IBISH NEZIRI: HETIMET PËR RAPORTET E DICK MARTY’t DHE WILLIAMSON’it DUHET BËRË NË BEOGRAD, JO NË KOSOVË. KOSOVA PËR KËTO ËSHTË ADRESË E GABUAR!

0
241

Pejë, 31. 07. 2014 – Edhe një raport mbi bazën e të cilit do të ngriten akuza. Raport i hartuar pas raportit të Dick Marty-t, për të cilin qysh kur doli e pata thënë fjalën tim në Aargauer Zeitung, (lexoni këtu: http://www.aargauerzeitung.ch/aargau/baden/vorwuerfe-gegen-kosovo-praesident-er-hat-nicht-mit-organen-gehandelt-102581886), të cilën të përkthyer e pat botuar edhe gazeta „Lajm“ e Prishtinës. Do të ngritet edhe një akuzë, (të paktën kështu njoftojnë masmediat), e cila do ta këtë fatin e të gjitha akuzave të deritashme, por ku qëndron faji për këto akuza, te shqiptarët, te institucionet, të cilat për këtë u treguan aq neglizhente e aq të painteresuara, të trashëgimtarët e UÇK-së, të Serbia apo te orientimi armiqësor i ndërkombëtarëve kundër luftës së UÇK-së, i mbështetur edhe nga qarqe shqiptare, poashtu të disponura armiqësisht undër UÇK-së dhe të nxitura, paguara e stërpaguara nga Serbia.

Kundër kujt dhe kush do të duhej ngritur akuza për krime të luftës? Kush i pat të gjitha mundësitë që të bëjë transplatime organesh, për çka u akuzuan shqiptarët, ku po gjenden mbetjet mortore të qindra e mijëra shqiptarëve, viktima të luftës, në Kosovë apo në Serbi dhe si shkuan e pse shkuan ata njerëz në Serbi? Kam shkruar edh më parë pikërisht për këtë. Ku janë edhe mbi njëmijeshtatqindë (1700) shqiptarë, të cilët humbën pa nam pa nishan, si kishte për të thënë populli, janë të vrarë, e të groposur apo mbahen të mbyllur si rezervë për t’u marrë organet për trafikim apo edhe transplatim brenda Serbisë, në VMA-në e tyre të njohur apo edhe në spitale tjera?

Këto gjëra duan shpjegim dhe janë çështje me të cilat do të duhej marrë të gjitha institucionet shtetërore dhe ato të drejtësisë kosovare (gjyqtarë, prokurorë, advoktë), ashtu si edhe drejtësia ndërkombëtare. Me këtë do të duhej marrë edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe ato ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pse kjo drejtësi selektive?!

Mund të thotë dikush se Haga e ka kryer misionin e vet me shkaktarët e luftërave në ish – Jugosllavi sepse i ka dënuar (disa), por jo. Kjo nuk është e vërtetë. Gjykata e Hagës është dështuesja më e madhe. Ajo ka dështuar katërcipërisht derisa kryekriminelin e Ballkanit dhe të Evropës moderne Sllobodan Millosheviqin, qoftë edhe post mortum nuk e ka shpallur fajtor.

Hetimet për raportet e Dick Marty-t dhe raportin e Williamson duhet bërë në Beograd, jo në Prishtinë, jo në Kosovë. Kosova për këto është adresë e gabuar!

-Kontakti me autorin: ineziri@swissonline.ch.