjatë shtatzënisë, vitaminës D dhe B-vitaminat, si dhe ushqyerja me gji në zhvillimin dhe funksionin e veshkës te fëmijët. Gjithashtu, studimet e mia kanë treguar se si vitamina D ndikon në rritjen e fetusit dhe roli i saj në sëmundjet që ndodhin gjatë shtatzënisë te nëna (psh. hipertensioni apo pre-eklampsia).

Ne Kanada unë kam zgjeruar fushën e studimeve pediatrie për të kuptuar se si disa sëmundje kronike bashkë-ekzistojnë në fëmijët (psh. obeziteti dhe astma) dhe cila është origjina e tyre e përbashkët. Gjithashtu duke qenë se jo te gjitha nënat kanë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre me gji, unë jam duke zbuluar se cilët janë përbërësit e qumështit te gjirit, dhe rolin e tyre ne parandalimin e sëmundjeve kronike.

Për të arritur në konkluzione unë analizoj të dhënat e 3500 fëmijëve dhe prindërve të tyre të përfshirë në studimin më të madh Kanadez – CHILD Cohort Study. Nënat e këtyre fëmijëve janë përfshire në studim që kur ato ishin shtatzëna (2008-2012), janë ndjekur gjatë shtatzënisë, në lindje, dhe fëmija është ndjekur për rreth 12 vjet (synojmë që të vazhdojmë ti ndjekim edhe më tutje). Me anën e punës time, mjekëve dhe shkencëtarëve të tjerë ne po arrijmë të kuptojmë se çfarë është ndryshe në fëmijët që zhvillojnë astme apo patologji të tjera krahasuar me fëmijët e shëndetshëm. Së fundmi unë kam zgjeruar fushën e kërkimeve për të kuptuar se si gjenetika dhe dieta bashkëveprojnë me njëra tjetrën në zhvillimin e sëmundjeve.

Syri.tv: Cilat janë këshillat që jepni tek fëmijët për të parandaluar sëmundje të ndryshme?

Kozeta Miliku: Ashtu siç e përmenda më sipër fusha e DOHaD na tregon se origjina e shumë patologjive është e hershme, ndaj edhe këshillat që do të jepja fillojnë së pari për të rinjtë që planifikojnë të kenë fëmijë si edhe nënat shtatzëna. Dieta dhe stili i jetës së tyre janë faktorë që „paracaktojnë“ shëndetin e fëmijës. Është e rëndësishme marrja e acidit folik, suplementet e vitaminave dhe mineraleve gjithmonë në varësi të niveleve që gjenden në trup, dhe kujdesi për të pasur një diete të balancuar. Stresi, ankthi, depresioni janë faktorë që influencojnë negativisht në shëndetin e fëmijës. Nisja e shtatzënisë mbipeshe apo nënpeshë paraqesin rrezik. Shmangia e pijeve të ëmbëlsuara, duhanit dhe alkoolit është kritike. Studimet e fundit tregojnë që fëmija ka benefite edhe nëse babai konsumon acid folik para koncepcionit (ngjizjes së fëmijës).

Normalisht dhe fëmijëria e hershme, sidomos 2 vitet e para të jetës janë periudhe kritike ne parandalimin e sëmundjeve kronike. Ndaj duhet stimuluar ushqyerja me gji te nënat e reja dhe duhen ndjekur rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe pediatrit në varësi të rritjes së fëmijës. Si te rriturit, edhe fëmijët duhet të kenë një diete të shëndetshme. Ajo çka do të theksoja te fëmijët është që të shmangin përdorimin e pijeve të ëmbla në kuti apo kënaçe si edhe patatinat e çokollatat me teprice.

Syri.tv: Sa herë rekomandohet kontrolli mjekësor për fëmijët dhe deri në cilën moshë?

Kozeta Miliku: Ditët e para të jetës janë periudhe kritike për rritjen dhe zhvillim e fëmijës – një dritare që mund të parandalojmë shume sëmundje dhe ku pediatri ka një rol thelbësor. Edhe foshnjat që janë plotësisht të shëndetshme duhet të kontrollohen rregullisht te mjeku. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon kontroll të plotë të fëmijës: Në lindje, 3 deri 5 ditë pas lindjes, dhe 1, 2, 4, 6, 9, 12, 15, 18 dhe 24 muaj pas lindjes. Në këto vizita pediatri bën një ekzaminim të plotë të fëmijës nga koka te këmbët (vesh, sy, gojë, fontanelat në kokë-zonat e buta në kokën e bebes që përgjithësisht zhduken brenda 12-18 muajve, lëkura, zemra dhe mushkëritë, barku, gjymtyrët, organet gjenitale), teste gjaku, imunizimin apo vaksinimet, monitoron dhe dokumenton rritjen dhe zhvillimin (pesha, gjatësia, perimetri i kokës, sjellja) e fëmijës. Nga mosha 5 deri ne 18 vjeç rekomandohet që një fëmijë i shëndetshëm të shkojë te mjeku çdo 1-2 vjet.

Duke qenë se jemi në një periudhe pandemie, dua të theksoj se është shume e rëndësishme, që fëmijët të vaksinohen në kohën e duhur dhe të mos shtyhet bërja e vaksinës.

Syri.tv: Cilat janë sëmundjet më të rrezikuara tek fëmijët dhe si duhet të shmangen ato ?

Kozeta Miliku: Në ditët e sotme vihet re një rritje eksponenciale e obezitet, alergjive dhe astmës në fëmijët, gjë që mund të lidhet me shumë faktorë si industrializimi, ndryshimi i stilit të jetesës, ndryshimi i dietës te prindërit dhe fëmijët. Për shembull, një stil jetese i ngarkuar shpesh herë na drejton drejt ushqimeve „fast food“, apo drejt përdorimit të formulës në të porsalindurit. Vitet e fundit vihet re edhe mbi ndotjen e ajrit, ushqime me nivele të larta pesticidesh, përdorimi i shtuar i antibiotikeve, detergjenteve të shumta për pastrim, materialeve plastike. Çdo ditë e më shumë ne kuptojmë se si këto faktorë ndryshojnë mikrobiomen apo mikrobet në zorrën e fëmijëve dhe si një mikrobiome e alteruar (një çrregullim i ekuilibrit midis mikrobeve të mira dhe atyre pathogjene) lidhet me sëmundjet kronike si obeziteti, astma dhe alergjitë. Shmangia e faktorëve më sipër mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar sëmundje kronike te fëmijët.

Syri.tv: Sa e zhvilluar është kultura e këtij profesioni në Kanada ?

Kozeta Miliku: Kanadaja është në majat e arritjeve në fushën e DOHaD dhe studimet pediatrike. Në Kanada është aktive shoqata kombëtare e DOHaD ku unë kam fatin e mirë të jem pjesë e bordit ekzekutiv të kësaj shoqate dhe drejtoj bordin e DOHaD Canada Trainee Development Committee. Ajo çfarë më pëlqen rreth Kanadasë është se sa e hapur është drejt bashkëpunimeve në mbarë botën.

Syri.tv: A mund të na tregoni synimet tuaja?

Kozeta Miliku: Synim im është reduktimi i prevalencës dhe barrës së sëmundjeve kronike.

Syri.tv: A i prek fëmijët COVID- 19 ?

Kozeta Miliku: Jemi në një kohë pandemie dhe shumë gjera janë në ndryshim të vazhdueshëm, ashtu siç po e vëmë re në ndryshimet e herëpashershme në rekomandimet e OBSH.

Po, COVID-19 i prek edhe fëmijët ashtu si edhe të rriturit, madje duhet treguar shumë kujdes sepse jo të gjithë fëmijët reagojnë njëlloj. Te fëmijët e diagnostikuar me COVID-19 janë parë disa forma të sindromës inflamatore multisistemike (MIS-C), një situate ku pjese të ndryshme të trupit (psh. zemra, mushkëritë, veshkat, truri, lëkura, sytë apo organet e traktit tretës) mund të inflamohen. MIS-C mund të jetë serioze, madje edhe vdekjeprurëse, por deri tani shumica e fëmijëve të diagnostikuar, janë përmirësuar me mjekimin e duhur.

Duhet të ketë një komunikim të vazhdueshëm me fëmijët dhe duhen edukuar rreth situatës që ndodhemi. Edhe pse fëmijët nuk kanë tendenca të infektohen në të njëjtat ritme si te rriturit, ata mund të luajnë një rol kritik ne kalimin e infeksionit, pra virusit, në të tjerët.

Syri.tv: Sa ka qenë numri i fëmijëve të prekur nga virusi COVID- 19 në klinikën tuaj apo në spitalin ku punoni ju ?

Kozeta Miliku: Deri tani në provincën e Manitobes ka pasur 7 fëmije (4 djem dhe 3 vajza) të moshës 0-9 vjeç te infektuar me COVID-19. Situata në provincë është e qetë me një total prej 325 rastesh me COVID-19, nga të cilët 16 raste janë akoma aktive dhe 7 vdekje.

Syri.tv: Sa është e dëmshme Corona virusi tek fëmijët me Astme apo me sëmundje të ndryshme?

Kozeta Miliku: Ashtu si te të rriturit, duhet treguar kujdes i veçantë në fëmijët që kanë sëmundje respiratorë apo të frymëmarrjes. Një fëmijë me sistem imunitar më të ulet apo me sëmundje kronike si astma është më i predispozuar për të marrë COVID-19 dhe ka një trajektore më të vështirë kurimi.

Syri.tv: Si duhet ti mbrojmë apo ti këshillojmë fëmijët nga COVID- 19 ?

Kozeta Miliku: Rekomandimet janë të njëjta për fëmijët ashtu si për të rriturit. Është e rëndësishme të ndiqen rekomandimet e autoriteteve federale dhe lokale.

Ajo çka duhet të bëjmë kujdes me fëmijët është se ata nuk e kuptojnë plotësisht rrezikun, ndaj prindi duhet të gjejë mënyrën më të mirë të shpjegimit të situatës me informacion të saktë dhe sipas kapacitetit dhe moshës së fëmijës. Fëmija merr shembull prindërit, ndaj prindi duhet të jetë i pari të ndjeke rregullat, të inkurajojë fëmijën si dhe ti tregoje se sa e rëndësishme është që të gjithë të tregojmë kujdes për të ndihmuar në uljen e shpërndarjes së virusit.

Prindërit duhet të jenë të qetë kur i flasin fëmijës rreth situatës së rrezikut të COVID-19, të bindin fëmijët që ata janë të sigurt dhe se është normale që të ndihen të mërzitur. Ata mund të ndihmojnë fëmijën të gjejnë zgjidhje për të kaluar mërzitjen së bashku. Prindërit gjithashtu duhet të bëjnë kujdes se çfarë fëmijët shikojnë apo dëgjojnë në televizor apo radio – ndonjëherë shumë informacion, apo informacion i ekzagjeruar mund të shkaktoje ankth të panevojshëm te fëmijët. Prindi duhet të gjejë gjithmonë kohë të flasë me fëmijët dhe të mos fajësoje të tjerë për situatën e krijuar. Çdo ditë, prindi duhet ti rikujtoje fëmijës veprimet që duhet të ndjekë për të ulur shpërndarjen e virusit. Nëse shkolla është hapur duhet ti rikujtojë fëmijës masat e tjera që duhen marrë që fëmija të ndihmojë në mbrojtjen e fëmijëve të tjerë në shkolle apo stafin e shkollës.

Media sociale gjithashtu ka bërë një punë të mirë me shembujt e treguar psh: eksperimenti me detergjentin e enëve dhe piperin e zi është shembull mjaft i mire për ti treguar fëmijëve rëndësinë e larjes së duarve për tu mbrojtur nga virusi.

Këshilla të tjera që u duhen dhëne fëmijëve janë: të shmangin frekuentimin e hapësirave me shumë njerëz dhe të ruajnë distancën fizik; të shmangin kontaktet me njerëzit e sëmurë; të qëndrojnë në shtëpi kur nuk ndihen mirë; të mbulojnë gojën me shami ose me bërryl kur teshtijnë apo kolliten; të lajnë duart me sapun për të paktën 20 sekonda; të përdorin dezinfektues për duart (prindërit duhet të zgjedhin me kujdes dezinfektuesit, ato duhet të jenë me të paktën 60% alkool dhe të mos përmbajnë kimikate që dëmtojnë fëmijën); ti thajnë duart mirë; të mos prekin gojën, hundën apo sytë me duar të palara. Tek fëmijët mbi 2 vjeç rekomandohet mbajtja a maskave prej rrobe.

Syri.tv: Cilët janë simptomat e COVID- 19 tek fëmijët ?

Kozeta Miliku: Shenjat klinike kryesore te fëmijët janë: temperatura e lartë; kolle e re, pra që fëmija nuk e ka pasur më parë dhe që vazhdon (kollitje për me shumë se një ore; apo 3 ose më shumë episode kolle brenda 24 orëve); vështirësi në frymëmarrje; humbje apo ndryshime në ndjesisë e nuhatjes apo shijes. Gjithashtu fëmijët mund të shfaqin shenja në lëkurë (psh skuqje), mund të jenë shumë të axhituar (nuk ndalojnë së qari), mund tu ndryshoje ngjyra e lëkurës – shpesh herë zbehen, fëmija nuk përgjigjet apo reagon si zakonisht; nuk ka uri etj. Prindi e kupton më mirë se kushdo ndryshimet e fëmijës ndaj duhet ti besojë intuitës së vet.  

Syri.tv: Çka duhet bërë nëse fëmija im ka simptomat e COVID- 19 ?

Kozeta Miliku: Prindi duhet të veproje sipas situatës dhe gjendjes së fëmijës dhe të ndjekë rregullat e autoriteteve të shëndetit publik. Nëse prindi shikon që fëmija paraqet shenjat kryesore të përmendura më sipër, duhet të vetë-izolojë veten, fëmijën dhe anëtaret e familjes dhe të mos pranojë vizitore në shtëpi; të telefonojë në numrat e telefonit nga autoritet lokale dhe të ndjeke këshillat e tyre; të njoftojë mjekun e përgjithshëm dhe ti tregojë rreth shenjave që fëmija paraqet; në raste urgjence të telefonojë urgjencën dhe ti paralajmërojë rreth shenjave të mundshme të COVID-19 që fëmija ka.

Syri.tv: A mundeni të na tregoni sa ka qenë numri i të infektuarve nga Corona Virus në Kanada, dhe në mesin e tyre, ka pasur shqiptar?

Kozeta Miliku: Deri tani, në Canada ka pasur 105,317 raste me 8,674 vdekje. Për fat të keq ka pasur edhe shqiptare të infektuar në provincën e Ontarios. Në provincën e Manitobes ku unë jetoj fatmirësisht nuk ka bashkatdhetarë të prekur.

Syri.tv: Çfarë roli luan virusi COVID- 19 tek fëmijët me sindromin Down ?

Kozeta Miliku: Fëmijët me sindromin Down kanë të njëjtin rrezik për të marre infeksionin e COVID-19 ashtu si edhe fëmijët e tjerë. Por, fëmijët me sindromin Down që infektohen me COVID-19 kanë rrezik të kalojnë formën e rëndë të COVID-19, kjo për shkak të kushteve të tjera mjekësore që një fëmijë me sindromin Down mund të paraqesë si për shembull apnea e gjumit, sëmundjet e lindura të zemrës, apo një sistem i ulet imunitar.

Informacioni i përgjithshëm që përmenda më sipër, në lidhje me COVID-19 rekomandohet edhe për fëmijët që kanë sindromin Down. Kjo do të thotë se shenjat klinike apo simptomat, mënyra se si përhapet virusi dhe mbrojtja ndaj tij, është njësoj edhe për fëmijët me sindromin Down.

Syri.tv: Kozeta Miliku ju jeni dhe fituese e Çmimit „Michelle Harkness Mentorship Award“ për 2020-ën, më flitni pak rreth këtij çmimit?

Kozeta Miliku: Me kënaqësi! Është viti i dytë që Aller Gen Network of Excellence, në nder të Michelle Harkness, jep cmimin „The Lifetime Mentoring Achievement Award“. Ky cmim u jepet atyre që kanë treguar ekselence si mentor apo udhëheqës, angazhim të jashtëzakonshëm dhe afatgjatë për të mbështetur, inkurajuar dhe promovuar arsimimin, zhvillimin profesional dhe personal, dhe karrierën e personave në trajnim apo profesionistëve. Unë isha nominuar nga studentet që ko-supervizoj dhe stafi i CHILD Cohort Study.

Syri.tv: Më kë jeton Kozeta Miliku?

Kozeta Miliku: Unë jetoj me bashkëshortin tim Enrin. Prej 3 vitesh ne jemi zhvendosur nga Hollanda në Kanada. Enri është profesionist ne fushën e inxhinierisë biomedikale dhe punon në një kompani internacionale IT ne fushën e mjekësisë. Te dyve na mungon shume Shqipëria dhe familjet tona në Korçë dhe Tiranë.

Syri.tv: Jashtë angazhimeve profesionale, merreni edhe me ndonjë aktivitet tjetër ?

Kozeta Miliku: Përveçse angazhimeve profesionale, unë i kam kushtuar një kohe të rëndësishme komunitetit Shqiptar në Manitoba. Aktualisht jam Drejtuese dhe një nga themelueset kryesore të shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Manitobes (Albanian-Canadian Community of Manitoba). Gjithashtu jam nismëtare e „Shkollës Shqipe“ ne Manitoba. Kam dëshire që të ruajmë gjuhen, zakonet dhe traditat Shqiptare edhe në Manitoba si edhe të ndajmë me komunitetin Kanadez traditat dhe kulturën Shqiptare.

Syri.tv: Si kur të mos ishte Kozeta Miliku në fushën e mjekësisë, si do të ju takonim ne sot ?

Kozeta Miliku: Më pëlqen shumë që të ndaj me të tjerët njohuritë e mia. Nëse nuk do të isha bërë mjeke apo epidemiologe, më shumë shanse do të isha mësuese. Gjatë post-doktoraturës ftohem shpesh si lektore dhe të gjithëve iu bie në sy pasioni im për të mësuar të tjerët. Gjithashtu fund javëve asistoj mësueset e „Shkollës Shqipe“.

Syri.tv: Cili është mesazhi juaj për adhuruesit e rubrikës Bardhë e Zi si dhe për lexuesit e portalit Syri.tv?.

Kozeta Miliku: Kjo është një situate e pa jetuar më parë ndaj duhet bërë kujdes. Ndiqni rregullat e distancës fizike dhe mbani një higjienë të mirë. Ajo çfarë dua të theksoj është të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë për të kapërcyer vështirësitë që po kalojmë. Jemi të gjithë së bashku në këtë sfidë dhe do e kalojmë të gjithë së bashku.

Syri.tv: Ju falënderojmë që pranuat të jeni pjesë e rubrikës Bardhë e Zi të portalit Syri.tv?

Kozeta Miliku: Faleminderit ju për përcjelljen e zërit Shqiptar në emigrim. Uroj që këshillat e mia lidhur me shëndetin e fëmijës dhe COVID-19 tu vijnë në ndihme Shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Ju uroj gjithë të mirat!

Intervistoi Arben Mehmeti