Kurti nuk e pranon vendimin e Kushtetueses për dekretin e Thaçit

0
466
Albin Kurti, der neue Premierminister des Kosovos, versprach in seiner Regierungserklärung eine "neue Ära", in der es keine Korruption und Vetternwirtschaft mehr geben werde. (Archivbild)

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin.

Ai ka thënë se ky vendim është përtej imagjinatës në çdo nivel, duke shtuar se për hapat tjerë politikë qytetarët do të njoftohen ditëve në vijim.

“Nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se në tekst dhe nëntekst të vendimit „nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese“.

Sipas Kurtit, në vend të interpretimit, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar presidentin.

“Mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë. Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë”, thotë ai.

Sipas tij “Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike”.

Kurti thotë se Gjykata ka shkruar njoftimin sikur fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston, duke shtuar se ajo ka shlyer dallimin mes shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzektuvit.

“Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë”, thotë ai.

Ai shton se “Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo, sipas tij, nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ta se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”.

“Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18. Formulimet e llojit ‘… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky ‘konsultim’ formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi’, apo, ‘E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj’ përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit”, shkruan ai.

Ai thotë se do të kenë vlerësim të hollësishëm nga këshilltarët e tij ligjorë pasi ta marrin tekstin e plotë të Aktgjykimit.

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar”, shkruan Kurti.