PSE VJOSA OSMANI DO TË KETË SUKSES, NËSE E THEMELON NJË SUBJEKT TË RI POLITIK?

0
422

Lirim Gashi

Përgjigje ajnshatjnave, që thonë se nëse Vjosa Osmani del në zgjedhjet e ardhme me një subjekt të ri politik, duhet të jetë e kënaqur nëse e kalon pragun.

Të dashur ajnshtajna të analizës dhe prognozës :

Unë e di që ju i arsyetoni analizat dhe progozat tuaja me dështimin e Nexhat Dacit, Dardan Molliqajt, Fatmir Limes e kështu me radhë…

Por ajnshtajna të dashur në vitin 2006 kur ndodhi kongresi i karrikave dhe ndarja e Ldk-së, Kosova nuk ishte as shtet, ndërkaq Ldk-ja ishte së paku në sytë e popullit ende partia e Ibrahim Rugovës.

Pra nuk ishte ende Staf Emergjent për shpëtimin e Thaçit nga fundosja politike, por Ldk e Rugovës.

Prandaj edhe pse Nexhat Daci kishte autoritet, gjegjësisht impakt në popull për faktin se konsiderohej si njëri ndër bashkëpunëtoret më të ngushtë të Rugovës në pesë vitet e fundit të jetës së tij, përsëri lidhja emocionale e elektoratit për Ldk-në si kolektiv, ishte më e madhe sesa për Nexhat Dacin si individ.

Mirëpo edhe përkundër këtij fakti amatori politik Nexhat Daci me Ldd-në e tij, i fitoi 13% të votave.

Ndërkaq ne sot të gjithë së bashku jetojmë në vitin 2020, kur gjërat janë kristal të qarta dhe kur edhe nga aeroplani shihet se kush është kush.

Në ndërkohë Ldk dëshmoi në kontinuitet, sidomos në kohën e despotit marionetë dhe kameleon me emrin Isa Mustafa, se jo vetëm që nuk është as hija e Ldk-së së dikurshme, por një Parti joserioze që në fushatat elektorale ia premton elektoratit gjërat e kundërta, nga ato që i realizon pas ardhjes në pushtet.

Për të gjitha aferat, anomalitë dhe çoroditë që ndodhën në ndërkohë jemi të gjithë së bashku dëshmitarë, prandaj nuk dua t’i numëroj veç e veç , sepse nuk do të mjaftonte edhe një roman bestseller në disa vëllime.

Mirëpo kulmi i hipokrizisë, poshtërsisë dhe tradhtisë që Ldk ia bëri elektoratit të saj dhe popullit të Kosovës ndodhi në vitin 2020, kur e ajo si partner i koalicionit qeverisës, e rrëzoi midis pandemisë Qeverinë Kurti.

Dhe merreni me mend, këtë e bëri pikërisht në momentin kur Albin Kurti filloi të flasë hapur për domosdoshmërinë e realizimit të premtimit elektoral për ligjin e lustracionit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Në të njëjtin çast u alarmua dhe aktivizua sektori propagandistik Thaçi-Mustafa dhe filloi ta sajojë një imazh të rremë për Albin Kurtin si anti amerikan, që e kishte për qëllim manipulimin dhe mashtrimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar.

Kujt nuk i kujtohet vizita jozyrtare e Avdullah Hotit dhe Skënder Hysenit në Washington, që ishte në shërbim të sforcimit të këtij imazhi të rremë për Albin Kurtin ?

Fakti që Hashim Thaçi e keqpërdori lodrën e tij Gjykatën Kushtetuese për ta shkelur vullnetin e sovranit dhe për t’ia hapur rrugën krijimit të një Qeverie marionetë, e cila do ta jetësonte agjendën e moçme të Dobrica Qosiqit dhe të tanishme të Aleksandër Vuçiqit, gjë që atij personalisht do t’ia siguronte jo vetëm heqjen e emrit nga lista e zezë e Interpolit, por edhe shpëtimin nga Gjykata Speciale, duhet t’ju mjaftonte të gjithë skeptikëve si alarm dhe dëshmi për mos krahasimin e situatave të pakrahasueshme.

Sepse ekzistimi i Gjykates Speciale nuk do të kishte kuptim pas një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ku palët njëra tjetrës do t’ia falnin të gjitha mëkatet, thua se të dyjat ishin agresore.

Përveç kësaj kush na siguron që kjo Qeveri e turpit Thaçit nuk ia siguron edhe një mandat tjetër si President, si dhe shpëtimin e përkohshmem nga përgjegjësia dhe llogaridhënia për keqbërien dy dekadëshe?

Prandaj nëse ky nuk është argumenti më bindës i mundur, që Ldk i është kthyer rolit të moçëm të Stafit Emergjent për shpëtimin e Thaçit dhe sojit të tij nga fundosja politike, atëherë unë nuk di çka është për ju një argument bindës?

Sepse brenda Ldk-së ka shumë individë që kishin rol dhe hise në keqbërien dy dekadëshe të Hashim Thaçit dhe prontomafias së tij, prandaj ai e mban në xhep udhëheqësinë e saj kriminale dhe korrupte.

Fakti tjetër që Hashimi personalisht ia siguroi Qeverisë së tij të turpit edhe votën e 51, vetëm sa e sforcon argumentin e lartpërmendur.

Prandaj nëse Vjosa Osmani të cilën unë më gjuhën metaforike do ta përshkruaja si pothuajse delen e vetme të bardhë në tufën e deleve të zeza me emrin Ldk, e braktis tufën e saj të tanishme dhe e themelon një subjekt të ri politik, atëherë është shumë i logjikshëm argumenti se do ta merr me veti pa asnjë dyshim edhe numrin më të madh të votave.

Dhe jo vetëm kaq, por ajo do të merr shumë vota të reja nga të pakënaqurit në të gjitha subjektet politike, që ishin pjesë e Qeverive të pasluftës dhe që u bënë pjesë e kësaj Qeverie të turpit.

Sepse pikërisht për këtë arsye dhe për shumë të tjera, që ndërlidhen me dy dekada keqbërie, do të ndëshkohen nga elektorati.

Sepse Isa Mustafen asnjë njeri normal nuk e identifikon me Ldk-në e Rugovës, përkundrazi vetëm me shkatërrimin e Ldk-së së Rugovës dhe frymës rugoviste, gjegjësisht me dëbimin e kuadrove rugoviste nga Ldk.

E ngjashme situata ishte edhe me aferën “muti made in Durguti” në Vetëvendosje.

Disa dhjetëra qyqarë të tubuar rreth intrigantit tinëzar Dardan Molliqaj, i ranë thikë pas shpine Albin Kurtit derisa ai po e vuante padrejtësisht një dënim në burg.

Mirëpo i ranë thikë pas shpine njeriut që ishte dëshmuar përmes veprës së tij si politikani më i pakorruptuar, më i ndershëm, më i moralshëm, më parimor, më i ditur dhe më i guximshëm në politken mbarë shqiptare.

Prandaj u ndëshkuan fillimisht nga antarësia e Vetëvendosjes, e më vonë nga elektorati.

Sepse në këtë rast delet e zeza dolën nga tufa e deleve të bardha dhe jo anasjelltas.

A e keni parasysh dallimin, apo jo?

Rasti i Fatmir Limes dhe Nisma-s është diçka tjetër.

Në këtë rast disa dele të bardha, (së paku në sytë e popullit) dolën nga tufa e deleve të zeza dhe e formuan një Parti.

Me ndihmën e elektoratit lokal nga Malisheva dhe disa komuna përreth, këto dele në shikim të parë të bardha e kaluan censusin dhe u futën në Parlament.

Mirëpo në momentin që erdhën në Pushtet këto dele në shikim të parë të bardha u dëshmuan si po aq të zeza, sa ato që i lanë prapa në Pdk.

Prandaj Nisma e Fatmir Limajt do të dështojë si projekt, dhe delet e bardha që u dëshmuan si të zeza do të kthehen përsëri në tufën e tyre të moçme.

Vjosa Osmanin në anën tjetër e dallon prej personave të lartpërmendur profili shumë më cilësor dhe konzistent njerëzor dhe politik, të cilin e ajo e ka dëshmuar me vite të tëra.

E dallon gjithashtu edhe fakti se asnjëherë nuk e ka zhgënjyer votuesin, sepse pothuajse gjithmonë i ka qëndruar besnike premtimeve nëpër fushatat elektorale.

Ajo premtimeve të saj i ka qëndruar besnike madje në rrethana tejet të vështira, ku si pothuajse e vetmja dele e bardhë në tufën e deleve të zeza, ka qenë shpesh viktimë e linçimit të paimagjinueshëm nga ujqërit në krye të subjektit politik, të cilët e kanë diskriminuar dhe anashkaluar vazhdimisht .

Fakti që në zgjedhjet e kaluara e kanë keqpërdorur për të shpëtuar nga fundosja personale politike dhe jo pse e duan Partinë që e udhëheqin dhe popullin e Kosovës, është dëshmi e qartë se bëhet fjalë për njerëz të paskrupullt, të cilët çdo planifikim ia nënshtrojnë interesave egoiste, materialiste dhe karrieriste.

Prandaj nëse Vjosa Osmani themelon Parti të re, nuk do të jetë thjeshtë një Parti sezonale, por një subjekt politik me perspektivë të jashtëzakonshme afatgjate.

Natyrisht kjo varet edhe nga mënyra e organizmit, financimit dhe politikbëries, mirëpo duke e njohur Vjosen jam i bindur thellë, se atë nuk e joshin gjërat e këqija, përkundrazi, prandaj do të ketë përkrahje të madhe nga shqiptarët në Kosovë dhe diasporë.

Prandaj Partia e re e Vjosa Osmanit (nëse themelohet), qysh në zgjedhjet e para elektorale do t’i këtë më së paku 15% deri në 20% të votave të përgjithshme.

Unë personalisht jam i bindur se do ta ketë një përkrahje edhe më masive të popullit, që do t’i tejkalojë edhe pritjet e optimistëve me të mëdhenjë, prandaj prognoza ime për 15% deri në 20% të votave i dedikohet skeptikëve të cilët dua t’i kursej nga shokimi.