Teni Kamberi, mjek i Garave të Formulës 1, pjesë e rubrikës“ Bardhë e Zi “ në portalin Syri.tv

0
577

Syri.tv: Përshëndetje i nderuari dr. Teni Kamberi! Faleminderit që jeni pjesë e TV tonë, gjegjësisht te rubrikës Bardh e Zi të portalit tonë Syri.tv?

Dr.T.Kamberi: Përshëndetje juve dhe faleminderit për ftesën.

Syri.tv: Na tregoni kush është Teni Kamberi, një biografi të shkurtër në mënyrë që të ju njohin më mirë përcjellësit e portalit tonë Syri.tv?

Dr.T.Kamberi: Jam nga Presheva, më saktë me origjine nga fshati Zhunicë. Shkollën fillore dhe të mesme i kam mbaruar në Preshevë, Fakultetin e mjekësisë në Tiranë ndërsa specializimin për Anesteziologji dhe Reanimacion e kam bërë në Liège (Belgjike) dhe në Lille(France).  

Syri.tv: Si u gjet dr. Kamberi në Francë dhe pse?

Dr.T.Kamberi: Pas tre viteve specializimi në Anesteziologji-Reanimacion në Liége të Belgjikes, profesori im i atëhershëm,  Prof. Dr. Maurice LAMY më propozoi të vazhdoj dy vitet e fundit të specializimit në Qendrën Spitalore Universitare në Lille të Francës, nën mbikëqyrjen e Profesorit të mirënjohur Philippe SCHERPEREEL. Qëllimi i këtij projekti ishte këmbimi i eksperiencave në lidhje me teknikat e fundit të aplikuara në këto institucione. Prandaj, e pranova me shumë kënaqësi dhe entuziazëm. Konsideroj se kjo eksperiencë ka kontribuar që specializimi im të jetë me i kompletuar dhe më shërben shumë në aktivitetin tim të perditshëm.  

Syri.tv: Çfarë ofron Franca për ju si mjek e nuk e ofron vendlindja?

Dr.T.Kamberi: Ushtrimi  i profesionit si Anesteziolog – Reanimator është i mundur vetëm në një institucion spitalor me aktivitet të lartë në kirurgji dhe reanimacion. Per fat të keq, për momentin Lugina e Preshevës nuk posedon një Qendër Spitalore të veten. Unë do jem i gatshëm të jap kontributin tim sa herë që bashkëvendësit e mi të kenë nevojë për shërbimet e mia.

Syri.tv: Ku punon dr. Kamberi dhe çka?

Dr.T.Kamberi: Aktualisht punoj në « Groupement Hospitalier Seclin-Carvin » në Francë. Gjithashtu, jam edhe anëtar i rregullt i  ekipit mjekësor : « Medical Team » of 24 Hours of Mans Circuit , « Le Mans-France », si dhe « Medical Team » of Spa Francorchamps Formula 1  «  Beligian  Grand Prix », në Belgjikë.

Një javë në muaj punoj në Klinikën private në Beuvry.

Syri.tv: Cili është funksioni, detyra që kryeni aktualisht?

Dr.T.Kamberi: Ne spital ushtroj si Anestezist – Reanimator në të gjitha  specialitetet kirurgjikale, Jam gjithashtu i diplomuar në teknikën e hipnozës dhe tekniken eriksoniane të komunikimit, si dhe  teknikat e anestezise neonatale, anestezise loko-regjionale, të trajtimit akut të dhimbjes, si dhe shumë formacione dhe konferenca tjera. Si mjek në pistat e garave të ndryshme të automobilave të cekura më lartë, kujdesem kryesisht për reanimimin dhe kujdesin intensiv të pilotëve  në rast të aksidenteve të renda me rrezik për jetën – urgjencat vitale, jam anëtar i rregullt i Grupit  « ISMA » që merret me medikalizimin e stadiumeve gjatë manifestimeve sportive, ku isha prezent në ndeshjen historike Zvicër Shqipëri ne vitin 2016

Syri.tv: Shpresoj të keni kaluar mirë këtë periudhë të Pandemisë të Covid 19?

Dr.T.Kamberi: Ka qenë një periudhe e vështire për të gjithë sepse kjo epidemi na ka gjetur të gjithëve te papërgatitur. Në spitalin ku ushtroj është dashur të adaptohemi shumë shpejt, duke anuluar intervenimet jo urgjente, ri-organizuar oraret e punës dhe hapur më shumë shtretër reanimacioni për të qenë në gjendje gatishmërie për te pritur një numër sa më të madh të pacientëve. Për fat të mire nuk kemi pasur ndonjë valë të madhe të sëmurëve dhe gjendja ka qenë tërë kohën nën kontroll. Për momentin, kemi ende disa të sëmure nga Covid 19 të hospitalizuar por gjendja është përmirësuar dukshëm.

Syri.tv: Meqë jemi ende në gjendjen e vështirë të Pandemisë së Corona virusit apo covid 19, a mund të na tregoni çfarë është covid 19, nga doli, si përhapet, si të mbrohemi?

Dr.T.Kamberi: Covid 19 është një virus që për herë të parë u identifikua në Kinë. Ky virus bën pjesë në familjen e « corona viruseve » që e mbajnë këtë emër për shkak se kanë formë kurore. Covid 19 u shpërnda shumë shpejtë në tërë botën duke shkaktuar një pandemi të papare deri me sot në historinë e njerëzimit.  Ky virus ka një virulence të jashtëzakonshme që do të thotë se përhapet shumë shpejtë dhe le pasoja afatgjate në rastet me infeksion të rëndë. Mbrojtja më e mirë që ka dhënë rezultate efektive për momentin është : distanca sociale, pastrimi i rregullt i duarve dhe përdorimi i maskave.

Syri.tv: Spekulohet shumë rreth paraqitjes së tij, rreth mënyrës së përhapjes së tij. Si mjek, keni informata të sakta për këtë?

Dr.T.Kamberi: Gjatë përvojës sime si mjek kam pasur rast të ndeshem me pacientë të sëmure nga Corona virus por kanë qenë në pyetje forma më të lehta të këtij virusi. Po spekulohet shumë rreth prejardhjes së këtij virusi ku dyshohet se në ADN e këtij virusi mund të ketë ndërhyrë  faktori « njeri » po për momentin këto mbeten vetëm spekulime.

Syri.tv: Pse ky virus është apo a është më i rrezikshëm se të tjerët të njëjtit lloj?

Dr.T.Kamberi: Ky virus është treguar me i rrezikshëm për dy arsye : ka një aftësi te përhapjes të paparë deri më tani dhe pasoja të rënda të infektimit të gati të gjitha organeve vitale sidomos të mushkërive, traktit digjestiv, zemrës, sistemit nervor qendror, mëlçisë, veshkave.

Syri.tv: A do të leje pasoja dhe cilat, ky virus për shëndetin e njeriut por dhe pasoja të tjera, çfarë do qofshin ato?

Dr.T.Kamberi: Përvoja që kemi deri me tani tregon se pasojat e infektimit me Covid 19 në raste të caktuara mund të zgjasin një kohë relativisht të gjate.  Është konstatuar se të sëmuret nga Covid 19 vuajnë edhe pas shërimit nga simptomat,  për një kohë të gjatë, nga një lodhje e tepërt e pashpjegueshme, vështirësi në frymëmarrje, çrregullimin  e shqisave të shijes e të nuhaturit që po e vështirëson jetën e këtyre pacienteve. Përvoja që kemi është shumë e shkurtër për të nxjerrë konkluzione.

Syri.tv: Sa do të lenë pasoja në vendlindjet tona, në trojet tona, marrë parasysh zhvillimin e ultë ekonomik e kulturore të atyre trojeve nga kjo pandemi?

Dr.T.Kamberi: Pasojat ekonomike janë të pamohueshme. Edhe shtetet shumë më të zhvilluara si Franca, Gjermania etj. po dalin nga kjo pandemi me shumë vështirësi ekonomike dhe sociale. Masat e karantinës do të kenë si pasojë afatgjate shtimin e numrit të papunëve dhe falimentimin e shumë aktiviteteve private me gjithë ndihmën financiare te ofruar nga institucionet shtetërore. Kam frikë se popullata shqiptare në tersi por edhe  e Luginës do i vuaj gjithashtu pasojat ekonomike dhe sociale të kësaj pandemie sidomos kur dihet se nuk mund të presin ndonjë ndihmë nga shteti. Për fat të mire, Lugina e Preshevës nuk ka pasur të infektuar nga ky virus, që është një gjë shumë pozitive në ketë situatë.

Syri.tv: Z. Kamberi a mundeni të na tregoni cili është numri i të infektuarve nga COVID-19 në Francë ?

Dr.T.Kamberi: Numri i të infektuarve në Francë ka arritur gati në 150 000, ndërsa numri i të vdekurve arrin diku afër 29 000. Një gjë pozitive është se numri i të infektuarve dhe të shtruarve në spital po bie nga dita në dite, sidomos i atyre të shtruar në reanimacion.

Syri.tv: Në mesin e këtyre personave të infektuarve a ka pas edhe shqiptar ?

Dr.T.Kamberi: Personalisht, nuk kam informacion se në mesin e të infektuarve ka pasur shqiptar.

Syri.tv: Mësuam se ju përveç profesionit tuaj si Mjek anestezist – reanimator, punoni edhe si mjek i Formula 1 në Grand Prix në Belgjikë. Na tregoni pak për këtë detyrë që keni dhe çka ju shtyri të jeni në këtë detyrë?

Dr.T.Kamberi: Si shumica e shqiptareve jam adhurues i sportit e sidomos Auto-Moto sportit. Gjersa isha në Liege, në Belgjike, një kolege anestezist me ftoi të punoja me të si mjek honorar, gjatë vikendeve, në garat e ndryshme në pistën e Spa-Francorchamps. E pranova me kënaqësi. Ishte ekzistuese ideja që të kem rast të kujdesem për shëndetin e piloteve që i admiroja në një kohë përmes revistave të ndryshme, televizionit apo edhe përmes mediave të tjera në internet.

Syri.tv: Çfarë konkretisht keni për detyrë si mjek i formulës 1?

Dr.T.Kamberi: Unë jam përgjegjës dhe mjeku kryesor në ndërlidhjen mes Medical Car FIA(Federation Internationale de L’Automobile), Direction of Course dhe stafit mjekësor lokal. Nëse keni parasysh në start, në rrethin e parë të garës, mbrapa gjithë formulave gjendet Medical Car FIA. Unë gjendem në atë veturë së bashku me një koleg timin, Dr. Ian Roberts, mjek zyrtar i FIA, i cili medicalison të gjitha pistat e F1 nëpër botë. Rreziku më i madh për aksident është pikërisht gjatë rrethit të parë. Për ketë arsye ne i ndjekim formulat me « Autoambulancën » me të shpejtë në botë e në rast aksidenti intervenimi im duhet të jetë sa me i shpejt sepse në këso lloj garash edhe sekondat mund të kushtojnë me jetë.

Syri.tv: Sigurisht se gjatë kohës që jeni mjek i këtyre garave keni përjetuar raste apo ngjarje të ndryshme. Ne shohim në TV ndeshje të ndryshme, rrotullime, dëmtime të veturave dhe a mund të na tregoni ndonjë ngjarje tragjike që keni marrë pjesë edhe ju por edhe ndonjë ngjarje interesante, me përfundim të mirë edhe pse në dukje ka qenë e rëndë?

Dr.T.Kamberi: Kam pasur shumë intervenime dhe për fat shumica prej tyre kanë përfunduar shumë mirë. Pista e Spa-Francorchamps është një nga pistat më të mira në botë dhe nga më të preferuarat nga pilotët por njëkohësisht është edhe e rrezikshme sepse ka shumë kthesa, ngjitje, zbritje, shumë mundësi tejkalimi etj. Mes pilotëve aksidental që kam pas në kujdes personalisht ka qenë Hamilton, Alonso qe kanë përfunduar pa pasoja. Fatkeqësisht ka edhe raste tragjike siç ishte rasti vitin e kaluar ne Formula GP2.

Syri.tv: Jeni mjek i një ekipi, p.sh. i Ferrarit apo jeni mjek i garave, d.m.th. i gjithë pjesëmarrësve?

Dr.T.Kamberi: Siç e theksova edhe më parë, unë  jam anëtar ekipe mjekësore të pistës që do të thotë mjek për të gjithë pjesëmarrësit. Secili ekip ka pastaj edhe stafin e tij mjekësor.

Syri.tv: Personalisht i doni këto gara? Keni vozitur njëherë një veturë të kësaj kategorie? Si ndjehet njeriu brenda saj?

Dr.T.Kamberi: Patjetër që jam adhurues i këtij sporti. Jam gjithmonë i mahnitur me talentin e këtyre piloteve, rrezikun që e marrin sa herë që futen në pistë,  punën, përkushtimin dhe  sakrificën e tyre që në fund shikuesve t’u dhurojnë një spektakël të pakrahasueshëm. Jam admirues i  punës, precizitetit, seriozitetit dhe organizimit milimetrik të këtyre garave ku çdo gjë është e menduar deri në detajin më të vogël. Kam pasur  kënaqësinë të vozis vetura të këtilla por jo të kategorisë F1, është emocion i veçantë.

Syri.tv: Çfarë ndenje është ta përfaqësoni si mjek Garat e Formula 1 ?

Dr.T.Kamberi: Si çdo herë në punën time duhet të qëndroj i koncentruar ne rolin tim me shumë përgjegjësi si mjek sepse edhe gabimi më i vogël mund të ketë pasoja të pakthyeshme.   Si Preshevar dhe shqiptar sigurisht që jam krenar sepse kontribuoj që vendi im i vogël të njihet aty ku nuk pritet, besoj si çdo tjetër kudo që ndodhet në botë dhe në çfarëdo profesioni që të jetë.

Syri.tv: Si të presin në Luginë si mjek apo si Teni Kamberi?

Dr.T.Kamberi: Ne Luginë ndjehem shumë mirë. Atje kam prindërit, kam dy vëllezër, Mesharin (Farmacist) dhe Ardijanin (Stomatolog-Implantolog), kunatën Artioniden (Stomatologe),  dy nipërit  e mi Aimanin dhe Ajanin që jetojnë mes Tiranës dhe Preshevës. Varësisht nga situata, në Presheve, bashkëvendësit më presin herë si Teni e herë tjera si mjek, ku më adresojnë pyetjet e tyre rreth shëndetit dhe arritjeve më të reja në mjekësi. Vazhdoj të mbajë kontakte me shoqërinë time në Preshevë e sidomos me kushërinjtë e mi,  jemi një familje e madhe dhe vazhdojmë të jemi shumë te lidhur mes vete.

Syri.tv: Me ke jeton Teni Kamberi?

Dr.T.Kamberi: Jam i martuar me Preshevarë dhe shqiptare, Lenditen e cila është Doktor e Shkencave Juridike ( E Drejte Evropiane dhe Ndërkombëtare ne Universitetin Lille 2 në Francë),  ushtron punën si avokate ne kuadër të studios së saj ligjore në Lille dhe është ligjëruese në një Universitet privat në Lille. Kemi dy fëmijë, Leartin 11 vjeç dhe Alben 7 vjeçe, qe vazhdojnë shkollimin këtu në Lille.

Syri.tv: Për fund të kësaj interviste, çfarë do ti porositnit bashkëkombësit tanë qoftë në Francë ku punoni e jetoni por qoftë edhe në shtetet tjera të Evropës dhe më gjerë, si të sillen në këtë fazën e fundit të kësaj Pandemie të Covid 19?

Dr.T.Kamberi: Këshilla që kam është të kujdesen për veten dhe të afërmit e tyre, të respektojnë distancë social, të pastrojnë duart rregullisht dhe të përdorin maska sa më shpesh që të jetë e mundur sidomos nëpër vendet publike të mbyllura.

Syri.tv: Dhe krejt në fund, një porosi gjithë shikuesve të TV Syri në Zvicër dhe lexueseve dhe dashamirëve të portalit me të njëjtin emër, pra Syri TV?

Dr.T.Kamberi: Shikuesve të TV Syri në Zvicër, ju dëshiroj dalje sa më të shpejte nga kjo pandemi, që të kemi mundësi ti vizitojmë familjet tona kudo që janë, sidomos në Vendlindje, të vazhdojnë të kenë kontakte me vendlindjen dhe të kontribuojmë secili me mundësitë dhe aftësitë e veta për Luginën. Për juve TV Syri porosia ime është te vazhdoni të jeni « syri » ynë për Luginën dhe gjithë Shqiptaret kudo që janë.

Syri.tv: Ju falënderojmë përzemërsisht ishit pjesë e rubrikës Bardhë e Zi dhe ju dëshirojmë suksese në punën tuaj profesionale dhe gëzime e lumturi në familje. Na bëni të ndihemi mirë si shqiptarë.

Dr.T.Kamberi: Faleminderit për intervistën dhe urimet, qofshi të gëzuar dhe të lumtur. Ju uroj suksese në punë.  Përshëndetje për vendasin tim Drejtorin e Syri TV z.Musli Saiti. Përshëndetje për të gjithë lexuesit tuaj dhe gjithë shqiptarët kudo që janë e në veçanti për Luginasit.

I juaji, Teni-Rr.-KAMBERI.

Intervistoi Arben Mehmeti