Epidemiologu Taulant Muka nga Berni i Zvicrës pjesë e rubrikës“ Bardhë e Zi“ i cili flet për për jetën dhe sukseset e tij në portalin Syri.tv

0
325

Syri.tv: Përshëndetje i nderuar Taulant Muka mirë se na erdhe në rubrikën Bardhë e Zi në portalin Syri.tv?

Taulant Muka: Faleminderit për ftesën Arben dhe për krijimin e kësaj dritare komunikimi për të gjithë profesionistët shqiptarë jashtë vendit.

Syri.tv: A mundeni të na flisni pak për vetën tuaj , kush është Epidemiologu shqiptar nga Zvicra Taulant Muka?

Taulant Muka: Unë kam mbaruar mjekësinë në Tiranë, dhe më pas kam vazhduar doktoraturën dhe studimet postdoktoratur në fushën e epidemiologjisë së sëmundjeve të zemrës dhe diabetit në Universitetin e Erasmus në Holandë. Aktualisht drejtoj një grup kërkimor në fushën e sëmundjeve kardiometabolike në ISPM-Universiteti i Bernës në Zvicër. Puna kërkimore e grupit është e fokusuar në kuptimin e faktorëve të rinj të rrezikut si faktorët riprodhues, hormonet seksuale dhe epigjentika që do mund të ndihmonin në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Syri.tv: Taulant cili është rrugëtimi juaj si Epidemiolog, nga cila moshë fillove të mëresh me këtë profesion?

Taulant Muka: Rrugëtimi në epidemiologji filloi në vitin 2012 kur shkova në Holande për një master në fushën e shëndetit publik. Gjatë masterit u pasionova me epidemiologjinë pasi të jep aftësitë analitike për të kuptuar më shumë rreth një sëmundjeve dhe masave që do mund të kishin impakt për shëndetin e popullatës. Besoj fusha e epidemiologjisë do ketë më shumë rol në të ardhmen, jo vetëm në parandalimin e sëmundjeve infektive, por edhe të sëmundjeve të tjera kronike.

Syri.tv: Në cilësinë e epidemiologut, si i vlerësoni masat e marra deri tani për të parandaluar përhapjen e COVID 19?

Taulant Muka: Shqipëria ka bërë shumë gabime në mënyrën sesi ka e menaxhuar situatën Covid. Ne kaluam nga një izolim ekstrem kur numrat nga terreni nuk e justifikonin një gjë të tillë, në një hapje pa masat e sigurisë që do siguronin një kontroll afatgjatë të infeksionit. Qeveria dha përshtypjen se në një moment po tallej me besimin e qytetarëve duke vendosur fasha oraresh që nuk bënin aspak kuptim. Kjo mund të ketë ndikuar me pas dhe në uljen e neglizhencës së qytetarëve ndaj masave pas hapjes. Për ta përmbledhur, besoj ndër pikat më të rëndësishme që vendi ynë ka gabuar janë:

1. Bota po përballet me një epidemi, dhe menaxhimi i një epidemie kërkon një epidemiolog në krye. Në komitetin e ekspertëve të vendit tonë nuk ka ende një studiues të epidemiologjisë anëtarë të komitetit, dhe komiteti drejtohet nga një neurologë. Po të kishin nevojë për një kirurgji, të mjeku specialist i sëmundjeve respiratorë do shkonit? Jo, te një kirurg. „Kirurgu“ për epideminë është epidemiologu.

2. Nuk ka qartësi në komunikimin publik, që mund të vijë e për shkak të paaftësisë së institucioneve përgjegjëse për të lexuar shkencën. E kam dëgjuar ministren të thotë edhe sot që virusi është i paparashikueshëm kur në fakt është e pavërtetë. Kjo paqartësi dhe pasiguri ka sjellë konfuzion që ndikon drejtpërdrejtë në ndjekjen e masave nga qytetarët

3. Me hapjen nuk u vendosën protokollet e sigurisë dhe të ishin krijuar skuadrat e oficerëve të sigurisë që do garantonin mos përhapjen e infeksionit në spitale. Sot, spitalet janë kthyer në vatra infeksioni duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e pacientëve, por e duke rritur rrezikun e shpërthimeve komunitare

4. Nuk u bë asnjë investim në laboratorë të rinj Covid. Edhe pse jemi ne muajin e katërt të epidemisë, vendi ynë ka vetëm një laborator që bën analizën Covid për gjithë vendin. E pa tolerueshme!

5. Kur implementohet një masë, bëhen projekte pilote, dhe para implementimit, fushata ndërgjegjësimi. U vendosën protokollet në spitale dhe biznese 100% kopje e protokolleve kineze pa i përshtatur për terrenin Shqiptar, duke sjellë e më shumë konfuzion. Për më tepër, në institucionet publike nuk u vendosën protokolle, dhe jeta në administratë filloi si më parë, sikur virusi ishte zhdukur. Një çorganizim i organizuar do thoja- prej padijes apo me dashje, pak rëndësi ka pasi rezultati është i njëjtë.

Syri.tv: A është e nevojshëm karantina? apo ndoshta testimet masive të popullatës mund të ishin një zgjidhje në mënyrë që të infektuarit të vazhdonin izolimin, ndërsa personat e shëndoshë t’i riktheheshin jetës normale?

Taulant Muka: Sot dimë më shumë për virusin, dhe sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë shkenca na jep mjete në duar për të kontrolluar epideminë. Izolimi ekstrem që u bë në Shqipëri ishte jashtë logjikës shkencore. Testimet janë të domosdoshme jo vetëm për të bërë gjurmimin e rasteve më efikas, por edhe për të zbuluar vatrat e infeksionit në komunitet. Me 350 teste disa është e pamjaftueshme për të menaxhuar situatën në vend. Në lidhje me karantinën, duhet një strategji kombëtare dhe vendosur protokolle që të zbatohen nga të gjithë punonjësit e shëndetit në vend. Nëse një person ka simptoma të ngjashme me Covid dhe/ose diagnostikohet me Covid, karantina është e nevojshme për të ulur rrezikun që personi të infektojë të tjerë.

Syri.tv: Si e shikoni situatën aktuale në Shqipëri; BE i mbylli kufijtë me vendin tonë?

Taulant Muka: kam paralajmëruar një situatë të tillë më parë. Duhen investime strategjike që të sigurojnë parametrat e sigurisë Covid-19 në mënyrë që BE të hapi kufijtë me vendin tonë. Aktualisht Shqipëria është në grupin e tretë për sigurinë Covid-19, dhe që të hapen kufijtë duhet të renditemi në grupin 2. Për të arritur këtë, ndër të tjera, qeveria duhet të ndërtojë një ekip të rinj profesionistësh që lexojnë shkencën dhe hartojnë politikat Covid-19 në bazë të të dhënave shkencore, të investojë në laboratorë të rinj për diagnozën e Covid-19 dhe të forcojë kapacitetet gjurmuese duke vendosur dhe një aplikacion që lehtëson gjurmimin elektronik.

Syri.tv: A mendoni se Zvicra e ka kaluar piken e pandemisë? Në cilën fazë të epidemisë ndodhet vendi ynë aktualisht?

Taulant Muka: Zvicra është shumë larg asaj që konsiderohet imunizimi i tufës. Studimet në Zurich për shembull tregojnë se vetëm 1.2% e shoqërisë është prekur nga infeksioni SARS-CoV-2, pra shumë larg nivelit 60% që mendohet se duhet për të arritur imunizimin e tufës. Gjithsesi, Zvicra ka bërë një punë të shkëlqyer, dhe sot renditet në vendin e parë në botë për sigurinë Covid-19. Së fundmi, Zvicra ka prezantuar dhe aplikacionin „SwissCovid“ që besoj do ketë një impakt pozitiv në kontrollin e epidemisë. Aplikacioni të sinjalizon në rast se keni qenë në kontakt me një person që është diagnostikuar më Covid-19, dhe në këtë mënyrë mund të tregoni më shumë kujdes duke u karantinuar/bërë testin Covid-19. Jua rekomandoj të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër ta instalojnë aplikacionin në celularët e tyre.

 Syri.tv: Sipas jush, cilat janë format dhe strategjitë që duhen implementuar për të ndërprerë zinxhirin e infektimit nga COVID 19?

Taulant Muka: Varet shumë nga faza dhe stadi në të cilën ndodhet epidemia. Nëse flasim për Shqipërinë, është e nevojshme të implementohen sa më shpejt masat lehtësuese pasi numrat në rritje janë shqetësuese, dhe tregojnë se situate epidemike nuk është nën kontroll. Nëse nuk ndërhyet, rrezikojmë skenarin Italian. Shteti mund të rekomandoj mbylljen e administratës për një kohë të caktuar sa të jenë krijuar kushtet higjienike dhe hapësirat për distancim fizik, të stimulojë punën nga shtëpia, dhe të implementojë protokollet e sigurisë që i përshtaten vendit tonë. Gjithashtu është e nevojshme rritja e kapaciteteve testuese dhe forcimi i spitaleve rajonale.

Syri.tv: A keni ju frikë nga virusi apo miqtë e juaj meqenëse jetoni larg vendlindjes?

Taulant Muka: Nuk kam frikë nga virusi, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të tregoj kujdes. Edhe pse nuk jam pjesë e popullatës që konsideroht e rrezikuar nga Covid-19, bëj përpjekjet maksimale të respektoj masat parandalues si të distancimit fizik. Personalisht po punoj nga shtëpia që nga Marsi, kur takoj miqtë e mi nuk takohemi si më parë, por përshëndetemi me bërryl, laj duart (përdor alkol) sa herë që më duhet të prek fytyrën kur jam jashtë shtëpisë; kur jam në transportin publik, kur kushtet e distancimit fizik nuk janë të mundur, përdor maskë. Sot më shumë kam frikë për atë që mund të ndodhë në vendlindje pasi Covid-19 vjen me pasoja të mëdha jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike dhe sociale nëse situata nuk menaxhohet siç duhet.

Syri.tv: A duhet të kemi panik nga ky virus ?

Taulant Muka: Nuk duhet të kemi frikë apo panik nga Covid-19, thjesht duhet të tregojmë kujdes. Është një sëmundje që mund të parandalohet nëse ne respektojmë rregullat.

Syri.tv: Si pas Taulant Muka kur munden ti kthehen qytetarët e Zvicrës , jetës normale ?

Taulant Muka: Është e vështirë të bësh një parashikim se kur do mundemi të kthehemi drejt jetës normale. Jeta normale do kthehej nëse:

1. Arrijmë imunizimin e tufës, pra rreth 60% e popullatës të infektohej. Por kjo do vinte me pasoja të mëdha shëndetësore. Për shembull në Bergamo mendohet se 57% e popullatës ka kaluar Covid-19, por kjo u shoqërua me vdekje 6-fish më shumë së vdekjet e së njëtës periudhë të viteve të kaluar

2. Arrijmë të gjejmë vaksinën. Edhe pse ka disa vaksina që po testohen, është e vështire të parashikojmë kur do mund të përdoren. Para përdorimit duhet të sigurohemi që nuk kanë efekte anësore. Personalisht nuk mendoj se mund të kemi një vaksinë që do mund ta përdorim në 1-2 vitet e ardhshme.

3. Arrijmë të gjejmë trajtime efikase. Personalisht besoj më shume punë kërkimore duhet investuar në këtë drejtim. Ka disa medikamente që po tregojnë të jenë efikas dhe të ulin vdekshmërinë në pacientë Covid. Uroj studimet e ardhshme të sjellin më shumë informacion, pasi nëse gjejmë trajtime efikase atëherë do kemi me shumë mundësi për një përballim të suksesshëm të epidemisë.

Syri.tv:Sa vende të Zvicrës janë prekur nga ky virus?

Taulant Muka: Të dhënat tregojnë që të gjithë kantonet janë prekur nga Covid, por në nivele të ndryshme. Kantoni i Bernës dhe Zurich janë më pak të prekur, ndërsa Gjeneva për shembull ka një pre valence më të lartë të popullatës që ka kaluar infeksionin SARS-CoV-2- mendohet te 10% sipas një studimi të fundit. Në momentin që në flasim, edhe pse situata epidemiologjikë në Zvicër ka qenë e qëndrueshme, ditët e fundit ka patur një rritje të vogël të rasteve. Mendohet sa aktualisht R0, një parametër që përdoret për kontrollin e infeksionit, është mbi 1. Qëllimi i kontrollit të epidemisë është që R0 të jëtë nën 1.

Syri.tv: Sa jeni aktive si Epidemiolog shqiptar nëpër spitalet apo ordinancat Zvicerane dhe ato shqiptare ?

Taulant Muka: Unë jam studiues i epidemiologjisë, dhe nuk jam i përfshirë në punën e terrenit. Në fakt fusha ime si studiues është në epidemiologjinë e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit dhe punoj me disa qendra spitalore në Zvicër, përfshirë Inselspital në Bern dhe qendrat spitalore ne Zurich dhe Lausanne. Në lidhje me Covid, më shumë jam i angazhuar për shkak të vendit tim, pasi e di që aty ka mungesë ekspertize dhe përpiqem me aq sa mundem të jap një kontribut.

Syri.tv: Me ke jeton Taulant Muka?

Taulant Muka: Për momentin vetëm J. Jam me fat që kam njohur disa kolegë shqiptarë në Bern me të cilët takohemi shpesh për aktivitete sociale.

Syri.tv: Si po të trajton jeta kohen e fundit si Epidemiolog në Zvicër ?

Taulant Muka: Krahasuar me më parë, ndryshimi i vetëm është që po punoj kryesisht nga shtëpia dhe online. Shtëpia të ofron disa komoditete dhe më shumë fleksibilitet që ta bëjnë punën më të këndshme. Ndonjëherë të mungon kontakti fizik. Besoj në të ardhmen puna online do bëhet e më shumë e pranishme, e sidomos për disa profesione. Epidemiologjia për shembull është shumë e lidhur më përpunimin e të dhënave, e për këtë mjafton të kesh një kompjuter dhe programet e duhura.

Deri tani po shkon mire, edhe grupi që drejtoj duket se po e menaxhon shumë mirë situatën. Për më tepër, shumë shpejt fillojmë pilotimin e një projekti madhor në Zvicer që synon në të ardhmen të marri në studim mbi 100 mijë qytetarë Zvicerian dhe ti ndjekë për disa vite për të pare faktorë të ndryshëm (dieta, aktiviteti fizik, faktorë social, gjenetik, epigjentik etj) sesi ndikojnë në semundshmëri, dhe kam kënaqësinë të jem pjesë e ekipit shkencor që drejton këtë projekt. Në projektin pilot, do studiojmë dhe disa parametra që lidhen me Covid-19.

 Syri.tv: Si është jeta e një Epidemiolog shqiptar në Zvicër ?

Taulant Muka: Kam punuar në disa vendet të botës, përfshirë Holandën, Danimarkën, Amerikën dhe Anglinë, por kultura e punës në Zvicër më pëlqen. Kolegët janë shumë bashkëpunues, jo diskriminues dhe janë inovatorë- diçka që nuk e shikon shpesh ne vendet e tjera. Kur erdha në Bern fillimi nuk ishte i lehtë për shkak se fusha e epidemiologjisë së sëmundjeve kardiometabolike nuk është shumë e zhvilluar në Zvicër, por këto 16 muaj kemi bërë progres madhor dhe kemi krijuar bashkëpunime shumë të rëndësishme me universitete lider në botë si Imperial College London në Britani, Harvard në Amerikë dhe McGill në Kanada.

Syri.tv: Si kur të mos ishte Taulant Muka Epidemiolog, si mundemi ne sot ta takonim Taulantin ?

Taulant Muka: Politikë besoj. Më ka pëlqyer politika, dhe ende vazhdoj ta kem pasion.

Syri.tv: Cili është mesazhi juaj për adhuruesit e rubrikës Bardhë e Zi dhe për lexuesit e portalit Syri.tv si Epidemiolog ?

Taulant Muka: Në radhë të parë ju uroj shumë për këtë nisëm për të promovuar profesionistët shqiptarë jashtë vendit, pasi kemi shumë shqiptarë të suksesshëm jo vetëm në Zvicër por edhe në vende të tjera të botës. Për lexuesit shqiptarë, besoj këshilla që kam është ta duam njëri tjetrin, dhe të përpiqemi sa më shumë të zgjerojmë rrjetin e profesionistëve shqiptarë në Zvicër dhe më tej për të rritur dhe ndikimin tonë jo vetëm në Zvicër por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Syri.tv: Në emrin tim personal dhe në emër të  te Syri.tv ju falënderojë që ishit pjesë e rubrikës Bardhë e Zi në portalin Syri.tv

Taulant Muka: Ju falënderoj për ftesën dhe ju uroj shume suksese ne te ardhmen.

Intervistoi Arben Mehmeti.